English

Gjashtë këshilla për të luftuar korrupsionin

Duhet të theksoj këtu rëndësinë për një media të lirë si një standard thelbësor në inkurajimin e përgjegjshmërisë gjatë proceseve vendimmarrëse. Një media e lirë duhet të shërbejë si një kundërpeshë e fortë dhe e gjallë ndaj korrupsionit në jetën publike dhe për këtë arsye ajo meriton mbrojtje të veçantë. Ata janë përgjegjës për raportimin e fakteve dhe jo për marrjen e rolit të gjyqtarit dhe jurisë.

Eugen Uollfarth*

Jam i nderuar të marr pjesë në këtë tryezë të rrumbullakët, e cila është organizuar si pjesë e një sërë aktivitetesh për të nderuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në 9 dhjetor.

Me një ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin ekonomik dhe shoqëror, lufta kundër korrupsionit është një përparësi e rëndësishme për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri si edhe diçka që shprehet qartë në mandatin e saj.

Lidhur me këtë, ne po mbështesim institucionet kombëtare dhe shoqërinë civile për promovimin e parimeve të qeverisjes së mirë dhe për marrjen e masave të tjera për luftimin e korrupsionit.

Duhet të përmend sidomos bashkëpunimin tonë të ngushtë me Inspektoratin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive (ILDKP) për disa vjet tashmë, për të rritur ndërgjegjësimin e zyrtarëve publikë lidhur me çështje që rrethojnë konfliktin e interesit.

Më lejoni të theksoj që asnjë vend – sado demokratik – nuk do të jetë ndonjëherë krejtësisht i çliruar nga problemi i korrupsionit, por çdo vend dhe shoqëri duhet ta bëjë minimizimin e tij një përparësi kryesore.

E theksoj këtë pasi ne e dimë shumë mirë që kur korrupsioni ‘hedh rrënjë’ ai ndikon negativisht në çdo aspekt të jetës. Korrupsioni shkatërron ekonomitë kombëtare, ai gërryen themelet e stabilitetit shoqëror dhe shkatërron besimin publik.

Korrupsioni ul të ardhurat nga taksat, fryn koston e shërbimeve publike, prish konkurrencën në sektorin privat dhe, në shfaqjen më të keqe të tij, i dënon grupet e cenueshme me varfëri.

Shqipëria ka ndërmarrë disa masa të guximshme kundër korrupsionit gjatë viteve të fundit;

- miratimi i Strategjisë së Parandalimit dhe Luftës kundër Korrupsionit, dhe Qeverisjes Transparente 2007 – 2013;

- miratimi i legjislacionit në përputhje me atë të BE-së;

- ajo ka krijuar sisteme online për regjistrimin e biznesit, vënien e taksave dhe prokurimin;

- politika e vazhdueshme e vendit për decentralizim krijon gjithashtu mundësi mbikëqyrëse nëpërmjet angazhimit civil në proceset lokale të vendimmarrjes;

- dhe gjithashtu janë bërë më shumë kontrolle lidhur me pasuritë e zyrtarëve publikë.

Sidoqoftë, ne të gjithë dimë nga raporte të shumta, përfshirë edhe atë të pasqyruar në mendimin e fundit të Komisionit Evropian, që korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë sektorë në Shqipëri.

Cilat janë fushat shqetësuese:

• Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore në përforcimin e të drejtave të pronësisë është një fushë që mundëson praktikat korruptive dhe dëmton në themel qëllimin e krijimit të një tregu funksional të tokës.

• Transparenca lidhur me financimet e partive mbetet gjithashtu shqetësuese.

• Edhe pse Kodi Zgjedhor kërkon që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbledhë deklaratat financiare të partive politike, ai nuk i ka mjetet e duhura për të hetuar burimet e financimit, dhe gjithashtu nuk ekziston detyrimi për të raportuar mbi donacionet e bëra nga sektori privat.

• Veç kësaj, angazhimi i autoriteteve kombëtare për të luftuar korrupsionin nuk pasqyrohet gjithmonë përmes zbatimit të vazhdueshëm të legjislacionit ekzistues dhe ndjekjes së çështjeve penale.

• Mbetet ende për t’u krijuar një histori bindëse e aktgjykimeve, dhe dënimeve të forta dhe të duhura dhe/ose gjobave në rastet e korrupsionit.

• Trajtimi i prerë dhe transparent i rasteve kur pretendohet se ka pasur korrupsion, pavarësisht nga statusi i të akuzuarve, është një tregues i rëndësishëm i pavarësisë së gjyqësorit.

Lidhur me aktivitetin e ditës së sotme, ne jemi këtu që të diskutojmë me ju, si anëtarë të medias, aspektet praktike dhe sfidat në luftën kundër korrupsionit. Dihet ndërkombëtarisht se media luan një rol shumë të rëndësishëm në këtë duke e bërë publik informacionin, duke rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, duke i rënë sirenës së alarmit dhe nëpërmjet shumë mjeteve të tjera.

Duhet të theksoj këtu rëndësinë për një media të lirë si një standard thelbësor në inkurajimin e përgjegjshmërisë gjatë proceseve vendimmarrëse. Një media e lirë duhet të shërbejë si një kundërpeshë e fortë dhe e gjallë ndaj korrupsionit në jetën publike dhe për këtë arsye ajo meriton mbrojtje të veçantë. Ata janë përgjegjës për raportimin e fakteve dhe jo për marrjen e rolit të gjyqtarit dhe jurisë.

Për ta mbyllur, ndërsa Shqipëria hedh hapin drejt vitit 2011, le të shpresojmë që viti i ri – në të vërtetë dekada e re – të karakterizohet nga një angazhim si i qeverisë, ashtu edhe i medias, dhe gjithë shoqërisë civile për adoptimin e një qëndrimi që shpreh zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Sigurisht që do të ishte zhgënjyese nëse progresi i madh i bërë nga Shqipëria, i shprehur në reformat sociale, politike dhe ekonomike do të dëmtohej nga paaftësia për të trajtuar shkaqet që ndodhen në themel të korrupsionit, duke vonuar kështu momentin kur Shqipëria të përmbushë të gjithë aspiratat e saj për integrim në BE dhe ndërkombëtar.

Pra, le ta përdorim të gjithë këtë aktivitet për të pasur një debat serioz lidhur me mënyrën e ecjes drejt objektivit për një shoqëri transparente dhe të përgjegjshme dhe rolin e medias në këtë proces. E pres me padurim këtë bisedë!

*Fjala e ambasadorit të OSBE në Tiranë Eugen Uollfarth në tryezën e rrumbullakët “Roli i medias në luftën kundër korrupsionit”.

KOMENTE