English

Shkodër, niveli i ujit gjithmomë e më shumë drejt rënies

Shkodër, 24 dhjetor, NOA - Gjatë natës dhe ditës së sotme situata përsa i përket nivelit të ujërave ka pësuar rënie me atë të një ditë më parë.

Kështu raporton Shtabi i emergjencave Civile lidhur me situatën më të fundit të përmbytjeve në Shkodër.

Sipas tij, vazhdojnë të jenë në prezencë uji pjesërisht zonat e lagjen Bahçallëk, Livadeve dhe lagjia Kiras.

Ndërkaq, raportohet se situata është e njëllojtë me situatën para reshjeve të këtyre dy ditëve, teksa në Livade dhe Kiras gjenden rreth 150 banesa të rrethuara nga uji dhe rreth 50 të përmbytura.

Edhe te Komuna Ana-Malit, situata është përmirësuar, gjatë ditës së sotme ka patur rënie të nivelit të ujit me rreth 20 cm.

Vazhdon të jetë nën prezencë uji fshati Obot, me rreth 130 banesa.

Ndërkaq, aksi rrugor Shkodër-Muriqan është i kalueshëm nga të gjitha llojet e automjeteve.

Në fund, te Komuna Bushat Niveli i ujit është pothuajse i njëjtë si ai i dites se djeshme. Janë të kalueshme me të gjitha llojet e automjeteve rrugët lidhëse të Bushatit, ndërsa rruga Mali i Jushit-Bend-Ura e Gjonlulit-Velipojë kalohet vetëm me mjete te larta, foristrada dhe automjete ushtrie. Janë shpërndarë për banorët e fshatratve të përmbytur batanije, dyshekë, çarçafë, ushqime, ujë i pijshëm dhe bar i thatë për bagëti.

Komuna Bërdicë

Situata është përmirësuar ndjeshëm, niveli i ujit ka pësuar rënie, ku nga 30 banesa që kanë qënë nën prezencën e ujit, aktualisht janë vetëm 5-6 banesa. Akset rrugore nuk paraqesin probleme, janë të kalueshme nga të gjitha llojet e automjeteve.

Për të shkuar në Dajç kalohet me automjete të larta, furgonë dhe Ifa.

Rruga që lidh fshatrat e komunës Berdicë me Velipojen jane te bllokuara nga niveli i larte i ujit ne fshatin Trush i Poshtëm.

Për të shkuar nga Shkodra në Velipojë kalohet nga Bushati - Bendi i Malit te Jushit – Ura e Gjonlulit-Velipojë.

Gjatë ditës së sotme janë shpërndarë disa ndihma ushqimore.

Në Komunën Dajç niveli i ujit ka rënë me rreth 25 cm. Akset që lidhin komunën e Dajçit me fshatrat e kësaj komune janë të kalueshme me mjete të larta, furgonë, foristrada dhe automjete ushtrie.

Gjithashtu është e kalueshme me automjete të larta edhe rruga nga komuna Dajç-rruga e Velipojës.

Janë shpërndarë ndihma, uji i pijshëm dhe 1 maune ,e koncentrat për bagëti.

Komuna Guri i Zi

Situata në këtë komunë aktualisht është normale. Janë shpërndarë për banorët e dy fshatrave të përmbytur 160 pako me ndihma ushqimore dhe rroba.

Kurse në fshatrat e komunës Velipojë nuk ka asnjë banesë të përmbytur, por ka prezencë uji përreth banesave.

n.e/NOA

KOMENTE