English

Tatimet, gjobitje e konfiskime mallrash pa faturë e pullë akcize në disa qytete

Tiranë, 22 dhjetor, NOA – Në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal drejtoria e përgjithshme e tatimeve ka ndërmarrë një sërë aksionesh për monitorimin e tregjeve dhe akseve kryesore rrugore në disa qytete të vendit për tregtimin e mallrave gjatë festave të fundvitit ku u kapën biznese të caktuara që i shmangeshit detyrimit ligjor të faturave tatimore dhe tregtonin mallra pa pullën fiskale. Kjo drejtori bën të ditur se gjatë kontrolleve në rang vendi janë konfiskuar 14000 copë fishekzjarre, 830 litra vaj makine, 193 antifriza, 50 copë filtra ajri, 150 kg bojë plastike, 274 koli me artikuj të ndryshëm ushqimorë.

Në këtë kontekst Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve informoi se janë zhvilluar 530 kontrolle dhe janë konfiskuar në Tiranë në vlerën e 6.000.000 lekëve artikuj kancelarie, ushqimore dhe alkolike, ndërkohë që për bizneset në fjalë tatimorët kanë vënë gjoba akcize prej 500.000 lekësh për mosvendosje të pullave të akcize.

Gjithashtu drejtoria rajonale e Durrësit ka konfiskuar rreth 17 koli ose 8 700 paketa cigaresh Davidoff dhe Victory të pashoqeruara me faturë tatimore si dhe 54 koli lëngje frutash.

Në qytetin e Durrësit tatimorët mësohet se kanë konfiskuar 1080 paketa cigare pa faturë tatimore dhe 680 paketa pa pullë.

Tatimorët e Fierit kanë konfiskuar 28 tonë grurë i pashoqëruar me faturë tatimore si dhe një një bot me një ngarkesë prej 20 m3 nafte bruto, e cila ishte e pashoqëruar me faturë dhe dokumente të nevojshme.

Ndërkohë në bashkëpunim me Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit janë sekuestruar 1750 copë CD e DVD.

Drejtoria e tatimeve i ka bërë thirrje tatimpaguesve që gjatë tregtimit dhe lëvizjes së mallrave t’i kene ato të dokumentuara me fatura tatimore të rregullta ose fatura shoqërimi.

Ndërkohë sipas saj, tregtarët duhet të kenë të afishuar në mënyrë të qartë dhe të lehtë për t’u parë nga konsumatorët listën e çmimeve të produkteve që ata tregtojnë.

Administrata Tatimore bën me dije se monitorimet dhe kontrollet e befta do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Drejtoria e përgjithshme e tatimeve i ka bërë apel qytetareve dhe tatimpaguesve, që të denoncojnë çdo akt abuziv të punonjësve të Administratës Tatimore, përmes numrit falas të telefonit 0800 14 14.

mit/NOA
KOMENTE