English

Gaztori i popullit

Ç’është ky gaztor që di veç të tallet me popullin e vet? Ky është ai i taksave më të ulëta në botë dhe i ekonomisë më vibrante në glob, që papritur broçkullis për ndjesa të kapitalit ndaj popullit për çmimet, ndërkohë që ky vetë, Saliu, kusari dhe gënjeshtari i ashtuquajtur kryeministër, duhet t’i kërkojë ndjesë popullit të vet që u ka lënë kompanitë të cilave u kërkon llogari një barrë fiskale të barabartë me atë të një mësuesi

Nga Edi Rama

Mbrëmë Shqipëria e tërë pa edhe me qartë që s’ka truk, s’ka montazh, s’ka asgjë tjetër përveç matrapazllëkut të pacipë, në shfaqjen me zë e me figurë, të qeverisjes së këtij vendi të kapur rob me zgjedhje të vjedhura.

80 mijë shqiptarët e shqiptaret, që kryetari, i ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim, u’a shiti votën për t’u bërë zëvendës i Saliut, panë mbrëmë në pak minuta, me zë e me figurë, jo se ç’gënjeshtër, po se ç’tallje e madhe, me hallet e me shpresat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve, ishte ai që u quajt paturpësisht për një vit e gjysmë rresht Koalicioni për Integrim.

Të gjithë qytetarët pa dallim, po shohin përmes një shembulli që i ngjan fotografisë ilustruese të një kapitulli të tërë dhe të gjatë historie, se çfarë i ka bashkuar dhe i mban të bashkuar në të vërtetë, kusarin e votave të 28 qershorit me matrapazin e votave të opozitës në 28 qershor.

Sot që alibia e trukut, montazhit, komplotit vizual,ka rënë njësoj siç ka rënë në sytë e shqiptarëve kjo qeveri, të cilën e mban në këmbë vetëm kryeneçësia e paturpësisë, Saliu duhet të dorëhiqet bashkë me zëvendësin e tij, përndryshe popullit të tallur deri në palcë, sidomos me mohimet banale të dy ditëve të fundit, i lind pavarësisht nga ne, e drejta ta largojë qeverinë me mjete që historia dhe kushtetuta i’a njeh e lejon vetëm popullit. Pasi e kanë grabitur në votën e tij, pasi e kanë vjedhur në pasurinë e tij, pasi e kanë gënjyer e tallur në të përditshmen e tij të vështirë, Saliu dhe zëvendësi i pandashëm kërkojnë t’i bëjnë këtij populli poshtërsinë e poshtërsive:

Duan ta budallallepsin! Ta budallallepsin me një manovër që asnjë pushtues e sundues dhe jo më një qeveri demokratike nuk ia bën kurrë një populli! Duan ta bindin këtë popull se atë që pa nuk e pa dhe atë që dëgjoi nuk e dëgjoi. Shkurt duan ta vjedhin popullin shqiptar edhe në dritën e syve e në fijen e dëgjimit, për ta kthyer në qorr e në shurdh dhe vënë përfundimisht përpara, si tufë delesh, në rrugën e një integrimi të kthyer në një farsë votash të vjedhura vetëm për të vjedhur Shqipërinë.

Duan ta bëjnë këtë vend një shëmbëlltyrë mizerabël të regjimeve hibride të ish-Bashkimit Sovjetik, në mes të një Europë që i ka mbyllur derën Shqipërisë, duke i refuzuar statusin e vendit të kandidatit, vetëm për shkakun e paudhësive e kusarive të tyre.

U them sot nga kjo foltore, edhe Saliut edhe zëvendësit të tij, se çdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja, si të vetmen rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza totale ku e kanë zhytur, rëndojnë papushim pozitën e tyre para këtij populli. I hyjnë papushim më në hak këtij populli. E shtyjnë papushim këtë popull drejt një ballafaqimi në rrugë me të dy bashkë.

