English

Ristani: Fletëvotimet po i djegim, jemi të vonuar

Tiranë, 5 Janar 2011 - Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani thotë se fletët e votimit të zgjedhjeve të përgjithshme do të asgjësohen duke filluar nga 10 janari. Ristani tha sot se KQZ i dha partive kohën e mjaftueshme të gjenin një kompromis mbi hetimin e tyre, por ato nuk gjetën dot mirëkuptimin. Tani afatet për organizimin e zgjedhjeve vendore janë ngushtuar mjaft - tha zoti Ristani - dhe për KQZ është detyrim ligjor pastrimi i kutive të votimit dhe organizimi i zgjedhjeve të 8 majit. Ai u bëri thirrje partive politike që të bashkëpunojnë ngushtë me KQZ për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

{youtube}yCsGBBdkb9c{/youtube}

Sapo ka hyrë janari dhe pas katër muajsh mbahen zgjedhjet e pushtetit vendor. Në ç’fazë janë aktualisht përgatitjet e këtyre zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve?

Me daljen e dekretit të Presidentit në shtator të vitit të kaluar menjëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi punën për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Konflikti politik lidhur me kutitë e votimit na detyroi t’i shtyjmë disa nga fazat e përgatitjeve, dhe e kemi goxha të ngjeshur kohën si pasojë e këtij konflikti. Megjithatë, jemi duke mbaruar buxhetin, mbasi u mor edhe vendimi për pastrimin e kutive të votimit që ishte një hallkë e domosdoshme në përgatitjen e buxhetit. Besojmë se nga data 10 janar ne do ta mbyllim këtë fazë dhe pastaj do të vazhdojmë hapat me radhë, sipas një grafiku pune, i cili është miratuar më përpara për përgatitjen e zgjedhjeve. Me daljen e buxhetit do të fillojnë tenderimet për të krijuar infrastrukturën e zgjedhjeve dhe ngritja e komisioneve, sipas afateve që ka përcaktuar një mbledhje e mëparshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Si rrallë ndonjëherë mbledhja e fundit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte mjaft e tensionuar. Pikërisht mbledhja ku morët një vendim për të asgjësuar apo pastruar kutitë e votimit në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme. Cili është komenti juaj për një pjesë të anëtarëve, të cilët e braktisën mbledhjen?

Mbledhja ishte tërësisht teknike e ligjore, një mbledhje rutinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por që nuk i shpëtoi dot reflektimit të konfliktit politik edhe në K.Q.Z. Duhet të theksoj që ne anëtarët e Komisionit vërtet jemi propozuar dhe zgjedhur nga politika, por jemi zgjedhur nga radhët e profesionistëve të pavarur. Asnjëri nga ne nuk ka lidhje direkte me politikën me përjashtim të propozimit që politika bëri, dhe ligjërisht duhet të reflektojmë paanësinë dhe ndershmërinë në punën tonë. Ajo që ndodhi herën e fundit në mbledhjen e Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për mendimin tim, ishte reflektim i konfliktit politik. Megjithatë, argumenti i dy anëtarëve të K.Q.Z-së të cilët u larguan nga mbledhja ishte i pabazuar në ligj. Gjatë gjithë fjalës së tyre ata nuk iu referuan argumenteve ligjore, gjë që, për mua, është njëanshmëri politike. Po kështu, edhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste pranë K.Q.Z.-së, edhe pse kërkoi dorëheqjen time si kryetar, përsëri argumenti nuk ishte ligjor, por ishte argument politik. Jemi në një institucion që duhet të veprojë vetëm në bazë të ligjit dhe me paanshmëri politike. Për sa kohë argumentet të jenë vetëm politike, unë besoj që nuk i shërbejnë K.Q.Z.-së. Në punën tonë duhet t’i referohemi ligjit.

Ju jeni shprehur se i dhatë kohë politikës për të gjetur kompromis mbi hetimet, duke e shtyrë disa herë vendimin për asgjësimin e e fletëve të votimit…

Po. Dhe kjo ishte pasoja që pati K.Q.Z.-ja në tërë këtë histori. Besoj kam qenë konseguent në qëndrimin tim në mënyrë të vazhdueshme qyshkur mbaruam zgjedhjet e kaluara. Kam deklaruar që fundi i fletëve të votimit do të jetë ai që përcakton ligji, pra ato do të digjen. E shtymë këtë vendimmarrje pas daljes së dekretit të presidentit dhe, ashtu siç e kishim paralajmëruar, menjëherë mbasi doli dekreti i presidentit njoftuam një mbledhje të K.Q.Z.-së për të pastruar kutitë. Politika na kërkoi që ta shtynim këtë vendimmarrje në mënyrë që t’u jepnim atyre kohë të gjenin një konsensus. Unë votova kundër në atë mbledhje, sepse nuk ishte ligjore e gjitha. Duhej patjetër që ne të mbaronim punë dhe të mos vendoseshim në vështirësi të tilla, siç jemi, për shkak të kohës. Megjithatë jemi qytetarë të këtij vendi dhe nuk duhet ta përjashtojmë veten nga këto ndjeshmëri politike. Lamë kohën e mjaftueshme deri në përfundim të sesionit parlamentar, por parlamenti, siç dihet, u mblodh dhe nuk vendosi që ta ngrinte komisionin hetimor. Në këto kushte, konsideruam se politika i kishte dhënë fund këtij konflikti dhe s’na ngelej gjë tjetër, veçse të zbatonim ligjin dhe të ecnim përpara me përgatitjet e zgjedhjeve.

