English

Reagon Presidenti Topi: Akuzat ndaj Thaçit, dëmtojnë imazhin e shqiptarëve

Tiranë, 17 dhjetor, NOA- Presidenti i vendit Bamir Topi, ka reaguar lidhur me akuzat drejtuar ish-kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi.

Projekt rezolutën e ditës së djeshme të Komisionit të Çështjeve Ligjore dhe të Drejtave të Njeriut të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kreu i Shtetit e analizoi hollësishëm, duke e kritikuar atë me anë të një komunikate për mediat.

Ai e cilësoi si një çështje shumë të ndjeshme, jo vetëm për Shqipërinë e Kosovën, por edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të rajonit dhe mirëqenien e popujve tanë.

“Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon ashpër të gjitha akuzat e pabazuara në prova konkrete dhe pandehmat e endura me një rrjetë thashethemesh, të cilat duken sikur janë të gatuara në kuzhinën e dalëmode të qarqeve të caktuara ultra-nacionaliste, që për fat të keq vazhdojnë të ekzistojnë në Ballkan – në një territor ku kohë pas kohe zbulohen varreza masive të genocidit të pashembullt të forcave serbe të Millosheviçit dhe ku ende strehohen kriminelë lufte të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës”, thuhet në deklaratën e dhënë për mediat.

Ndër të tjera Presidenti Topi veçoi se, Institucionet e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë bashkëpunuese me institucionet e specializuara ndërkombëtare për të hetuar rreth dyshimeve që ringrihen në Projekt-Rezolutën e përpiluar nga Dik Marti, i cili e ka bërë të njohur botërisht, prej kohësh, pozicionimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës.

Më tej vijon komunikata se, akuzat dhe tymnaja e rrezikshme që ato po ngrenë, dëmtojnë e kërcënojnë seriozisht jo vetëm imazhin dhe vlerat e vërteta të kombit shqiptar, por edhe paqen e qëndrueshmërinë afatgjatë të rajonit tonë.

Në raport, Dick Marti akuzon liderët kosovarë përfshirë këtu dhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për trafik organesh njerëzore dhe krime të tjera në përfundim të konfliktit në Kosovë.
a.y/ NOA

KOMENTE