Ne u’a kërkojmë sot dorëheqjen, jo për t’u ulur në karriget e tyre, po për të risjellë në jetën shqiptare lirinë e konkurrencës. Lirinë e konkurrencës në politikë përmes zgjedhjeve të reja. Lirinë e konkurrencës në jetën shoqërore përmes vlerësimit sipas meritës dhe jo sipas kritereve të bllokut të matrapazllëqeve me vendet e punës në shtet. Lirinë e konkurrencës në ekonomi përmes zhdukjes së monopoleve, shfuqizimit të vendimeve që kanë shkaktuar grabitjen apo cënimin e pasurisë së shqiptarëve, çuarjes së të korruptuarve përpara drejtësisë së çliruar nga kthetrat e pushtetit të vjedhur dhe çlirimit të të gjitha energjive sipërmarrëse të këtij populli në një treg të lirë dhe të garantuar nga një shtet serioz.

Në Shqipëri kanë rënë zgjedhjet, ka rënë drejtësia, ka rënë i gjithë shteti. Padrejtësia është kthyer në sistem qeverisës, metodë pune në zyrat e shtetit dhe frymë e kudondodhur në jetën e qytetarit. E për sa kohë padrejtësia do të jetë jo problemi, po rruga e qeverisë, për aq kohë është e kotë të kërkojmë drejtësi nga drejtësia. Drejtësia s’mund të japë drejtësi në një vend që qeveriset padrejtësisht nga kusarë e matrapazë që kanë vetëm një interes, paranë dhe vetëm një mjet për të përmbushur interesin, pushtetin. Për të pasur një drejtësi të drejtë duhet të kemi në radhë të parë një qeveri të drejtë. E cila mund të gabojë jashtë dëshirës së vet, po nuk mund të ndërtojë një oaz pasurie në mes të një vendi ku varfëria mbush arkën e shtetit, kurse qeveria e zbraz atë me orgjinë e korrupsionit të pushtetit.

Sot më shumë se 60% e shpenzimeve të shtetit paguhen me taksat që u merren direkt dhe indirekt qytetarëve të zakonshëm, atyre që vidhen e nëpërkëmben përditë e përmbyten deri edhe pesë herë në vit. Ndërsa më të pasurve politika e stërvjetër e sharlatanizmit fiskal të Saliut u merr më pak taksa se të varfërve, sepse të shumtit mes tyre i rrjep me atë bllokun e Metës ndërsa të paktit i ka bashkëpronarë, klientë apo shoferë që huazojnë emrin për punëra fitimprurëse të palejueshëm për politikanët.

Asgjë e re, e ndryshme nga ky llum keqqeverisjeje ku llokoçitet e zhytet përditë Shqipëria, nuk mund të lindë nëse shqiptarëve s’u kthehet një orë e më parë, liria e të gjitha lirive dhe e drejta e të gjitha të drejtave. Liria dhe e drejta e pacënueshme për të zgjedhur se kush do t’i qeverisë e kush do të bëjë opozitën e qeverisjes, për ta nxjerrë vendin sa më shpejt nga ky llum mbytës, që rrezikon ta gjymtojë psikologjikisht shoqërinë tonë e ta fundosë atë krejt ekonomikisht.

Sot është besoj e qartë për të gjithë pse u vodhën zgjedhjet, pse u trafikuan 18 mijë vota anti Sali për të mbajtur në krye Saliun, pse u mbyllën kutitë e të vërtetës dhe pse ne nuk rreshtëm e nuk do të rreshtim së kërkuari hapjen e kapakut ku Saliu kërkon të varrosë atë krim që është zanafilla e këtij degjenerimi total. Sepse beteja për kutitë, për transparencën e zgjedhjeve të shkuara, për hetimin dhe ndëshkimin e atyre që futën duart në procesin zgjedhor, nuk është e s’ka qenë kurrë as një betejë e imja për veten, as një betejë brenda nesh për ekuilibrat në Partinë Socialiste, as një betejë e jona për pushtet. Po është beteja që vjen natyrshëm, që vjen organikisht, që është në fiziologjinë e një shoqërie që ka zgjedhur të jetojë në pluralizëm, si domosdoshmëri jetike për demokracinë e shoqërinë shqiptare, me vetëdijen se një qeveri që i’a merr popullit votën edhe kur populli nuk i’a jep, as e pyet dhe as e respekton më popullin e vet. Madje e tall, deri ku edhe nuk mund të imagjinohet, ja ashtu siç bëri Saliu dje e pardje, me poezi për ullirin e me shpifje për opozitën, pikërisht sepse s’do t’ia dijë që njerëzit tronditen pasi s’kanë gjë në dorë derisa kusari u’a vjedh votën e ndryshimit.

