English

NOA – Agjencia Kombëtare e Lajmeve, ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2011!

Viti i Ri, programet në TV shqiptare

Festa, si ta mbani trupin në formë

Prejardhja e Vitit të Ri në Evropë

Moti, dita e parë e vitit nuk ka shi

Gjërat që duhet të bëni në orën 00.00

Tiranë, 1 janar 2011 NOA 00:00:16 – Janë sekondat e para të vitit të ri 2011. Stafi i Agjencisë Kombëtare të lajmeve NOA, bashkëpunëtorët dhe korrespondentët e saj dhe Bordi i Etikës i NOA, urojnë të gjithë shqiptarët, kudo ndodhen, në Shqipëri, viset shqiptare përtej kufirit dhe pjesën tjetër të botës, Gëzuar Vitin e Ri 2011!

NOA ju uron nxehtësisht shëndet dhe suksese në gjithçka të mirë që ju dëshironi për vitin që sapo hyri.

Në këtë kuadër, NOA bëhet pjesë jo vetëm e urimeve të sinqerta por dhe e përpjekjes për të qenë sa më pranë jush.

Këto ditë, NOA prezantohet me një faqe të re, ndërtuar posaçërisht për NOA.

Duke ruajtur me fanatizëm shërbimet aktuale dhe duke sjellë një pamje të re më atraktive, jemi përpjekur që tek NOA e re ju të gjeni shpejt dhe saktë, gjithçka ju duhet.

NOA e re, sikundër do ta shihni shumë shpejt, do të jetë një ndër faqet më të shpejta në Shqipëri dhe lundrimi i saj do të bëhet në kohë rekord nga faqja në faqe, nga lajmi në lajm.

Ndërkohë NOA e re do të vazhdojë të ruajë atë që ju e keni admiruar vazhdimisht, shpejtësinë dhe paanësinë në raportimin e lajmit.

Nga ana tjetër dëshirojmë të falënderojmë dhjetëra mijë lexues që çdo ditë qëndrojnë të lidhur me NOA, në Shqipëri dhe në të gjithë pjesën tjetër të botës.

Falënderojmë mediat shqiptare dhe të huaja që shfrytëzojnë NOA si burim informacioni dhe e citojnë atë, duke e bërë kështu NOA-n, të vetmen agjenci lajmesh shqiptare të referueshme nga mediat dhe institucione të tjera.

Falënderojmë gjithashtu edhe qindra e qindra faqe shqiptare që shfrytëzojnë prodhimet e NOA sepse informacioni për shqiptarët është shtrirë në dimensione të gjera duke shuar urinë për informim në çdo cep të botës.

Me NOA ne ndjehemi krenarë edhe për diçka tjetër të rëndësishme: Kemi arritur në këto katër vjet që kaluan, të vendosim standarde në median shqiptare online, duke u kujdesur për të ruajtur sa më të pastër gjuhën shqipe, që për hir të së vërtetës, në mediat online ka lënë dhe ende vazhdon të lërë për të dëshiruar.

Çdo ditë të vitit, 24 orë në 24, do të vazhdojmë t’ju sjellim edhe në këtë vit të pestë të transmetimit që sapo hymë, lajmet më të fundit, ashtu siç ndodhin, duke iu përmbajtur kështu sloganit që ju kemi ofruar “Mëso i pari, lajmin e fundit”.

Në këtë vit të pestë të transmetimit, NOA vjen edhe me disa shërbime të tjera, risi në median shqiptare, të cilat do t’i zbuloni gjatë muajve në vazhdim.

Duke ju siguruar se do të jemi gjithnjë pranë jush, ajo që mbetet t’ju themi, është: Qëndroni në çdo kohë, me NOA!

KOMENTE