English

Jelko Kacin: Akuzat nuk ndikojnë mbi bisedimet Prishtinë-Beograd

Beograd, 21 dhjetor, NOA - Raportuesi për Ballkanin i Parlamentit të Evropës, Jelko Kacin, i ka deklaruar BBC-së se Kosovës i duhet sa më shpejt krijimi i qeverisë për shkak të, siç tha, qëndrueshmërisë politike në vend dhe për fillimin e dialogut me Beogradin.

Zoti Kacin ka përmendur mundësinë e kandidimit të kryeministrit në dorëheqje për president të vendit duke e cilësuar këtë hap të mundshëm, pas publikimit të projekt raportit të Dick Marty, si shmangie nga situata aktuale shumë e rëndë dhe bllokuese në rastin e krijimit të Kuvendit të ri, të qeverisë se re të Kosovës dhe më vonë edhe të presidentit të vendit.

Ai tha se akuzat në projekt raportin e të dërguarit të KE-së, Dick Marty, nuk mund të jenë një argument dhe arsyetim për shtyrjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kacin e cilësoi gatishmërinë e presidentit Tadiç dhe kryeministrit Thaçi për t’u takuar si manifestim të vullnetit të mirë dhe pozitiv për fillimin e dialogut.

Sipas tij, nëse projekt-raporti i Dick Marty-t do të miratohet në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, atëherë Shqipëria dhe Kosova do të kenë nevojë për një ndihmë ndërkombëtare në hetimin e akuzave të bëra.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar padi ndaj të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për siç ka thënë, shpifje ndaj tij.

Në një raport të tij, Marty e akuzon zotin Thaçi si “kreun e një rrjeti të krimit të organizuar që trafikonte organe njerëzore të marra nga të burgosurit e vrarë”.

Zoti Kacin ndodheni për vizitë në Beograd si raportues i PE-së për Ballkanin. Supozoj se një prej çështjeve më të diskutuara gjatë ditës ishte ajo e raportit të Dick Marty-t për Kosovën. Si e keni parë ju atë?

Para së gjithash nuk ka ende një raport. Atë që kemi është një projekt dhe ky projekt duhet të miratohet. Ashtu siç duket tani, kjo do të ndodh në janar të vitit të ardhshëm në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Të gjithë anëtarët e këtij Këshilli do të përfshihen në votimin përfundimtar dhe gjithashtu edhe në debat. Kjo nënkupton se edhe delegacioni serb do të jetë pjesë e kësaj. Deri atëherë ky është vetëm një projekt raport dhe asgjë më shumë. Është e vështirë të pritet që në bazë të projekt raportit ne të bëjmë çfarëdo vlerësimi. Do të thosha se është e parakohshme tani për tani. Por në një aspekt të përgjithshëm, do të thosha se vërtetë këto janë akuza shumë të rënda. Mbi këto baza situata duhet të qartësohet. Njëkohësisht unë besoj se do të jetë e vështirë të pritet që cilido shtet në Evropë kur një kryeministër të akuzohet për një gjë të tillë do ta gjente veten në një pozitë të vështirë. Prandaj unë besoj se në njërën anë Shqipëria dhe institucionet e saj dhe në anën tjetër Kosova dhe institucionet e saj kanë nevojë për ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe unë shpresoj se situata do të qartësohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në anën tjetër projekt raporti është shumë i përgjithësuar dhe ne presim që të shohim diçka më shumë, diçka më konkrete që do të jetë e mjaftueshme që të nxisin hetimet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ju po bëni thirrje për hetime. Në të kaluarën ka patur hetime në veri të Shqipërisë dhe gjithashtu edhe në Kosovë. Nuk ka patur rezultate. Por tani kush duhet t’i kryej këto hetime?

Ashtu siç thash një ndihmë ndërkombëtare do të ishte më se e nevojshme. Kjo varet nga fakti se kur do të jetë i gatshëm raporti përfundimtar dhe atëherë do të jetë koha më e përshtatshme për të marrë vendime përfundimtare dhe të vendoset se kush duhet të ndihmojë. Por sido që të jetë kur flasim për Kosovën aty është EULEX-i i cili është i autorizuar që të merret me këto çështje të ndjeshme, në njërën anë, por gjithashtu ka edhe institucione të tjera. Nëse nuk e kam gabim, ministri i punës dhe i çështjeve sociale në qeverinë e Serbisë, Rasim Ljajiç, ishte në Strasburg në Këshillin e Evropës dhe nëse nuk e gaboj ai u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit që të ofrojnë ndihmë për të filluar sa më shpejt të jetë e mundur këto hetime.