Për momentin, vetëm për momentin, Saliu ka arritur të shpëtojë vetëm përgjegjësit e krimit elektoral, komisionerët e korruptuar që mbushën kutitë duke falsifikuar identitete dhe firma zgjedhësish si në Ruzhdie apo lolon e KQZ-së që pengoi forcërisht transparencën ligjore në proces. Sepse gjithshkaje tjetër lidhur me ato zgjedhje i doli tymi deri mbi kokën e Saliut. Të cilin s’ka shqiptar që nuk e ka njohur tashmë si kusarin e votës së 28 qershorit dhe si kërcënimin numër një për këtë shoqëri, të lirisë së zgjedhjeve të ardhshme. Asnjë hajdut që ka lënë gjurmë, nga hajdutët e votave nëpër komisionet e pazareve elektorale që i kanë lënë veprat e tyre të paligjshme në materialet zgjedhore dhe deri tek kusarët e pasurive të popullit në qeveri nuk do të shpëtojë nga përballja transparente me të vërtetat, përpara publikut dhe në të gjitha shkallët e drejtësisë.

Ne sot jemi gati të mbrojmë e provojmë çdo akuzë për të gjitha veprat e korrupsionit dhe emrat që kanë dalë në procesin e transparencës publike. Ndërsa nesër do t’i shkojmë deri në fund betejës për drejtësi duke e filluar nga ndërtimi i një qeverisjeje të drejtë dhe duke përdorur të gjithë fuqinë e të vërtetës për të gozhduar çdo hajdut.

Së shpejti do të publikojmë një skandal të patolerueshëm qeveritar që lidhet me shifrat reale të kriminalitetit në Shqipëri. Të cilat fshihen e manipulohen njësoj si shifrat e zgjedhjeve, si shifrat e ekonomisë, si shifrat e ullinjve që mbjell Saliu në mbledhjet e qeverisë dhe që u dyfishuan tamam ditën kur duhej kërkuar dorëheqja e Metës. S’ka si ndodh dhe as pse ndodh ndryshe kur manipulohet vota dhe nuk qeverisin ata që populli zgjedh, po sundojnë ata që nuk e lënë popullin të zgjedhë. Pikërisht pse s’e lënë të zgjedhë edhe s’kanë asnjë gajle ta gënjejnë, varfërojnë, tallin pafundësisht deri duke e përmbytur për të fituar lekë.

Ka radhën e publikimit edhe e vërteta e dokumentuar e përmbytjes së fundit. Për të cilën arritëm t’i sigurojmë dokumentat zyrtare në një rrugë strapacimesh e vështirësish si të siguronim sekretet që kanë krijuar botën. Ato dokumente provojnë tmerrin e madh të përmbytjes së parashikuar e plotësisht të pranuar nga Meta e Saliu si një domosdoshmëri për interesa ekonomike, pikërisht sepse nuk kanë asnjë fije respekti për popullin që përmbysin. Përkundrazi, e shfrytëzojnë skenën e përmbytjes si një rast për të luajtur teatrin e përkushtimit e të mobilizimit duke mallkuar opozitën, ndërkohë që ata që ishin të varfër varfërohen edhe më shumë, kurse këta kusarë e matrapazë që s’lanë gjë pa shitur e pa vjedhur, në ujë, në tokë e në ajër,në të gjithë territorin e kësaj republike vazhdojnë pasurohen pacipësisht me pushtetin që prodhon para e deklarojnë paturpësisht se do të rrinë aty deri në vitin 2025, përmes parasë që riprodhon pushtet.

Të vërtetat e hidhura të këtij degjenerimi që pasoi si flamë vjedhjen e votave janë të panumërta. Shqipëria s’mund ta mbajë më shtimin e listës së tyre. E mira e Shqipërisë, e mira çdo shqiptari sot, e do që të mbyllet, një orë e më parë, kapitulli i zgjedhjeve që u vodhën për të vjedhur Shqipërinë dhe të hapet, përmes një zgjidhjeje të re politike, një kapitull i ri ku të ndryshojë plotësisht filozofia qeverisëse.

