English

Festat, policia rrit masat e sigurisë, gjoba për drejtuesit e mjeteve, kujdes për fishekzjarrët

Tiranë, 24 dhjetor, NOA – Policia e Tiranës ka shtuar masat për të garantuar rendin gjatë festave të fundvitit.Janë të paktën pesë pika ato ku do të fokusohet plani i Policisë së Tiranës për festat.

E para ka të bëjë me sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës e në veçanti në Qendrat Tregtare, Bulevardet dhe Sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve.Pika e dytë ka të bëjë me rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e ngjarjeve aksidentale, në bashkëpunim me Njësinë Rajonale Policisë Rrugore.

Gjithashtu Policia e Tiranës njofton se do të punohet për parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale.

Një tjetër pikë ku do të jetë e fokusuar policia është dhe sigurimi i ambasadave, rezidencave, Objekte të Rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit.

Tjetër element i rëndësishëm është dhe bashkëpunimi me shërbimet e emergjencës si: ambulancat, zjarrëfiksit, etj.

Gjithashtu policia e Tiranës, ka planifikuar masa dhe do të ushtrojë kontrolle të plota ndaj të gjithëve drejtuesve të mjeteve, të cilët nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit në rrugor, ecin me shpejtësi tej normave të lejuara apo drejtojnë automjetin nën efektin e pijeve alkolike.

“Këto kontrolle do të ushtohen kryesisht në orët e vona të natës dhe gjatë netëve që shoqërojnë festat e fundvitit, duke ngritur grupe kontrolli të organizuara në vende të ndryshme, si në qytet ashtu dhe në linja” sqaron policia e Tiranës.

Drejtuesit e Policisë kanë deklaruar se, duke u nisur nga përvoja dhe analiza e viteve të kaluara, kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të bëjnë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve.

“Njëherësh, theksojmë, gatishmërinë maksimale të shërbimeve policore, për të kaluar gëzueshëm festat e fund vitit, duke kërkuar bashkëpunimin e mirëkuptimin e qytetarëve për të mos shkaktuar incidente të mundshme. Ndërkohë, ajo vë në dispozicion numrat telefonik për të denoncuar çdo veprim të paligjshëm apo ngjarje aksidentale në numrat telefonik pa pagesë Nr. 129 dhe Nr. 126”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

a.k/NOA

KOMENTE