Sa do të ndikojë në punën e K.Q.Z.-së tensioni i mbledhjes së fundit? Si do të punoni për ta kthyer integritetin e komisionit, ku shumica e vendimeve është marrë me unanimitet dhe konsensus?

Ne si K.Q.Z. jemi munduar shumë që të ecim me konsensus dhe t’i marrim vendimet me sa më shumë vota të jetë e mundur, mundësisht me të shtatë votat e anëtarëve. Dhe kjo është reflektuar mjaft qartë në zgjedhjet e kaluara, kur pjesa dërrmuese e vendimeve (një përqindje shumë e vogël e tyre kanë qenë me shumicën e thjeshtë) ka marrë të gjitha votat e K.Q.Z.-së deri edhe për në vendimin përfundimtar për rezultatet e zgjedhjeve të kaluara. Por K.Q.Z.-ja nuk i shpëton dot reflektimeve politike. Ne i menaxhuam me këtë konsensus të gjerë zgjedhjet e kaluara, sepse edhe politika ishte në konsensus. Partitë politike miratuan me konsensus Kodin Zgjedhor, u zgjodhën me konsensus anëtarët e K.Q.Z.-së dhe politika punoi mirë në një masë të madhe në menaxhimin e zgjedhjeve të kaluara. Është fakt që menaxhimi i zgjedhjeve, për shkak të mënyrës se si është ndërtuar Kodi Zgjedhor, ka shumë vend për bashkëpunimin e partive. Në rast se ato nuk bashkëpunojnë, proçesi do të ketë ngërçe, pasi partitë politike janë aktorë shumë të rëndësishëm ligjorë në menaxhimin zgjedhor. Unë shpresoj shumë që të jenë të ndërgjegjshëm dhe ta kuptojnë këtë gjë, dhe të na ndihmojnë me konsensusin e tyre në menaxhimin e zgjedhjeve që presim. Në rast se konflikti politik do të vazhdojë të ekzistojë, besoj që kjo do të reflektojë dhe në punën tonë, por ne do mundohemi t’i rrimë strikt ligjit dhe t’i bëjmë me sukses zgjedhjet.

Për herë të parë gjatë 20 vjetëve të pluralizmit djegia apo asgjësimi i rëndomtë i fletëve të votimit del në qendër të vëmendjes të gjithë jetës politike të vendit. A mund të përshkruani se si do të bëhet kjo proçedurë dhe sa të shqetësuar jeni për efektet që kjo mund të ketë në jetën politike të Shqipërisë?

Ky nen, pra neni 178 i Kodit Zgjedhor, i cili parashikon veprimet që duhet të bëjë K.Q.Z. mbasi përfundojnë zgjedhjet, është një nen i cili ka qenë i tillë i pandryshuar qysh nga 2001 dhe në vazhdim. E që nga 2001 dhe në vazhdim është vepruar në të njëjtën mënyrë. Pra, fletët e votimit dhe kundërfletët janë asgjësuar me djegie, sepse kështu e parashikon ligji, ndërsa materialet e tjera kanë shkuar në Arkivin e Shtetit. Nga kjo pikëpamje, kjo proçedurë që ndjek K.Q.Z. është vërtet rutinë dhe shumë teknike, por për fat të keq u bë pjesë e debatit politik. Megjithatë, ne jemi të përqendruar vetëm tek menaxhimi i zgjedhjeve të ardhshme dhe nga kjo pikëpamje nuk na intereson më konflikti politik. Duam të zbatojmë detyrën tone, sepse për atë detyrë jemi ngarkuar dhe atë duhet ta bëjmë mirë për t’i dhënë shqiptarëve festën e tyre zgjedhore në nivelet e standarteve europiane. Për sa i përket teknikaliteteve, magazinat tona ndodhen në Lundër. Atje janë rreth 10 mijë kuti, të cilat janë të mbushura me fletët e votimit dhe me materialet e tjera zgjedhore. Kemi një grup relativisht të madh njerëzish të angazhuar që do të merren me pastrimin e tyre. Pastrimi ka pjesën intelektuale, ku dokumentacioni që do të dalë nga kutitë, do të futet nëpër dosje dhe do të bëhet gati për t’u dërguar në Arkivin e Shtetit, ndërsa fletët e votimit dhe kundërfletët grupohen. Ato shkojnë në një vend të caktuar për t’u shkatërruar, sepse si të thuash duhet të mendojmë edhe për ndotjen e ambjentit. Pra, shkojnë në një vend të planifikuar për këtë proces dhe merr fund historia. Marrë nga VOA

Fund

KOMENTE