Ne nuk duam një Shqipëri të atyre që sot janë në opozitë për të shkelur me këmbë ata që nesër do jenë në opozitë. Ne duam një vend ku parlamenti më i pari të jetë shprehje e ambicies dhe kulturës së bashkëjetesës e të komunikimit mes kundërshtarësh në mes të Europës në vitin 2011 që edhe në debatin më të nxehtë nuk e harrojnë se përfaqësojnë të njëjtin popull, të njëjtin atdhe, të njëjtat interesa të mëdha kombëtare, po edhe të njëjtën traditë familjare shqiptare. Ne duam një vend ku qeveria të varet nga qytetarët dhe jo të mbajë qytetarët varur në bukën e saj. Duam një qeveri që do të thotë të vërtetën dhe që do kërkojë ndjesë kur gabon. Një qeveri që do ndërtojë procese vendimmarrëse transparente dhe nuk gënjen me shifrat e të dhënat e ekonomisë apo të kriminalitetit. Një qeveri që do të ketë kurajon të ndërmarrë operacione radikale të munguara prej 20 vjetësh, për të shpëtuar territorin e atdheut të fëmijëve tanë e të brezave që vijnë nga të gjitha pasojat e politikës së vjetër të këtyre 20 vjetëve por edhe nga tumoret e kanceret, që ka mbjellë babëzia e korrupsioni i Saliut dhe zëvendësit të tij në të katër anët; nga përmbytjet jonatyrore tek plehrat e vendit e të importit bashkë; nga guroret primitive, që po shqyejnë deri edhe Krujën e Skënderbeut, siç kurrë s’do mund të kishte guxuar ta shqyente as armiku më shpirtzi i këtij kombi, tek TEC-et me qymyr deri edhe në bregdetin e Durrësit, ku prokuroria duhet të kishte filluar me kohë hetimin për blerjen e paligjshme me sasira të mëdha të tokës nga një shtetas i huaj – të cilin Saliu e ka quajtur publikisht në parlament “miku im”, por që në fakt e ka mik me bllok në dorë, ministri më ministri e pasuri më pasuri, njësoj si zëvendësin e tij.

Kemi të dhëna të reja, seriozisht mbresëlënëse, për këtë miqësi fitimprurëse dhe sot e kam unë një pyetje për Saliun:

A ka fituar ai drejtpërdrejtë apo, nëse jo, a është ai në dijeni për ndonjë anëtar të familjes së tij që ka fituar para të thata në dorë në kurriz shqiptarësh të zakonshëm e të mjerë nga kjo miqësi?

Sqaroj se nuk bëhet fjalë për shërbime avokatie.

Të mos më keqkuptojë i ashtuquajturi kryeministër i Koalicionit të Integrimit dhe as të mos ngutet të mbiprodhojë baltë, për të mbuluar ndonjë të vërtetë shqetësuese lidhur me sa e pyeta.

E siguroj se nuk është truk, nuk është montazh, nuk është as komplot vizual.

Është thjesht një pyetje në kuadrin e procesit të transparencës që, i’a kam thënë e i’a përsëris kryeministrit të ashtuquajtur:

Transparenca e keqqeverisjes as nuk mbyllet duke djegur fletët e votimit e burgosur materialet zgjedhore me duart e një xhelepi të KQZ-së.

As nuk zmbrapset duke e kthyer çdo javë parlamentin shqiptar në një surrogato të KPD-së famëkeqe dhe veten në një Nano rural, që në vend të fuoristradës së tipit të fundit i jep një kali imagjinar të fëmijërisë.

As nuk ndalet duke ndërsyer çdo ditë kundër opozitës tërë zogorinë e ministrave famëkëqinj e deputetëve fatkeq, bashkë me frrokballinj ekranesh e gazetash që e shesin veten sa frangaj pulën me lekët e bllokut të qeverisë së tij, për të përsëritur si një kor të marrësh shpifjet që u fut ti në gojë.

