English

Pacolli: Raporti i Marty, dëm i pariparueshëm për Kosovën

Lugano, (Zvicër), 22 dhjetor, NOA - Behxhet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re, thotë se raporti i Dick Marty-t i ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm Kosovës dhe se reagimi i Prishtinës ka qenë më shumë emocional se sa profesional.

Ai po ashtu thotë se nuk ka asgjë konkrete për sa i përket koalicionit me Hashim Thaçin, ndërkaq deklaratat e Mimoza Kusarit se AKR nuk hyn në koalicion me njerëz si Fatmir Limaj, i cilëson qëndrime personale të zonjës Kusari.

Në intervistën e zotit Pacolli për BBC-në, ai flet fillimisht për raportin e Dick Marty-t i cili është nga i njëjti qytet ku jeton edhe zoti Pacolli..

Dick Marty jeton vetëm 700 metra larg shtëpisë sime në Lugano dhe unë sapo kam ardhur këtu e kam parë se është një ambient krejtësisht tjetër këtu, kjo në raport me Kosovën. Shumë njerëz që unë i njoh e që jetojnë këtu, po na shikojnë disi me rezervë.

Mund të them se ky raport ka shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh. Për mua ky është një raport i shëmtuar i cili është bërë me pretendime të caktuara dhe me ndihmën e dikujt.

A keni pasur rast ta takonit përsonalisht Dick Marty-n?

Unë Dick Marty-n e njoh shumë mirë. E njoh që nga vitet 80-a. Ai në Zvicër, më së paku, njihet si një njëri kontraversial.

Më thoni si e vlerësoni reagimin e Prishtinës? Ka pasur vlerësime se ka qenë një reagim më shumë emocional se sa profesional.

Pajtohem me vlerësimin tuaj dhe e keni thënë shumë drejt. Ka pasur reagime emocionale dhe jo profesionale. Dihet që sot askush nuk lidhet me emocionet e askujt. Unë them se është dashur të kishte një reagim profesional dhe unik dhe jo secili të flasë sipas tekave të veta.

Dëmi është shkaktuar dhe ai është shumë i madh, sepse pala serbe këtë raport tashmë e ka përkthyer pothuaj në të gjitha gjuhët e mundshme dhe të njëjtin e ka shpërndarë në të gjitha vendet të cilat akoma nuk e kanë njohur Kosovën. Ka munguar zëri i Prishtinës, ose ky zë nuk ka ardhur me intonacionin dhe intensitetin e duhur. Unë them se Kosova duhet ta bëjë një strategji dhe t’i kundërvihet këtij raporti në mënyrë profesionale.

A mund të më flisni nëse ka ndryshuar sadopak perceptimi qytetarëve të zakonshëm të lagjes suaj atje në Lugano, kjo pas këtij raporti?

Më duket që secili që po e shoh po më shikon më një sy tjetër. Kjo nuk është për shkak të ndjenjës së fajësisë sime, por më duhet të them se tashmë është krijuar një realitet ku secili që takon, pas pak e hapë këtë temë dhe thotë se “ne nuk ju kemi njohur kështu”.

Unë po mundohem që me disa aktivitete me mediat e këtushme dhe me disa konferenca shtypi, duke thënë se Dick Marty ka publikuar gjëra të pavërtetuara dhe të pargumentuara, ta ndryshoj këtë përceptim. Por duket Dick Marty-t po i pëlqen të jetë para kamerave dhe gazetarëve dhe unë druaj se ai nuk do të ndalet edhe për kush e di sa kohë.

Zoti Pacolli Prishtina po flet se tashmë është afër një koalicion ndërmjet jush dhe Hashim Thaçit?

Unë prej kthimit tim në Kosovë e kam një problem. E kam një problem me shpirtin tim dhe me realitetin në Kosovë. Unë jam njeri konstruktiv dhe nuk i ik takimit me askënd. Në këtë kuadër e kam takuar edhe kryeministrin në dorëheqje Hashim Thaçin dhe jemi pajtuar, në parim, për mundësinë e një qeverie të koalicionit. Por asgjë më shumë. E kemi lënë të takohemi pas 9 janarit, por nuk kemi biseduar për ndarjen e qeverisjes e as që kemi pasur më shumë se sa një takim të zakonshëm që është realizuar në një vend publik.

Po ka pasur një deklaratë të zëvendëses suaj, zonjës Kusari, se partia juaj nuk do të hyjë në koalicion me njerëz siç është edhe Fatmir Limaj?

Është qëndrim yni që ne të kemi koalicion me njerëz me duar të pastra. Por ndaj zotit Limaj nuk është dëshmuar akoma asgjë dhe akoma nuk ka ndonjë vendim gjyqi. Kështu që deklarata e zonjës Kusari ku përmendet edhe emri i zotit Limaj, është qëndrim personal i saj dhe jo i partisë.

NOA/BCC

KOMENTE