Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Presidenti Topi: Politikanët të dorëzojnë imunitetin që të luftohet korrupsioni
English

Presidenti Topi: Politikanët të dorëzojnë imunitetin që të luftohet korrupsioni

Tiranë, 29 dhjetor, NOA – “Do ta karakterizoja vitin 2010 si një vit mjaft intensiv, qoftë për institucionet shqiptare, qoftë për shoqërinë shqiptare. Dhe në fund të vitit e në prag të festave të Vitit të Ri, besoj që njeriu është i predispozuar që të shkojë tek elementët më pozitivë”.

Kështu ka deklaruar presidenti Bamir topi në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, duke shtuar se “2011-ta duhet patjetër që të na orientojë në korrigjimin e disa momenteve të cilat nuk kanë qenë të këndshme për shqiptarët. Në radhë të parë, mendja të shkon menjëherë tek dialogu politik, që edhe në fund të këtij viti është i mbarsur me dyshime”.


Zoti President! Në fund të vitit është e zakonshme që udhëheqësit kryesorë të shtetit të japin një vlerësim për vitin që sapo kaloi. Viti 2010 ka qenë një vit shumë intensiv për popullin shqiptar, për diplomacinë ndërkombëtare, për vizat apo raportin e Bashkimit Evropian, por edhe qytetarët kanë patur shumë vuajtje të natyrës ekonomike. Janari filloi me një përmbytje, në dhjetor përsëri kemi një përmbytje. Cilat ngjarje të tjera do të vlerësoni ju në këtë hark kohor të këtij viti?

Vërtet, kur bën bilancin në fund të vitit, institucionet dhe njeriu i thjeshtë e ka ndoshta të vështirë të rreshtojë sipas rëndësisë, cilat kanë qenë eventet më të rëndësishme. Por do ta karakterizoja vitin 2010 si një vit mjaft intensiv, qoftë për institucionet shqiptare, qoftë për shoqërinë shqiptare. Dhe në fund të vitit e në prag të festave të Vitit të Ri, besoj që njeriu është i predispozuar që të shkojë tek elementët më pozitivë. Por, me cilësinë e Kryetarit të Shtetit, padyshim nuk mund t’i shmangem pyetjes suaj për të trajtuar edhe ato elementë, të cilët e kanë shoqëruar në mënyrë shqetësuese shoqërinë shqiptare. Pra, do ta karakterizoja si një vit përgjithësisht pozitiv për Shqipërinë, dhe besoj ngjarja më e shënuar është ajo që ka të bëjë me jetën e çdo qytetari, dhe padyshim është ngjarja që lidhet me lëvizjen e lirë të shqiptarëve, që tashmë është bërë realitet. Unë e kam thënë dhe diku tjetër, por besoj që do të jetë pjesë e mesazhit të urimit për Vitin e Ri, që kjo ngjarje do të shënohet pa diskutim me germa të arta në historinë moderne të shtetit shqiptar. Patjetër edhe rruga që kanë ndjekur të gjitha institucionet, përsa i përket sfidës më kryesore që ka të bëjë me integrimin evropian, ka qenë një nga drejtimet kryesore të politikave të shtetit shqiptar. Patjetër që sfidat e përditshme janë ato që kanë të bëjnë me legjislacionin, që ka të bëjë kryesisht me Institucionin e Parlamentit, por nuk mund të lë jashtë kësaj marrëdhënieje kushtetuese dhe Institucionin e Presidentit, i cili i jep jetë në mënyrë definitive një ligji nëpërmjet dekretit të tij, por patjetër, edhe mjaft ngjarje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të gjithësecilit, qoftë ky i angazhuar në jetën e institucioneve, qoftë në jetën private, qoftë në jetën e biznesit, në investimet që ai ndërmerr gjatë një viti, bashkë me sukseset, por ndoshta dhe me dështimet.

Zoti President! Krahas heqjes së vizave tremujore për shqiptarët, pati edhe një opinion të Komisionit Evropian, që e shtyu kandidimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Cila është pritshmëria për vitin 2011 në kontekstin e zgjedhjeve vendore që po afrohen, por edhe rreth zhvillimeve ekonomike dhe standardeve të tjera që ka kërkuar Evropa për Shqipërinë?