Ku është 20 përqindshi që kënduan tre muaj rresht tërë këta burra dhe gra të lëshuar në katër anët?

U tret siç treten të gjitha gënjeshtrat që nxjerr goja e përdalë e të ashtuquajturit kryeministër, por la në gojën e shqiptarëve të rraskapitur e të dëshpëruar shijen e keqe që le balta e përditshme antiopozitare në këtë vend ku Saliu kërkon t’i bëjë të gjithë pis me pisllëkun e tij.

Është manovra e tij e fundit, t’i bindë shqiptarët jo më se ai i ka duart e pastra, po se ai është pisi më i mirë ndër të gjithë pisat dhe ata ose duhet ta pranojnë ose duhet të ikin nga Shqipëria se s’kanë më nevojë as për vizë.

A ju kujtohet kur dilte në dyert e dyqaneve të Tiranës, me listat e borxheve të njerëzve të shkretë, dhe bërtiste si i marrë kundër padrejtësisë, gjatë asaj fushatës së duarve të pastra që gënjyen shqiptarët me ndihmën e dështimit të turpshëm të Fatos Nanos e të gjoja radikalizmit të paturpshëm të zëvendësit të Ilir Metës.

Ndërsa sot del dhe u thotë kompanive celulare t’i kërkojnë ndjesë qytetarëve që i kanë rrjepur me çmime astronomike!

Ç’është ky gaztor që di veç të tallet me popullin e vet?

Ky është ai i taksave më të ulta në botë dhe i ekonomisë më vibrante në glob, që papritur broçkullis për ndjesa të kapitalit ndaj popullit për çmimet, ndërkohë që ky vetë, Saliu, kusari dhe gënjeshtari i ashtuquajtur kryeministër, duhet t’i kërkojë ndjesë popullit të vet që u ka lënë kompanitë të cilave u kërkon llogari një barrë fiskale të barabartë me atë të një mësuesi.

10% të rrogës i merr mësuesit, që nuk nxjerr dot muajin e familjes po të jetë i punësuari i vetëm në shtëpi, 10% të fitimit i merr kompanive që mbledhin nga telefonatat e shqiptarëve një mal të atillë parash nga të cilat shteti do të mund të kryente shumë shërbime për mësuesit e për familjet shqiptare. U kujtua sot, çfarë ka bërë deri sot. Shteti po mund të kryente shumë shërbime për mësuesit dhe për familjet shqiptare.

Po shteti, jo ky pushtet i dalë nga vjedhja që duke vjedhur synon të riciklohet. Çfarë duhet të presin më njerëzit e zakonshëm të bëjë Sali Berisha, megjithë zëvendësin e pandashëm dhe shpurën e kusarëve e të matrapazëve të tij, që të ngrihen të gjithë në këmbë? S’marrim ende rrogat e dhjetorit sepse 12 miliardë i ka shpërdoruar Vasili i Metës, më shkruanin dje disa mjekë.

Por ndërkohë që dua t’i ftoj në demonstratën e madhe, jo vetëm ata, po edhe të gjithë të tjerët që, pavarësisht se mund të jenë plot demokratë nuk e gëlltisin dot kurrë talljen e madhe, të padëgjuar asnjëherë në histori, të kryeministrit që fliste për lajthia e hala pishe me zëvendësin e sapo shfaqur në krah menjëherë pas shfaqjes në FIKS FARE, më kujtohet që të gjithë këta janë në bukë të qeverisë.

Po si është e mundur që në vitin 2011, njëzet vjet pas rënies së diktaturës komuniste, njerëzit të kenë frikë të flasin, të shfaqen, të protestojnë, sepse u pritet buka e qeverisë?

Është e mundur, është shumë e mundur, sepse kështu e ka deformuar qeveria e bllokut në dorë të gjithë sistemin, duke dhunuar e poshtëruar qindramijëra njerëz, shqiptar, prindër, burra e gra që ndjehen keq, si s’ka më keq, po nuk ushtrojnë dot liritë kushtetuese që e dallojnë kushtetutën e Republikës së Shqipërisë nga kushtetuta e Republikës Socialiste të Shqipërisë. Që dallojnë Shqipërinë e sotme në letër nga Shqipërinë e djeshme.

