Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rrugëtim ndër objektet kulturore, nga Prizreni në Gjakovë
English

Rrugëtim ndër objektet kulturore, nga Prizreni në Gjakovë

REPORTAZH NGA KOSOVA

Nga Anisa Ymeri

Aty gjenden gjurmë të qenësishme të historisë së shqiptarëve! Dëshmi të mbijetesës dhe ringritjes pas rrënimit tërësor

Prizreni është qyteti i parë që të jep mirëseardhjen sapo shkel në Kosovë, vetëm 15 kilometra nga pika kufitare e Morinës dhe tanimë është shndërruar në më të vizituarin nga shqiptarët, e jo vetëm për shkak të afërsisë por edhe për atë çka dëshmon.

Është qytet muze pasi objektet kulturore dhe historike gjenden gati në çdo hap që hedh.

Kompleksi Monumental “Lidhja Shqiptare të Prizrenit 1878”

Ndalemi tek Kompleksi Monumental “Lidhja Shqiptare të Prizrenit 1878”, simbol jo vetëm i qytetit por i Shqipërisë etnike.

Rrënuar dhe shndërruar në gërmadhë gjatë Luftës së Kosovës, gjithkush nxitoi ta rikthente kompleksin në gjendjen e mëhershme.

Tanimë ai është i rindërtuar dhe dëshmon nëpërmjet dokumenteve dhe objekteve për vendimet historike prej 10 qershorit 1878, kur daton edhe Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Fotografitë e pjesëmarrësve në Kuvend gjenden aty, dokumente po ashtu, objekte dhe gjithfarë ka lidhje me vendimet historike.

Por sa ka nisur të shfrytëzohen resurset e Prizrenit për ndjelljen e turistëve?! Megjithëse vizitorët nuk i mungojnë qytetit historik të shqiptarëve, nuk mund të flitet për strategji të mirëfilltë për turizmin.

Shend Kabashi është drejtori i zyrës për zhvillim ekonomik dhe turizëm. Ai rrëfen për kompleksin monumental të lidhjes dhe për sfidat dhe ngërçet e turizmit në Kosovë.

Z. Kabashi tregon se nuk ka një strategji të mirëfilltë për zhvillimin e turizmit në këto anë. Megjithatë turizmi është jo pak i zhvilluar pasi këto janë qendrat e lakmuara prej tërë shteteve të ish-Jugosllavisë.

Hamami ‘Gazi i Mehmet Pashës’

Pak më tej gjendet hamami ‘Gazi i Mehmet Pashës’, ndër objektet e lakmuara të vizitorëve për shkak të unicitetit të tij. Arkitektura e tij orientale ndjell jo pak.

Ndërtuar në shekullin e XVI nga Gazi Mehmet Pasha, emrin e të cilit mban, ai dikur ka shërbyer si hamam publik andaj edhe ka ndarjen e tij klasike, vende të posaçme për meshkuj dhe femra. Tani në të shumtën e rasteve ky objekt i rrallë shfrytëzohet ekspozita dhe mbajtjen e takimeve të ndryshme kulturore.

Objektet kulturore për t’u veçuar në Prizrenin historik janë të shumta, prej kalasë e deri tek çezmat publike apo urat famëmëdha të lumit Lumëbardhë dhe xhamia e ‘Sinan Pashës’, ndërtuar në lagjen ku rrugët janë të shtruara me kalldrëm.

E përpos zhvillimit të turizmit nga vendasit, përherë e më tepër po flitet për një bashkërendim të një turizmi komunikues mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Enver Bytyçi, zyrtar i ministrisë shqiptare të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndalet në atë që e cilëson si një plan afatgjatë për zhvillimin e përbashkët të turizmit.

Çarshia e madhe, Gjakovë

Lëmë pas objektet kulturore dhe dëshmitë historike të Prizrenit, që i kanë mbijetuar shekujve dhe i drejtohemi Gjakovës. Ai njihet si qyteti i kulturës, traditës dhe trashëgimisë.

Historia 500 vjeçare e qytetit ndeshet kudo.

Çarshia e Madhe është e lakmuara e qytetit, aty gjenden edhe tërë objektet e tjera që mund të vizitohen në Gjakovë. Tradita ruhet me fanatizëm.

Aty gjenden ende artizanët e jorgan punuesve, samarxhinjve, argjendarëve dhe qëndistarëve, dyqanet e të cilëve janë jo pak të frekuentuar, të cilët gjakovarët i kanë rindërtuar, pasi tërë çarshia u shkrumbua gjatë Luftës së Kosovës.

Po në Çarshi, unike dhe ndër më të mëdhatë në Ballkan, pranë njëra-tjetrës ndodhen Kulla e Sahatit dhe xhamia e Hadum Agës. Ajo daton në shekullin e XVI. Besimtarët që e frekuentojnë atë janë të shumtë në numër.

Prizreni dhe Gjakova, janë dy ndër qytetet historike të Kosovës, e me gjasë edhe ndër më të vizituarit nga shqiptarët.

Përpos vizitave në vendet historike, të prekësh gjurmë të kulturës në objekte të cilat i kanë mbijetuar shekujve dhe dëshmojnë qytetërimin e shqiptarëve, turistët kërkojnë edhe ushqime tradicionale. Gjakova i ka me bollëk gatimet tradicionale të cilat i serviren kujtdo që kërkon të njohë qytetin prej kalldrëmit të çarshisë e deri tek tradita.

KOMENTE