English

PS: Qeveria neglizhon, banorët e komunave Macukull e Derjan në Mat të izoluara pas shembjes së rrugës

Mat, 26 dhjetor, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste për Dibrën, Qemal Minxhozi ka vizituar sot nga afër banorët e komunave Macukull e Derjan në rrethin e Matit, të cilat kanë mbetur të izoluara që në fillim të muajit dhjetor si pasojë e shembjes së një segmenti rrugor në afërsi të fshatit Dukagjin, që duket se ka sjellë për pasojë edhe pengimin e lëvizjes së automjeteve dhe transportin e mallrave apo ambulancave në këtë zonë, por duke lënë edhe pa strehë shumë banorë. Duke iu referuar faktit se banorët e gjashtë fshatrave të Matit janë të detyruar të lëvizin në këmbë pas shembjes së rrugës, deputeti socialist i Qarkut të Dibrës, Qemal Minxhozi ka kritikuar neglizhencën e treguar nga shteti ndaj banorëve të këtyre fshatrave.

Sipas Minxhozit është e pafalshme që kjo zonë është ende e izoluar, duke i bërë thirrje qeverisë të ndërhyjë, pasi në të kundërt do të përballet me revoltën e banorëve.

Minxhozi theksoi se janë vetëm 50 metra rrugë e dëmtuar rëndë që mund të riparohen në kushtet e emergjencës që banorët e gjashtë fshatrave të mund të kalojnë përditë.

“Është e pafalshme që prej tre javësh nuk ndërhyhet me mjete emergjente për ta riparuar sadopak që njerëzit të ecin me vështirësi, por të mund të kalojnë”, tha Minxhozi.

Deputeti Minxhozi apelon se megjithë afrimin e festave të fundvitit dhe nevojën për të frekuentuar tregjet e qytetit banorët e Urxallës, Dukagjinit, Gjocajve, Lamit të Madh, Zallë Gjocajve e Macukullit nuk kanë mundësi të sigurojnë mallrat që ju duhen për të mbushur tryezat e tyre për të festuar.

Ndërkohë bëri me dije deputeti socialist edhe kryetarët e komunave kanë kërkuar ndërhyrjen me mjete të ushtrisë, por një gjë e tillë ende nuk po realizohet.

Sipas tij drejtues të këshillit të qarkut Dibër, të cilët menaxhojnë rrugët rurale janë shprehur se kërkohen fonde të mëdha për hapjen e rrugës, ndërkohë që distanca e bllokuar është e shkurtër.

Vetë banorët e shtëpive të shembura thanë se nuk janë ndihmuar nga strukturat shtetërore duke informuar se jetojnë ditë të vështira pa patur mbi krye një strehë të vetën.

mit/NOA
KOMENTE