Edhe vetëm kaq, edhe vetëm libri i zi i historive të pafundme të atyre që janë larguar e largohen nga puna si të mallkuar apo merren e mbahen në punë si skllevër, për një copë bukë, ndërkohë që zëvendësi i Saliut i ofron 700 mijë euro në dorë vetëm një ministri për një vendim të vetëm, pa llogaritur dot sa merr për vete e pa i hyrë fare asaj punës së përqindjeve në aksione për tërë jetën, është mjaft që këta kusarë e matrapazë të shporren nga qeveria.

Aq më tepër që s’është vetëm kaq.

Aq më tepër që s’mbaron me çfarë dimë deri këtu e mund të themi sot këtu, edhe po të rrimë gjithë ditën, gjithë javën, gjithë muajin, gjithë vitin, kjo batërdi turpesh e hallesh që shkakton paturpësia e pushtetit të votave të vjedhura.

Aq më tepër që kjo qeveri kusarësh e matrapazësh jo vetëm grabit votat po edhe akuzon opozitën se nuk do integrimin prandaj kërkon hetimin e grabitjes, jo vetëm vjedh e rruan çdo gjë që mundet, po edhe akuzon opozitën për 20 përqindsha që s’ekzistojnë kur opozita bën transparencë për keqqeverisjen dhe kërkon transparencë për themelet e demokracisë, drejtësisë, të ekonomisë, jo vetëm shfaqet me bllok në dorë, me zë e me figurë, para gjithë popullit, duke bërë ritualin e përditshëm të hajdutërisë, po edhe ka pafytyrësinë të akuzojë përsëri opozitën, madje si të kriminalizuar, dhe t’i thotë popullit atë që pe nuk e pe atë që dëgjove nuk e dëgjove!

Në 21 janar cilido që dëshiron, që ndjen, që ka nevojë të ngrihet në këmbë, le të ngrihet në këmbë.

Në këmbë me këdo për këdo që dëshiron shpëtimin nga kjo klikë e korruptuar që rrezikon ta çojë për dreq Shqipërinë, por edhe nga hija e një frike të patolerueshme më këtu në mes të Europës me bukën e qeverisë.

Në 21 janar në këmbë për t’u dhënë mundësinë shqiptarëve të neveritur, të fyer, të tallur e të nëpërkëmbur deri në rrenën sy për sy të këtyre ditëve, që të marrin pjesë në një demonstratë të madhe kundër qeverisë.

Shkruante një student nga Florida në Facebook:

Edhe bllokmen mbi varkën e Enverit që i buzëqesh aparatit të Sulo Gradecit, edhe bllokqen që vigjëlon ditë-natë mbi zemrën e Byrosë se mos ndalon tik-taku, edhe kryeministër me bllokun në dorën e zëvendësit për të marrë përqindje në aksione e mbledhur para të thatë për vete për çdo punë qeverie, po kaq pa din e iman paska qenë ky Sali Berisha? Thoshte ai.

Ndërkohë që unë dëshiroj të ndaj në fund të fjalës sime jo vetëm me ju, jo thjesht me të gjithë ata që na ndjekin, po me të gjithë ata që të gjithëve ju, ashtu si edhe mua, nga të panjohur në fshatra të humbur, tek shumë të njohur në botën e analizës politike na kanë adresuar si mesazh, përmblidhet në një fjali. O sot o kurrë duhet të jeni në krye. Në krye të kujt. Sigurisht që ne e dimë shumë mirë cila është detyra jonë. Jemi gati ta kryejmë detyrën tonë.