Zoti Kacin, a mund të ndryshojnë akuzat e bëra qëndrimin ndaj Kosovës të vendeve që e kanë njohur dhe të atyre që s’e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Unë nuk jam i ngarkuar për të folur në emër të të vendeve të tjera, posaçërisht të atyre vendeve anëtare të BE-së që e kanë njohur ose nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo s’ka të bëjë asgjë me pavarësinë. Nëse këto krime ose ngjarje tragjike kanë ndodhur vërtetë, ashtu siç do të mund të besonte dikush bazuar në projekt raport kjo çështje e ndjeshme duhet të zgjidhet. Në këtë rast është një sfidë e jashtëzakonshme në njërën anë për institucionet e Kosovës dhe anën tjetër për partinë udhëheqëse në Kosovë. Prandaj po them se në rast se kryeministri në largim do të donte të kandidohej për postin e presidentit ai nuk do të mund të jetë më në pozitë që të drejtoj partinë e tij. Kjo për shkak të një vendimi të fundit të Gjykatës Kushtetuese që thotë se presidenti i Kosovës nuk mund të jetë më udhëheqës i partisë.

Mos po me thoni se atëherë do të jetë më e lehtë të zhvillohen hetime të drejta?

Ajo që po them është se Kosova ka nevojë për një qeveri në një afat të shkurtër. Kjo është e nevojshme për qëndrueshmërinë politike, është e nevojshme për fillimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ne thjeshtë duam të shohim zhvillimet e ardhshme. Ajo që thash është një prej mënyrave të mundshme për të shmangur këtë situatë aktuale shumë të rëndë dhe bllokuese në rastin e krijimit të Kuvendit të ri të Kosovës dhe pas kësaj koalicionit për qeverinë e Kosovës dhe menjëherë pas kësaj do të ketë edhe zgjedhje të presidentit të vendit në Kuvend.

Ju ishit në Kosovë gjatë zgjedhjeve. Shumë parti politike e kanë akuzuar PDK-në e zotit Thaçi për mashtrim në zgjedhje dhe manipulim me votat. Si e shihni tani situatën?

Vlerësimet e mia nuk janë aq të gjëra siç e përshkruat ju. Ne jemi në dijeni të akuzave që kanë të bëjnë me dy komunat, njëra e Drenasit dhe tjetra e Skënderajt. Në këto dy komuna ka patur akuza por ajo që ne kemi thënë në atë rast, të delegacionit të vëzhguesve të Parlamentit të Evropës, se u takon partive politike që të ankohen dhe gjithashtu u takon institucioneve të Kosovës që të merren me to. Në këtë rast KQZ dhe organi që merret me ankesat duhet të reagojnë sepse këto zgjedhje do të duhej të ishin një mundësi e mirë për të forcuar shtetin ligjor dhe institucionet e Kosovës. Në fund të fundit ata do të vendosin se si dhe çka të bëjnë bazuar në këto akuza. Nëse këto akuza janë serioze dhe dëshmohen atëherë nuk shoh zgjidhje tjetër përveç se të përsëriten zgjedhjet në këto dy komuna. Me sa jam unë në dijeni ankesat vijnë kryesisht për këto dy komuna.

Kur flisni për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit pas gjithë këtyre akuzave për krim të organizuar, prisni që këto zhvillime të ndikojnë në shtyrjen e tij?

Mendoj se akuzat nuk mund të jenë një argument dhe arsyetim. Unë jam i kënaqur bazuar në deklaratat e fundit të presidentit Tadiq i cili tha se është i gatshëm për të takuar Hashim Thaçin pavarësisht akuzave, sepse përderisa nuk dëshmohen ato ai nuk ka asnjë arsye për të mos e takuar Thaçin. Në anën tjetër Hashim Thaçi, shumë shpejt pas kësaj, u përgjigj duke thënë se ai është gjithashtu i gatshëm për të takuar Tadiqin nën organizimin e BE-së. Nëse kjo është e vërtetë atëherë kemi manifestim të vullnetit të mirë dhe pozitiv nga të dyja palët dhe takimi ndërmjet presidentit dhe kryeministrit mund të jetë një kontribut i madh për të filluar dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

BBC

KOMENTE