Ne të gjithë e kemi konsideruar vlerësimin e Komisionit Evropian, si një vlerësim objektiv, realist, çka do të thotë që jemi të gëzuar për atë që kemi arritur, por natyrisht jemi shumë të angazhuar për të realizuar ato që duhet të arrijmë, qoftë në performancën institucionale që ka të bëjë me institucionet e të gjithë shtetit shqiptar, por edhe me rritjen e nivelit të demokracisë. Dhe besoj është një sfidë e përditshme. Është një sfidë e përditshme, por në vazhdim, sepse për demokracinë luftojnë ende edhe vende, të cilat ne i kemi si pikë referimi. Unë mendoj që viti 2010 sigurisht që pati, sikurse thashë përvec arritjeve, edhe disa probleme. Kështu që 2011-ta duhet patjetër që të na orientojë në korrigjimin e disa momenteve të cilat nuk kanë qenë të këndshme për shqiptarët. Në radhë të parë, mendja të shkon menjëherë tek dialogu politik, që edhe në fund të këtij viti është i mbarsur me dyshime. Unë uroj, pa dashur t’i paraprij atij momenti që ka të bëjë me akordin midis partive politike në Parlament, por gjithmonë me mesazhet që gjithnjë kam dhënë, që komunikimi, dialogu, është jo vetëm virtyt i njerëzve të qytetëruar, por është edhe një element modern i një klase politike moderne! Dhe unë besoj që çdo tentativë për të arritur dialogun, është e mirëpritur nga të gjithë shqiptarët. Dhe unë uroj që ky dialog të çojë patjetër në një bashkëpunim, sepse vetëm nëpërmjet bashkëpunimit vijnë zgjidhje të rëndësishme, nëpërmjet ndërtimit të një legjislacioni modern, nëpërmjet miratimit të ligjeve që janë të domosdoshme, të dyja palët, mazhorancën e opozitën, për t’u paraprirë shumë evenimenteve të tjera shumë të rëndësishme, që kanë të bëjnë me integrimin evropian për Shqipërinë dhe shqiptarët!

Zoti President! Dekreti juaj me datën e zgjedhjeve vendore ka dalë shumë herët, brenda afatit ligjor. Çfarë keni dashur t’i tregoni politikës me atë dekretim brenda afateve ligjore ndërkohë që vetë forcat politike po i shkelin të gjitha afatet ligjore: për reformën zgjedhore, KQZ-në po e pengojnë të përgatisë zgjedhjet? Si e parashikoni këtë pranverë të vitit 2011 ku forcat kryesore të politikës e shohin këtë garë si një sfidë politike dhe jo si një garë për pushtetin vendor?

Sigurisht, të gjitha angazhimet që kanë të bëjnë me Institucionin e Presidentit, ato që janë të përcaktuara si afate rigoroze, që kanë të bëjnë edhe me momentin e dekretimit të zgjedhjeve të pushtetit vendor, kanë qenë detyra parësore të detyrueshme për Presidentin. Asnjëherë nuk e kam paragjykuar vendosjen e një date të zgjedhjeve, lidhur me situatën politike, sepse klima politike përgjithësisht në vitet e tranzicionit kështu ka qenë në Shqipëri. Ka pasur gjithmonë debate, debate të ashpra, dhe ju jeni vetë dëshmitarë që mjaft rishikime të ligjit elektoral kanë ardhur gjithmonë në ditën e fundit të seancës së fundit parlamentare. Tani, së fundmi, kemi pasur një moment që, elementët që kanë të bëjnë me ligjin elektoral janë diskutuar në kohë. Uroj që, nëse do të ndryshojë, të ndryshojë në kohë. Dhe unë besoj që klima politike që u paraprin zgjedhjeve administrative vërtet po merr nota të forta politike. Është e pashmangshme që edhe zgjedhjet e pushtetit vendor të mos kenë nota politike, sepse diskutuam vizione politike për menaxhimin e pushtetit vendor, për administrimin e një pushteti që është më afër qytetarit, por edhe në një kohë kur, sipas Kartës së Autonomisë Lokale, pushteti vendor duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi supe, për t’i shërbyer në radhë të parë atij që është elementi thelbësor i kësaj marrëdhënieje midis pushtetit qendror, pushtetit vendor dhe qytetarit. Besoj që pushteti vendor është më afër qytetarit.

