English

PS kundërpërgjigjet: S’kemi dashur kurrë rinumërim fletësh, hapni kutitë siç do PE

Tiranë, 19 dhjetor, NOA – Pak pasi selia blu e cilësoi si amoral qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama mbi pushimin e hetimit të çështjes së kërkuar nga kreu i PDK-se Nard Ndoka që akuzonte KQZ-në se i kish vjedhur deri edhe një mandat në Shkodër, hetim i mbyllur pasi nuk u gjet asnjë manipulim në votat e PDK-së, ka reaguar edhe selia rozë. Në një prononcim të shkurtër për mediat, anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa deklaroi se Partia Socialiste gjatë 19 muajve që ka kërkuar transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk ka dashur kurrë rinumërim të fletëve të votimit, por hetim të kutive.

“Nuk janë të sharat e shpifjet kundër opozitës që u duhen shqiptarëve, por e vërteta. Duhet të hapen kutitë siç ka thënë edhe parlamenti Europian”, tha Ajtyresa.

Sipas Ajtyresës, ajo që duhet bërë ndërkaq është se duhet të hapen kutitë e materialeve zgjedhore e kësisoj të mbyllet kapitulli i zgjedhjeve të vjedhura.

“Që të ketë qeverisje të mirë për të gjithë, ekonomi të zhvilluar për të gjithë, drejtësi të barabartë për të gjithë”, apeloi Megi Ajtyresa.

Prononcimi i Megi Ajtyresës erdhi si përgjigje ndaj akuzave të zëdhënëses së Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, e cila deklaroi se kryesocialisti Edi Rama duke hedhur poshtë vendimin e prokurorisë së Shkodrës po del kundër vullnetit të shqiptarëve.

Selia blu e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e Ramës që erdhi pasi prokuroria botoi pas shumë muajsh aktin e hetimit dhe rinumërimit e rivlerësimit të qendrave të votimit në Shkodër duke faktuar se rezultati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këto qendra dhe ai që u gjet pas këtij hetimi të prokurorisë ishin identik dhe të njëjtë.

Ndër të tjera PD denoncoi qëndrimin e bosit të SH.P.K-së sikundër cilësohet Edi Rama apo mister 20 përqind, duke e siguruar atë se as ai e askush tjetër nuk do të mund të cënojë apo të shkelmojë mbi votën e vullnetin e lirë të shqiptarëve.

mit/NOA
KOMENTE