English

PS: Shqipëria nën qeverisjen e Berishës më keq se Bangladeshi

Tiranë, 18 dhjetor, NOA – Selia rozë ka akuzuar sot kryeministrin Sali Berisha se si rezultat i autoritarizmit me të cilin qeveris vendin po e kthen Shqipërinë në diktaturë, duke zbritur shkallët e demokracisë vetëm një hap larg regjimeve autoritare afrikane apo amerikano-latine. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja deklaroi gjatë një konference për shtyp se “Nën pushtetin e Sali Berishës demokracia shqiptare po përjeton krizën e saj më të rëndë në këto 20 vjet, e gjendur nën trysninë autoritare të një pushteti që s’ndan asgjë me parimet dhe normat e demokracisë”.

Duke denoncuar drejtimin autoritar të Berishës fill pas rikthimit në pushtet pas 8 vitesh në opozitë në vitin 2005, e sidomos pas vjedhjes së votës në zgjedhjet e qershorit 2009, sikundër tha Beqja duke iu referuar raportit të Indeksit të Demokracisë, tha se “për të dytën herë Shqipëria nuk klasifikohet si një vend demokratik, por si një regjim hibrid, pra si një regjim ku zgjedhjet kanë parregullsi të konsiderueshme dhe nuk janë të lira e të ndershme, ku qeveria ushtron presion mbi partitë opozitare, ku kultura politike, funksionimi i qeverisë dhe pjesëmarrja e publikut në politikë janë tejet problematike dhe jo të denja për një sistem demokratik”, akuzoi deputeti socialist.

E duke theksuar se këtë rezultat e ka nxjerrë një institucion prestigjoz siç është Economist Intelligence Unit, deputeti Beqja informoi se Indeksi i Demokracisë e rendit Shqipërinë të 84-ën ndër 165 vende. Jemi 3 vend më keq se në vitin 2008. Jemi pëkeqësuar në nivelin e demokracisë, në funksionimin e qeverisjes, në kulturën politike në politikë dhe për pjesëmarrjen politike”, referoi Beqja.

“Me pak fjalë, nën pushtetin e vjedhur të Sali Berishës, në vitin 2010, Shqipëria vend anëtar i NATOs dhe aspirant për anëtarësim në BE, nuk renditet më si një vend demokratik, por klasifikohet si një regjim hibrid, vetëm një hap larg regjimeve autoritare dhe në një kategori si Tanzania, Venezuela, Pakistani, Kirgiztani etj. Ky është një dështim i turpshëm i Sali Berishës”, nënvizoi deputeti socialist, duke argumentuar se ishin këto edhe arsyet pse Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat.

Deputeti socialist e akuzoi kryeministrin Berisha se është i dështuar, dhe se dështimi i tij dëshmohet edhe nga shpenzimet disamilionëshe për koncerte për demokracinë, në një kohë që na e ka kaluar edhe Bangladeshi.

Por, Beqja vërejti se raporti nge shqetësim edhe për përkeqësimin e lirisë së medias nën presionin e qeverisë gjatë vitit 2009-2010, duke argumentuar se Sali Berisha ka dështuar dhe ky dështim sot po bëhet i qartë për botën mbarë.

“Përpjekjet e Saliut për të asfiksuar demokracinë shqiptare, për të paralizuar institucionet, për të gjunjëzuar sistemin e drejtësisë dhe për t’ i mbyllur gojën medias së lirë sot janë kthyer në turpin e Shqipërisë duke na renditur vetëm një hap larg regjimeve autoritare”, përfundoi deputeti Beqja.

mit/NOA
KOMENTE