English

KQZ mblidhet për hapjen e kutive dhe djegien e fletëvotimeve

Tiranë, 23 Dhjetor 2010 NOA Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për djegien e fletëvotimeve të 28 Qershorit 2009 do të zhvillohet më datë 29.12.2010, ditën e mërkurë, ora 11:00. fakti u konfirmua sonte nga zyra për shtyp e KQZ. Ajo tha se do të bëhet shqyrtimi i projekt-vendimit: “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009”.

Materialet e mbledhjes, u janë vënë në dispozicion nga sekretaria e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe më poshtë ju gjeni edhe projektvendimin e plotë.

Gjithashtu gjeni edhe relacionin e plotë për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009.

PROJEKT V E N D I M

PËR HAPJEN E KUTIVE TË VOTIMIT DHE KUTIVE TË MATERIALEVE ZGJEDHORE TË PËRDORURA NË ZGJEDHJET PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË, TË DATËS 28 QERSHOR 2009

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e datës_________, me pjesëmarrjen e:

Arben RISTANI- Kryetar

Dëshira SUBASHI- Zv.Kryetare

Artan LAZAJ- Anëtar

Hysen OSMANAJ- Anëtar

Klement ZGURI- Anëtar

Pandeli VARFI- Anëtar

Vera SHTJEFNI- Anëtar

Shqyrtoi çështjen me:OBJEKT: Hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 Qershor 2009.
BAZA LIGJORE: Neni 21, pika 1, dhe neni 178, pika 6, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“,

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur si dhe dëgjoi diskutimet e të pranishmëve;

V Ë R E N

Pas përfundimit të procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë të datës 28 Qershor 2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me Vendim nr. 602, datë 01.08.2009, shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Duke qenë se, afatet për ankimimet për këto zgjedhje kanë përfunduar, duhet të realizohet hapja e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, si dhe seleksionimi i dokumentacionit dhe materialit zgjedhor të gjetur brenda tyre, si detyrim ligjor, në përputhje me përcaktimet e nenit 178 të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, paragrafi 1 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Presidenti i Republikës ka caktuar datën 8 Maj 2011 për zhvillimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore (Nr. Dekretit 6668, datë, 06.09.2010). Në mbështje të këtij dekreti, Institucionit të KQZ-së i lind detyrimi i përgatitjes së projektbuxhetit dhe infrastruktuës për realizimin e këtyre zgjedhjeve.

Projektbuxheti për zgjedhjet bazohen në materialet zgjedhore që do të përdoren për zgjedhjet e ardhshme vendore. Për këtë arsye, administrata e KQZ-së e ka të domosdoshme të fillojë menjëherë procesin e evidentimit të sasisë dhe gjendjes së materialeve ekzistuese për të parashikuar llojet, sasinë dhe buxhetin që do kërkohet për zgjedhjet e ardhshme. Aktualisht I vetmi material zgjedhor që KQZ mund të parashikojë si gjendje dhe të ripërdorshme është kutia e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore që janë përdorur në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Megjithatë, edhe për këto materiale, KQZ duhet të bëjë një vlerësim të shpejtë të gjerndjes së tyre fizike, për të përcaktuar nëse do jetë e nevojshme për të parashikuar sasi shtesë të tyre.

Për më tepër, KQZ ndodhet në kushtet e fillimit të procedurave për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 Maj 2011, proces që paraprakisht do të kërkojë sigurimin në gjendjen fillestare të kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore minimalisht 3 muaj para datës së gjedhjeve.
Është parashikuar që procesi i hapjes së kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe zbatimit të procedurave të përcaktuara në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, të realizohet brenda një afati 60 ditor, që nga moment i marrjes së vendimit nga KQZ.
Duke u bazuar në gjithë arsyetimin e mësipërm, konkludojmë se përgatitja e kutive të votimit për zgjedhjet e ardhshme, duke u bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 6668, datë 06.09.2010 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” eshte ne kushtet e emergjencës. Për këtë arsye, është i domosdoshëm fillimi i menjëhershëm i procesit të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009.

