English

Ministria e Mbrojtjes, surpriza për fëmijët në Shkodër

Stafi civil i Ministrisë së Mbrojtjes, solidarizohet me banorët e përmbytur në qytetin e Shkodrës. Imami: Le të jetë ky shembulli i parë për të dhënë një kontribut të kësaj natyre në këtë qytet që ka nevojë për solidaritet

Tiranë, 22 Dhjetor 2010 NOA – Fëmijët e zonave të përmbytura të qytetit të Shkodrës kanë ndjerë sot atmosferën e gëzueshme festive në prag të festave të fundvitit. Ndonëse që prej tre javësh ata ndodhen në kushte të vështira jetese, për shkak të përmbytjeve që kanë përfshirë qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, ata nuk janë ‘braktisur’ nga qytetarët, të cilët e kanë ndier si obligim të solidarizohen në këto momente të vështira që po kalojnë banorët e veriut, duke i dhuruar atyre disa çaste kënaqësie dhe gëzimi.

Një grup përfaqësuesish civilë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë sensibilizuar në shenjë solidariteti, duke ofruar për këta fëmijë (kryesisht për fëmijët e moshave 1-14 vjeç) dhurata të ndryshme dhe artikuj veshmbathjeje, siç shihni edhe ne foto.

Banorët e zonave të përmbytura, të cilët qëndrojnë të evakuuar prej disa ditësh në një prej konvikteve të qytetit të Shkodrës, janë vizituar nga punonjësit civil të Ministrisë së Mbrojtjes. Ata kanë organizuar një aktivitet festiv me këngë e recitime për të kënaqur dhe përmbushur sadopak ëndrrat e tyre fëmijërore.

Natyrisht në këtë aktivitet të një rëndësie të veçantë, nuk kishte si të mungonte edhe ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami i cili u shpreh se jo vetëm Qeveria dhe strukturat e saj shtetërore, por edhe qytetarët e thjeshtë, e konkretisht punonjësit civilë të Ministrisë së Mbrojtjes jetojnë me këtë shqetësim që ka sot Shkodra dhe rrethinat e saj.

“Për t’i kënaqur këta fëmijë si dhe për t’u treguar atyre se çdo shqiptar bashkohet sot me ta, unë e prita me shumë kënaqësi këtë ftesë për të marrë pjesë në këtë aktivitet sa të vogël po aq edhe domethënës.

Solidariteti njerëzor është ajo vlerë e cila e bën dhe e lehtëson peshën e një vuajtjeje, e lehtëson peshën e një problemi apo të një fatkeqësie natyrore, siç është kjo e cila ne po kalojmë në ditët e sotme. Unë kam falënderimet më të mira për të gjithë përgatitjen, për të gjithë dashamirësinë, për të gjithë solidaritetin që Drejtoresha e Përgjithshme e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe stafi që ajo drejton, ka treguar për të organizuar këtë festë, për fëmijët shkodranë të cilët mesa duket nuk po arrijnë t’i festojnë festat e fundvitit në shtëpitë e tyre.

Duke e parë në këtë këndvështrim, atëherë përse jo të mos përpiqemi t’i dhurojmë kushte sa më të mira për ta ndierë sa më pak këtë peshë. Tek e fundit fëmijët nuk e dinë se ç’është përmbytja, ata nuk e dinë se sa janë metër kubët e ujit që bien, nuk i dinë milimetrat e shirave. Ata kanë gjithmonë nevojë për mbështetje, ata kanë gjithmonë nevojë për dashuri, ata kanë nevojë gjithmonë për vëmendjen tonë. Më lejoni që edhe pse ende nuk kanë filluar këto festa t’ju uroj përzemërsisht “Gëzuar!”, duke shpresuar që ky të jetë shëmbulli i parë për të dhënë një kontribut të kësaj natyre në këtë qytet që ka nevojë për solidaritet. Shkodra është një qytet i cili në të gjithë historinë tonë ka dëshmuar se i jep solidaritet të gjithë vendit. Le të japim edhe ne sot solidaritetin tonë për të”, përfundoi fjalën e tij ministri Imami.

Për të përshëndetur këtë akt njerëzor të kryer me solidaritet dhe dashuri nga punonjësit civil të Ministrisë së Mbrojtjes, fjalën e mori kryetari i Bashkisë së Shkodrës, z. Lorenc Luka, i cili ndër të tjera theksoi:

“Së pari do të doja të falënderoja ministrin Imami i cili me shpirtmadhësi ndodhet sot këtu, jo për të kryer shërbimet dhe kontributet e përditshme që ka dhënë në këtë periudhë, por me një shërbim tjetër, me një përkujdesje tjetër. Do doja të përgëzoja gjithashtu edhe punën e përkryer të ushtrisë e cila tregon me të vërtetë se ushtria po reformohet. Sot ata janë këtu për ne, me qëllim që në këtë prag festash t’ua zbusin sadopak ato kushte të mangëta që ju keni duke qenë se jeni larg banesave tuaja. Është e vështirë të presësh festat e fundvitit larg banesës tënde, por të jeni të bindur se përkujdesja e Qeverisë Shqiptare, përkujdesja e Bashkisë Shkodër do të jetë maksimale deri në stabilizimin e plotë të kësaj situate”.

Në emër të qarkut të Shkodrës dhe banorëve të saj, fjalën e mori Prefekti i këtij qarku, z. Maxhid Cungu i cili falënderoi në mënyrë të veçantë Ministrin e Mbrojtjes, z. Arben Imami, për angazhimin dhe kontributin mjaft të çmuar që po jep në menaxhimin e situatës emergjente të qarkut të Shkodrës.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se duke filluar që nga evakuimi i banorëve nga shtëpitë e tyre, furnizimi me mallra dhe produkte ushqimore, për ata që nuk ishin të prekur nga ujërat por që rrethoheshin prej tij dhe qarkullimi ishte i pamundur, e po kështu edhe në forcimin e argjinaturave në zonat e përmbytura ishte meritë e angazhimit dhe e punës së bërë në radhë të parë nga ministri Imami e më pas nga i gjithë stafi i Forcave të Armatosura. Ky kontribut i ofruar nga ministri i Mbrojtjes Imami dhe të gjitha strukturat e tjera që ai drejton është padyshim shprehje e një solidariteti njerëzor të cilin populli i Shkodrës nuk ka për ta harruar. Unë e falënderoj atë përzemërsisht në emër edhe të të gjithë qytetarëve të Shkodrës për këtë kontribut të çmuar që na ka dhënë në përballimin me sukses të këtyre momenteve të vështira”.

Ky nuk është kontributi i vetëm që strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, qoftë të pjesës civile apo edhe ato ushtarake ofrojnë për këta fëmijë, pasi ky sensibilizim dhe solidaritet do të vazhdoj edhe në ditët pasardhëse.

e.r/NOA

KOMENTE