English

Kapet i dënuari me 7 vite burg, po ikte drejt Greqisë

Gjirokastër, 21 dhjetor, NOA – Forcat e policisë së Gjirokastrës kanë kapur dhe ndaluar një person të dënuar me 7 vjet burg nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “Trafik të lëndëve narkotike”.

Lajmi konfirmohet prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, duke pohuar se aksioni për kapjen e tij u bë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se në drejtim të Gjirokastrës po udhëtonte një shtetas i dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Konkretisht, mësohet se ai është 26-vjeçari Hajri Buçi, lindur në Lurë dhe banues në Durrës.

Kapja e tij u bë për arsye se ai ishte i shpallur në kërkim, pasi në vitin 2007, së bashku me dy persona të tjerë , me një automjet tip Tojota, po transportonin 212 kilogramë lëndë narkotike të llojit Marijuanë në drejtim të shtetit grek.

Policia e Gjirokastrës në vitin 2007, pasi kishte marrë informacion për këtë trafik të lëndës narkotike ka zhvilluar një operacion mbi qytetin e Libohovës të rrethit Gjirokastër, ku ka bërë të mundur sekuestrimin e automjetit, të lëndës narkotike dhe të drejtuesit të automjetit, ndërsa ky shtetas ka mundur të largohet.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE