English

Fratini: Opozita shqiptare të miratojë ligjet që duan 2/3 të votave

Romë, 10 janar, NOA – Parlamenti shqiptar funksionon dhe një gjë e tillë duhet të njihet edhe nga vendet e tjera evropiane, sepse ka perceptime jo të drejta dhe që nuk bazohen në realitet.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Franko Fratini, ia ka komunikuar homologut të tij shqiptar, Edmond Haxhinasto gjatë një takimi të përbshkët në Romë.

Ndër të tjera, ai shtoi edhe faktin se “angazhimi i opozitës duhet të jetë i pranishëm për ligjet që kërkojnë 2/3 e votave, ligje të cilat janë të rëndësishme për ecurinë e vetë vendit”.

Më tej, Fratini theksoi edhe faktin se çdo parti politike apo individ duhet që të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të mos bllokuar procesin e integrimit.

Ndër të tjera, marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, integrimi evropian i Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon, ishin në qendër të bisedimeve bilaterale mes diplomatëve të dy vendeve.

Nga ana e tij, ministri Haxhinasto falënderoi dhe vlerësoi rolin e Italisë, duke e vlerësuar atë si një partner strategjik të Shqipërisë.

Ai vlerësoi edhe kontributin e ministrit Fratini, si mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, në drejtim të liberalizimit të vizave dhe të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Deklarata e Përbashkët Politike për një Partneritet Strategjik, nënshkruar vitin e kaluar në Romë, nga të dy kryeministrat, u vlerësua si një instrument shumë i rëndësishëm politik. Në fund, ministrat Haxhinasto dhe Frattini, u angazhuan për të punuar bashkërisht për pasurimin e mëtejshëm e konkret të axhendës dypalëshe, për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat prioritare e me interes të ndërsjellë si: ekonomia, energjia, infrastruktura e transportit, e bujqësia.

n.e/NOA

KOMENTE