Ky vendim ka efekte financiare më të mëdha nga se mund të parashikohej në kushte normale, të cilat nuk mund të përballohen nga buxheti i institucionit, prandaj KQZ do të kërkojë nga Këshilli i Ministrave akordimin e një fondi shtesë për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor.

PËR KËTO ARSYE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bazuar në nenin 21, pika 1, dhe neni 178, pika 6, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“

V E N D O S I
Të hapë kutitë e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 Qershor 2009.

Hapja e kutive të votimit do të fillojë në datën __.__.2010 dhe do të përfundojë në datën __.__.2011

Miratimin e numrit dhe funksioneve të punonjësve si dhe strukturën e shpenzimeve buxhetore sipas Lidhjes 2 bashkëlidhur vendimit.

Hapja e kutive dhe administrimi i dokumentacionit zgjedhor dhe materialeve brenda kutive të votimit të bëhet sipas procedurës së mëposhteme.

Kryetari i KQZ-së me urdher të brendëshëm ngre komisionin për hapjen e kutive të votimit

Komisini për Hapjen e Kutive të Votimit do të jetë përgjegjës për seleksionimin dhe administrimin e dokumentacionit zgjedhor të parashikuar në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, i cili do ti dërgohet Arkivit Qendror të Shtetit, seleksionimin e materialeve që mund të ripërdoren si dhe për procesin e djegies së fletëve të votimit dhe kundërfletëve.

Në përfundim të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të një njësie zgjedhore, punonjësi që do të kryej këtë procedurë harton një procesverbal sipas Lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi

Në përfundim të procesit të hapjes së kutive të votimit, Komisioni për Hapjen e kutive të votimit harton një raport dhe ja paraqet KQZ-së.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

RELACION

Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë, të datës 28 qershor 2009.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë të datës 28 Qershor 2009, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me Vendim nr. 602, datë 01.08.2009, shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Duke qenë se, afatet për ankimimet për këto zgjedhje kanë përfunduar, duhet të realizohet hapja e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, si dhe seleksionimi i dokumentacionit dhe materialit zgjedhor të gjetur brenda tyre, si detyrim ligjor, në përputhje me përcaktimet e nenit 178 të Kodit Zgjedhor.

Gjithashtu, në mbështetje të nenit 92, shkronja “gj” dhe 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 10, paragrafi 1 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Presidenti i Republikës ka caktuar datën 8 Maj 2011 për zhvillimin e Zgjedhjeve për Organet e Qeverisjes Vendore (Nr. Dekretit 6668, datë, 06.09.2010). Në mbështje të këtij dekreti, Institucionit të KQZ-së i lind detyrimi i përgatitjes së projektbuxhetit dhe të procedurave të tjera ligjore për realizimin e këtyre zgjedhjeve.

Projektbuxheti për zgjedhet bazohet në materialet zgjedhore që do të përdoren për zgjedhjet e ardhshme vendore. Për këtë arsye, administrata e KQZ-së e ka të domosdoshme të fillojë menjëherë procesin e evidentimit të sasisë dhe gjendjes së materialeve ekzistuese për të parashikuar llojet, sasinë dhe buxhetin që do kërkohet për zgjedhjet e ardhshme. Aktualisht, administrata e KQZ-së ndodhet në kushtet kur kane kaluar të gjitha afatet kohore për të kryer një procedure normale të përllogaritjes së projekt-buxhetit që lidhen me materialet zgjedhore, pasi është e pamundur që të bazohet në materiale që mund të ripërdoren, të cilat ndodhen brenda kutive të materialeve zgjedhore. I vetmi material zgjedhor që KQZ mund të parashikojë si gjendje dhe të ripërdorshme është kutia e votimit dhe ajo e materialeve zgjedhore që janë përdorur në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009. Megjithatë, edhe për këto materiale, KQZ duhet të bëjë një vlerësim të shpejtë të gjendjes së tyre fizike, për të përcaktuar nëse do jetë e nevojshme për të parashikuar sasi shtesë të tyre.

Për më tepër, KQZ ndodhet në kushtet e fillimit të procedurave për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 8 Maj 2011, proces që paraprakisht do të kërkojë sigurimin në gjendjen fillestare të kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore minimalisht 3 muaj para datës së zgjedhjeve.