Në 21 janar ne do të fillojmë përpjekjen tonë, me gjithçka mundemi. Por në të njëjtën kohë dua të ndalem këtu për të thënë se është shqetësuese edhe kjo anë e medaljes. Fakti që në këtë shoqëri, kjo parti, kjo opozitë, me të gjitha të metat dhe dobësitë e saj ka mbetur e vetmja shpresë edhe në një moment si ky, edhe në një rast të tillë të mpiksjes së një zullumi që është shumë herë më i trashë nga duket. Ndërkohë që të gjithë ishujt e lirisë, të pavarësisë e të autonomisë, të kultivuar në vite me të meta dhe dobësi, po sigurisht me një prirje për të ndërtuar një shtet janë pushtuar, e ata pak që kanë ngelur, emisioni Fiks Fare njëri ndër ta, një gazetë apo një media tjetër. Jetojmë në një të përditshme që ngjan shumë me një komunitet, në një kështjellë nën bomba dhe rrezikojnë ekzistencën e tyre, dita ditës, ashtu siç rrezikojnë dita ditës ekzistencën e tyre të gjithë ata që nuk janë në bukën e qeverisë.

Duke ardhur këtu aty përpara një ministrie të turbulluar së brendshmi pash një grup policësh, 230 euro në muaj për të mbrojtur jo një shtet por një pushtet që jep 7 mijë euro si kusur për një favor. Çfarë arsyesh kanë ata njerëz, më pak sesa arsyet tona, sesa arsyet e të gjithëve atyre që sot janë në këtë hall dhe që nuk janë anëtarë të PS, nuk janë as anëtarë të opozitës zyrtare, madje kanë për PS plotë kritika dhe vërejtje e ndoshta edhe mosqasje natyrshëm bindjesh, normale. Mirëpo ne mund të bëjmë detyrën tonë, ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa të japim të gjitha arsyet e të vendosemi vetë në rrugën e kësaj demonstrate, këtyre demonstratave. Ndërkohë unë dua të ftojë çdo njërin që të kuptojë se kjo nuk është demonstrata e PS, kjo nuk është demonstrata e opozitës zyrtare, kjo nuk është demonstrata e radhës e një force politike apo disa forcave politike që shprehin kundërshtinë e tyre ndaj një qeverie. Nuk ka të bëjë me asgjë të tillë. Ka të bëjë thjesht dhe vetëm me thirrjen e të gjithë atyre njerëzve që e shprehin këtë nevojë për të dalë dhe me domosdoshmërinë që secili të bashkohet me këtë demonstratë për arsyet e vetave. Për arsyet e atyre 230 euro të mara me një punë rraskapitëse dhe me një uniformë që sakrifikon shumë por që keqpërdoret po aq shumë. E po kështu 320 euro në muaj infermierja që nuk ka marrë akoma rrogën nga dhjetori i ka të gjitha arsyet pavarësisht se kë beson, pavarësisht se për kë voton, sepse për asnjë polic, për asnjë infermiere, për asnjë nëpunës, për demokratin më të zjarrtë e më të arsyeshëm që sot e ka kokën ulur nuk vlen pushteti i votave të vjedhura. Pushteti i votave të vjedhura nuk njeh asgjë tjetër përveç babëzisë që e ka shtyrë në vjedhje dhe që e mban përmes vjedhjes aty ku është, duke i ndarë njerëzit jo sipas alternativave, opinioneve, pikëpamjeve, bindjeve, po sipas dy kategorish: skllevër ose të mallkuar. Skllevër në bukën e qeverisë, lëmoshë për gjithë ato kontribute të zjarrta, të ndershme, ideale, me plotë ëndrra dhe shpresa të militantëve të thjeshtë,të njerëzve të thjeshtë, të qytetarëve të zakonshëm, të intelektualët që besojnë tek një e djathtë shqiptare nën flamurin e PD, ose margjinalizmin deri në poshtërim i kujtdo tjetër. Që nga pastruesja deri tek sipërmarrësi, e sipas shkallës së shqetësimit që krijojnë, janë ose numra në pritje për të hyrë në listat e ndihmave ekonomike, ose mafiozë që janë në një aleancë kriminale, biznese që vijnë nga rrugët e krimit thjeshtë dhe vetëm sepse duan të rrojnë në vendin e tyre me idetë e tyre, me forcat e tyre, me mundësitë me sakrificat e tyre, madje duan edhe te financojnë botime dhe media që nuk e dëshirojnë Saliun.

