English

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan çmimet “Vangjush Gambeta”

Tiranë, 16 Dhjetor, NOA -Unioni i Gazetarëve Shqiptarë organizoi për të dytin vit radhazi konkursin për çmimin “Vangjush Gambeta” për raportin më të mirë ekonomik në media.

Çmimi “Vangjush Gambeta” u dha për herë të parë vitin e kaluar (2009) me mbështetjen e “JTI” për tre gazetarë efektivë të ekranit, radios dhe shtypit të shkruar.

Vangjush Gambeta ishte një gazetar i shquar dhe publicist, i cili pati një rol të spikatur në shtypin shqiptar.

Në vitet 1956-1975 ai drejtoi sektorin ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit” – më e madhja e epokës ku më vonë shërbeu edhe si zv/kryeredaktor. Paralelisht në këto vite ai ishte pedagog i ekonomisë në Universitetin e Tiranës.

Për shkak të qëndrimeve të tij liberale dhe frymës perëndimore në ekonomi, ai u internua për 15 vite, duke e mbyllur karrierën qysh në vitin 1975. Në vitin 1990 ai ishte bashkë-themelues i partisë Republikane dhe drejtues i gazetës së saj Republika. Ai ndërroi jetë në vitin 2008.

Në ceremoninë e rastit, kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa nënvizoi garën e fortë dhe seriozitetin me të cilin u paraqitën konkurrentët në këtë konkurs që tashmë po ndërton traditën e tij në Shqipëri.

Kurse zv/ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës Neritan Alibali, ish-gazetar i njohur, përmendi në takim përvojën e tij personale me Vangjush Gambeta, emrin e të cilit mban çmimi prestigjoz i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Këtë vit çmimin “Vangjush Gambeta” për raportin më të mirë ekonomik të vitit 2010 e morën Klodian Tomorri në zhanrin televiziv, Ervin Qafmolla për shtypin e shkruar dhe Amarildo Topi në produksion radio.

Juria u përbë nga 3 anëtarë, përkatësisht gazetarët: Ornela Liperi, kryetare; Mitro Çela, anëtar dhe Enkelejd Llanaj, anëtar.

Kurse çmimet e karrierës iu dhanë Briseida Mema-s, gazetare pranë AFP dhe gazetarit Arben Andoni.

n.e/NOA

KOMENTE