English

Bashkia e Tiranës dhe kompanitë e grupit Çalik rindërtojnë sheshin “Ataturk”

Tiranë, 10 Janar 2011 NOA/ R.Bulku, Update - Bashkia e Tiranës së bashku me kompanitë Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT i dhurojnë Tiranës një shesh modern dhe të gjelbëruar. Sot ka përfunduar rehabilitimi i sheshit “Ataturk” (ish-21 Dhjetori) me mbështetjen e kompanive Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT.

Bashkia e Tiranës tha zyrtarisht se në bashkëpunim me kompanitë e grupit Çalik në Shqipëri u ka dhënë fund punimeve për gjelbërimin dhe rikualifikimin urban të sheshit “Ataturk”.

Të pranishëm në ceremoninë e përurimit siç shihni dhe në foto, ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edi Rama, Presidenti i Çalik Holding për Evropën Juglindore z. Orhan Coskun, drejtorët e përgjithshëm të Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT, përkatësisht z. Ali Taskin, z. Sevket Acar, z. Seyhan Pencapligil, si dhe Zëvendësambasadorja e Republikës së Turqisë në Tiranë, znj. Asli Umar.

Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rama ka shprehur falënderimin për kompanitë e grupit Çalik: Eagle Mobile, Albtelecom dhe BKT për mbështetjen që u kanë dhënë projekteve të ndryshme të bashkisë dhe në veçanti rehabilitimit të këtij sheshi.

“Ky shesh i standardeve evropiane do të shërbejë më së miri për qytetarët e Tiranës, banorët e kësaj zone si dhe këmbësorët, ”- shtoi Rama.

Në emër të Ambasadës së Republikës së Turqisë, znj. Umar ka falënderuar Bashkinë e Tiranës si për emrin që i kanë vendosur këtij sheshi, ashtu dhe për përkujdesjen që i ka kushtuar rikualifikimit dhe gjelbërimit të sheshit “Ataturk” që dikur njihej me emrin “21 Dhjetori”.

Tre kompanitë e grupit Çalik në Shqipëri kanë kontribuar me projekte të ndryshme sociale në kryeqytet dhe rrethe të tjera të vendit, ku mund të përmendet ndihma prej 200.000 euro për banorët e prekur nga përmbytjet e Shkodrës dhe Lezhës.

Eagle Mobile ka bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës që prej vitit 2009, për sa i përket projektit për mbjelljen e pemëve, ndërtimin e parqeve të lodrave për fëmijë dhe rehabilitimin e sipërfaqeve të ndryshme në Tiranë.

Së fundmi, Bashkia e Tiranës i akordoi kompanisë Eagle Mobile çmimin “Personaliteti i Vitit 2010” për mbështetjen e dhënë në mbrojtjen e mjedisit në kryeqytet.

Eagle Mobile pritet të shpallë prioritetin e vitit 2011, ndërkohë që në vitin 2010 prioriteti i kompanisë ishte mbrojtja e mjedisit nën sloganin “Një me Natyrën”.

e.r/NOA

KOMENTE