Zoti President! Më lejoni që ta ritheksoj në këtë pikë! Sipas opozitës duhet patjetër të hetohen zgjedhjet e kaluara parlamentare. Në rast se nuk ka hetim, sipas tyre, nuk do të ketë një reformë zgjedhore. Nëse nuk ka reformë zgjedhore, vihet në pikëpyetje pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet vendore. Si do ta komentoni apo si mund të ketë një rrugëdalje nga ky spiral, nga ky rreth vicioz parakushtesh politike?

Së pari, këto janë çështje që u takojnë ekskluzivisht partive politike, ndërsa nuk dëshiroj që të vendos asnjëherë në dyshim zgjedhjet e pushtetit vendor. Ato duhet të zhvillohen në kohë, partitë politike duhet të punojnë në kohë dhe besoj që janë në limitet e fundit kohore për të diskutuar për mënyrën se si do të shkohet në këto zgjedhje, me çfarë ligji do të shkohet, dhe për të krijuar klimën e nevojshme dhe infrastrukturën e nevojshme, që zgjedhjet e radhës, ato të pushtetit vendor të 8 majit të vitit 2011, të zhvillohen në kushte shumë korrekte. Po të kalojmë në mënyrë të vazhdueshme me debate të zgjatura, të cilat praktikisht të bëjnë që të kalojë koha dhe ti të qëndrosh në vend, atëherë do të jemi një ditë shumë afër zgjedhjeve të pushtetit vendor, dhe për këtë pastaj, do të jenë të papërgatitur mjaftueshëm qoftë partitë politike, qoftë dhe qytetarët. Kështu që, thirrja ime si President është që debatet politike kanë vlerë, - e kam thënë dhe vazhdoj ta them, - por pas debateve politike duhet menjëherë një akord, një produkt, në mënyrë që jo vetëm politika, por edhe institucionet e shtetit, edhe ata që janë të depolitizuar, por edhe qytetari i thjeshtë, të jenë të gatshëm për t’u motivuar, për të shkuar në zgjedhjet e pushtetit vendor, që tek e fundit, nuk është pushtet thjesht i partive politike dhe i përfaqësuesve të tyre, por është në radhë të parë, pushteti i qytetarit.

Zoti President! Dëshiroj të ndalemi në një pyetje për korrupsionin. Viti 2010 ka qenë spektakolar, ka qenë shumë i veçantë në politikën shqiptare, pasi dy partitë kryesore shkëmbyen një fushatë të jashtëzakonshme akuzash duke denoncuar dokumente respektive për korrupsion respektiv politikanësh, deputetësh apo ministrash dhe ish-ministrash respektivë. Ju drejtoni Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Si e perceptoni si President i Republikës dhe si Kryetar i KLD-së këtë fushatë të madhe ndër-partiake ndër-akuzash për korrupsion? Ku po na çon kjo rrugë?