E pra kjo është ndarje e madhe, e për këtë arsye unë besoj se ky është momenti dhe kjo është rruga ku duhet të bashkohen si qytetarë të të njëjtit vend, që ndajnë të njëjtat halle dhe shpresa pavarësisht se sot e kanë një punë. Po çfarë pune kanë? Punët që përmendëm? Apo punojnë edukatore në kopshte, 190 euro në muaj, ose janë në pritje për tu bërë edukatore. Apo nëpunës brenda ministrive, brenda agjencive, 230 minimumi, 450 shefi i sektorit. Nuk është vlera e këtyre të ardhurave ajo që duhet ti mbajë njerëzit lidhur, jo sepse kjo është një vlerë e papërfillshme në Shqipërinë e sotme, por sepse në Shqipërinë e sotme ky është në fakt çmimi i poshtërimit, çmimi i talljes, çmimi i cinizmit ekstrem, atë që pe nuk e pe, atë që dëgjove nuk e dëgjove.

Shqipërisë sot i duhet në radhë të parë drejtësi në mënyrën si qeveriset dhe dinjitet dhe respekt për çdo të qeverisur. Pastaj të tjerat vijnë me radhë, nuk vijnë shpejt, kërkojnë mund, sakrifica. Por pa këtë më të parën, pa garantuar se ata që votojnë qeverisen dhe ata që marrin votën qeverisin, është shkatërruar çdo normë, është shkatërruar çdo moral, është shkatërruar çdo kod komunikimi dhe është arritur në pikën ku: më jep dritën e syve dhe fijen e dëgjimit në qoftë se do të rrish në bukën time.

Nesër vërtet do të jetë vonë e për këtë arsye unë dua tu them të gjithëve se ne i ftojmë pa flamuj, pa asnjë paragjykim që ndan këdo qoftë dhe pa asnjë ceremoni që të bashkohen, secili me veten e tij dhe të dashurit e të afërmit e tij dhe për veten e tij dhe të dashurit e tij, në radhë të parë. Në mënyrë që ky vend të mos jetë më një vend i tallur nga ata që e kanë marrë rob, por të fitojë lirinë për tu quajtur jo vendi ku sundon një klikë kusarësh dhe matrapazësh, që turpëruan të madh e të vogël duke i çuar ato pamje në mbarë botën, e duke e treguar Shqipërinë e shqiptarëve të varfër e të ndershëm, e shqiptarëve të pasur përmes punës, si një vend leckë të hedhur në mes të Europës. Për këtë arsye unë besoj që 21 janari nuk është data e një proteste të opozitës por është dita e takimit për një demonstratë të çdo shqiptari që është në opozitë jo me PD, jo me flamurin e PD dhe që nuk është domosdoshmërish me PS dhe flamurin e saj apo flamujt e tjerë të koalicionit por që është në opozitë me talljen, në opozitë me poshtërimin, në opozitë me të gjitha ato arsye që i mungojnë për tu quajtur njeri i lirë në shtëpinë e tij, në rrugën drejt punës apo në rrugën ku kërkon punë, në bisedat me miqtë dhe në të drejtën e tij për të thënë atë që mendon, ku mungojnë arsyet për të cilat cilido të mos ketë asnjë lloj problemi, të takojë këdo qoftë dhe të thotë atë që mendon.

Pa rifituar këtë vlerë dhe parivendosur këtë normë, buka e qeverisë do të bëhet përditë e më e hidhur për ata që e hanë dhe përditë e më e neveritshme për ata që se kanë, e kjo rrezikon ta çojë Shqipërinë në një tollovi, që ne jemi këtu për ta shmangur duke përsëritur:

Sali largohu nga qeveria, bashkë me zëvendësin e me kë ke tjetër dhe hapi rrugë një zgjidhjeje politike që Shqipëria të rifutet në rrugë, jo që ne të vijmë në pushtet e që të çohesh ti e të ulemi ne, por me zgjedhje të lira e të drejta populli vendos dhe pastaj të gjithë ato nevoja që ky vend ka të mishërohen në radhë të parë në parlament që nuk mund të jetë një vend turpi i këtij populli. Por duhet të jetë dritarja nga e cila ky popull sheh ata që ka zgjedhur, gjykon ata që e përfaqësojnë dhe kur i vjen dita vendos me votë ti lëri në rolet që kanë apo tu ndërroj rolet.

KOMENTE