Duke u bazuar në gjithë arsyetimin e mësipërm, konkludojmë se përgatitja e kutive të votimit për zgjedhjet e ardhshme, duke u bazuar në Dekretin e Presidentit nr. 6668, datë 06.09.2010 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” eshte ne kushtet e emergjencës. Për këtë arsye, është i domosdoshëm fillimi i menjëhershëm i procesit të hapjes së kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore të përdorura në zgjedhjet e datës 28 Qershor 2009.

Është parashikuar që procesi i hapjes së kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore, si dhe zbatimit të procedurave të përcaktuara në nenin 178, pika 6 të Kodit Zgjedhor, të realizohet brenda një afati 60 ditor, që nga moment i marrjes së vendimit nga KQZ.

Ky vendim ka efekte financiare më të mëdha nga se mund të parashikohej në kushte normale, të cilat nuk mund të përballohen nga buxheti i institucionit, prandaj KQZ do të kërkojë nga Këshilli i Ministrave akordimin e një fondi shtesë për përmbushjen e këtij detyrimi ligjor.

Më konkretisht, në shpenzimet, të cilat në zëra analitikë janë të përcaktuara në tabelën bashkëlidhur këtij relacioni, janë parashikuar shpenzime për:

I. Personel

Është parashikuar që të dyfishohet numri i personelit (supervizore dhe punëtorë) që do merrej në kushte normale të kryerjes së këtij proçesi, pasi nuk kemi të njëjtën kohë në Për këto arsye janë parashikuar shpenzimet që do të kryhen për pagat e 40 punëtorëve për një periudhe 60 ditore.

Proceset e punës që do të kryejnë puntorët përfshijnë:

a). Hapjen e kutive të votimit, seleksionimin e bazës materiale, pastrimin nga etiketat dhe fletë të ndryshme të ngjitura në të gjitha kutitë, si dhe larjen e tyre.

b). Seleksionimin dhe evidentimin e materialeve që mund të ripërdoren si tamponat e vulave, vizore, stilolapsa, makinë llogaritese, etj.

c). Seleksionimin e vulave dhe asgjesimin i pjesës plastike nga tamponi, i cili mund të përdoret për prodhimin e vulave të reja në proçese të tjera zgjedhore.

e). Ngarkimin, shkarkimin dhe asgjesimin e fletëve të votimit, procesverbaleve të të gjitha llojeve, kuti kartoni, amballazhi dhe dhoma të fshehtësisë të dëmtuara, etj.

f). Përgatitja dhe rikthimi i kutive në gjendjen fillestare.

Specialistë

Duke patur parasysh kushtet dhe afatet e shtrenguara kohore si dhe faktin që në këtë rast nuk mund të mbështetemi as nga stafi i KQZ-së, pasi administrate në këtë periudhë është e përfshirë me ngarkesë të plotë në procesin zgjedhor, janë parashikuar që të punësohen 8 (tetë) supervizorë për një periudhë 70 ditore. Diferenca prej 10 ditësh për supervizorët është parashikuar për trajnimin që do ju behet paraprakisht, si dhe për magazinimin e materialeve dhe arshivimin e dokumentacionit që do gjendet në kutitë e votimit dhe materialeve zgjedhore.

Parashikimi i materialeve të nevojshme

a) Është parashikuar lënda djegëse naftë dhe benzinë për transportin e fletëve të votimit dhe materialeve të tjera, si dhe djegia e fletëve të votimit. Sasia e përcaktuar është bazuar në satitë e konsumuara për këtë proces pune në zgjedhjet e mëparshme.

b) Është parashikuar nevoja për bazë materiale të nevojshme për rikthimin e kutive te votimit dhe atyre të materialeve zgjedhore në gjendjen fillestare.

Përgatiti:

Aljona Mansaku

Sekretare e Përgjithsme e KQZ-së

Erida Dobrushi

Drejtore e Drejtorisë së Shërbimeve dhe Logjistikës Zgjedhore

Dëshira Pasko

Drejtore e Drejtorisë Juridike

Mirela Gega

Drejtore e Drejtorisë së Financës

KOMENTE