Unë kam mbajtur një qëndrim konkret në funksion të kohës kur janë zhvilluar këto debate dhe kur këto debate kanë pasur pikun e tyre. Dhe qëndrimi im ka qenë që, gjithçka e hedhur në publik duhet patjetër të depozitohet në institucionet e shtetit të së drejtës, që do të thotë në Prokurori. Dhe pastaj ky institucion do të kalojë, nëse do ta shohë të nevojshme, do të kalojë në gjykatë një çështje të caktuar ose jo. Por në çdo rrethanë, klasa politike, politikanët të cilët përfaqësojnë partitë kryesore në Parlament, duhet patjetër që, me kurajo të shpalosin qëndrimet dhe faktet që kanë, por duhet të jenë shumë të kujdesshëm që të mos jenë abuzivistë, në sensin që duhet të hedhin në publik pikërisht atë që qëndron. Dhe natyrisht, etika e komunikimit është shumë e rëndësishme. Por mbi të gjitha vlen depozitimi i këtyre fakteve në Prokurori. Unë, duke u nisur nga këto ngjarje, kam bërë thirrjen e radhës që Prokuroria të jetë në kushte më komode, do të thoja, për të hetuar mbi politikanët. Duhet që të gjithë politikanët të dorëzojnë imunitetin e tyre, gjë që s’e kanë bërë. Ka pasur gjithmonë deklarime, deklarime, por praktikisht asgjë konkrete. Unë edhe njëherë shoh të arsyeshme që, në një vend të vogël sikurse është Shqipëria, ku praktikisht të gjithë e njohim shumë mirë njëri-tjetrin, duhet patjetër që të jemi të hapur dhe më shumë të jemi konkretë kur themi që duhet të dorëzojmë imunitetin. Imuniteti i dorëzuar nuk është lënie pa mburojë e një institucioni apo politikani, përkundrazi është vendosja në një pozicion të njëjtë me atë të qytetarit të thjeshtë që të ka dhënë votën, dhe për të bërë të mundur që institucionet, sikurse është Prokuroria, të hetojë në mënyrë të qetë, pa qenë nevoja pastaj për t’u futur në atë lojën e institucioneve, nëse duhet hequr imuniteti i një zyrtari të caktuar ose jo. Pra, gjërat t’i bëjmë më të thjeshta, t’i bëjmë më praktike, t’i bëjmë më ‘komode’, në mënyrë që gjërat të ecin në një terren më natyral.

Zoti President! Ju lutem edhe një pyetje të fundit në lidhje me diplomacinë. Në vitin 2010 Shqipëria ndryshoi Ministrin e Jashtëm, megjithatë politika e jashtme e Shqipërisë vazhdon të jetë konstante në raport me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me NATON-n dhe me rajonin. Cila do të ishte ajo risi e diplomacisë shqiptare për vitin 2011? Cili është komenti juaj pra për rrekjet diplomatike të Shqipërisë në rajon, në Ballkan, në Evropë dhe në raport me institucionet euro-atlantike?

Unë dëshiroj që ta veçoj në mënyrë shumë pozitive rolin e diplomacisë shqiptare, e cila vërtetë ka punuar në mënyrë konstante shumë intensive pa u lodhur dhe në linjën e diplomacisë, sigurisht që janë sinkronizuar shumë institucione, por do të thoja që rezultatet e kësaj diplomacie janë të dukshme, dhe jo ajo që thjesht na pëlqen ne të themi, por ajo që ne marrim nga partnerët tanë më të rëndësishëm, ku padyshim roli më i rëndësishëm është ai në rajonin tonë, ku Shqipëria vazhdon të luajë me shumë konstruktivitet rolin e saj moderator. Është rritur ndjeshëm dialogu politik në të gjitha vendet e rajonit. Viti 2011 do ta forcojë më shumë rolin e Shqipërisë dhe besoj që do të ketë kontakte politike, diplomatike, edhe me ato shtete me të cilat ne nuk kemi pasur marrëdhënie. Sepse ky është një këndvështrim, ky është një vizion, jo vetëm i yni, por dhe i partnerëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, që kërkojnë që të gjitha vendet e rajonit ballkanik, nëpërmjet komunikimit, jo vetëm të rrisin dialogun politik, por të shtojnë edhe bashkëpunimin ekonomik midis tyre, sepse të gjitha këto vende janë të projektuara për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Praktikisht kanë vetëm një kënd vështrimi, çështja është tek niveli i emancipimit të klasave politike. Unë besoj që klasa politike shqiptare në nivelin diplomatik vërtet është më e avancuar se sa ajo që ka të bëjë me rritjen e bashkëpunimit dhe vendosjes së bazave të komunikimit për të arritur në zgjidhje të rëndësishme dhe për brenda vendit. Natyrisht, ne kemi pasur rezultate konkrete, por në diplomaci kemi qenë shumë të sinkronizuar. Kjo, mesa duket ka të bëjë edhe me bashkëpunimin dhe me të njëjtat kënde vështrimi me ato të aleatëve tanë strategjikë, të cilët kanë bërë të mundur që Shqipëria të jetë më e dukshme dhe më e suksesshme në diplomaci.

VOA

KOMENTE