English

Gafurr Adili: Ja dosja e kreut të BDI, Ali Ahmeti

Tiranë, 5 Janar 2010 NOA/Ervin Tirana - Kryetari i Frontit Demokratik për Bashkim Kombëtar (FDBK), Gafurr Adili, ka publikuar në Tiranë, përmes një konference për shtyp, një dokument që ai thotë se është pjesë e dosjes origjinale e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, të cilin e akuzon për bashkëpunim me UDB-në Jugosllave.

Në daljen për mediat Adili tha se ka zgjedhur ditën e stome që ta publikojë dokumentin, qëllimisht pasi përputhet me ditëlindjen e kreut të BDI-së. Dokumenti do t’i dorëzohet edhe Komisionit për Lustrim, raporton agjencia e lajmeve NOA.

“Publikuam dokumentin origjinal për zotin Ali Ahmeti, dhe masmediave të Tiranës u thashë se pikërisht sot zoti Ali Ahmeti e ka ditëlindjen e tij, të cilën e kuptuam përmes dokumentit origjinal në të cilin figuronte edhe pseudonimi Ibar”, - tha Adili.

Ai shtoi se “dokumenti iu dorëzua shokëve të mi që t’i dorëzohet komisionit për lustrim në Shkup”.

Sipas Adilit, në atë dokument janë të gjitha të dhënat, emri, mbiemri, pseudonimi është edhe ajo se ka shërbyer si vullnetar.

“Të gjitha të dhënat serbokroatisht, në fund është e vulosur me vulë origjinale, është edhe firma e personit zyrtar të UDB-së jugosllave, emri nuk duket nga vula sipër por duket mbiemri Nikoliq. Kërkova nga zoti Ali Ahmeti që të tërhiqet nga skena politike, sepse e ka degraduar çështjen shqiptare aq shumë, sa askush tjetër”, tha Gafurr Adili, kryetar i FDBK-së.

“Kështu që na ka detyruar që pikërisht në ditëlindjen e tij, t’ia publikonim dokumentin origjinal dhe masmedias të Tiranës”, - tha Adili duke theksuar se këto dokumente janë dorëzuar Komisionit për lustrim por nuk janë marrë në konsideratë sepse kanë qenë fotokopje.

“Tani ky dokument do t’i dorëzohet Komisionit të lustrimit, pavarësisht se kemi bindjen se Komisioni për lustrim është në diktatin politik të Gruevskit dhe zotit Ahmeti, por do të dëshirojmë t’ia dokumentojmë se dosja është origjinale. Arben Zeqiri”, - përfundoi Adili.

e.r/NOA

KOMENTE