English

Nishani: Opozita të votojë ligjet, gati strategjia për drejtësinë

Tiranë, 15 janar 2011, NOA – Ndërsa ka deklaruar se strategjia e reformës në drejtësi do të përcillet brenda tre-mujorit të parë të këtij viti për tu miratuar në Këshillin e Ministrave, Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani i ka bërë thirrje sot opozitës që të kryejë detyrën e saj e të mos bëhet pengesë për votimin në parlament të ligjeve të rëndësishëm që kërkojnë shumicë të cilësuar si ligjit për Gjykatat Administrative, për votimin e heqjes së imunitetit ndaj politikanëve si edhe për miratimin e ndryshimeve të bëra në Kodin Penal, sa i takon çështjeve të korrupsionit dhe luftës ndaj terrorizmit. Këtë shqetësim për moskalimin në parlament e një sërë ligjesh kyç të hartuara edhe me mendimin e KE-së, apo SHBA-ve, për shkak të refuzimit të opozitës, ministri Nishani e ngriti gjatë një konference të posaçme për mediat ku foli për strategjinë e reformës në drejtësi.

Hartimi i kësaj strategjie, tha ministri i Drejtësisë synon mes të tjerash mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor.

Masat që priten të ndërmerren përfshijnë edhe atë të paraqitjes së iniciaticës së Qeverisë për dorëzimin vullnetar të imunitetit për gjyqtarët si dhe finalizimin e nismave ligjore për motivimin financiar të gjyqtarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, i cili synon rritjen e pagave të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apeleve.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Nishani bëri edhe një përmbledhje të detyrave të realizuara me sukses gjatë vitit 2010 dhe si shihet prespektiva e tyre në vitit 2011.

Ai vuri theksin në një prej ligjeve më të rëndësishëm, miratimin e ligjit anti-mafia, i cili synon sekuestrimin e aseteve financiare dhe pasurive të paluajtshme të grupeve që hetohen penalisht si pjesë e krimit të organizuar.

Ligji anti-mafia, tha Nishani sot është fuqi edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi pretendimin e disa organizatave joqeveritare që dyshuan në kushtetueshmërinë e tij.

Sipas Nishanit falë këtij ligii prokuroria ka hetuar dhe proceduar 10 raste të shkeljes së ligjit, në 8 prej të cilave Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sekuestrimin e pasurive.

Një tjetër ligji i rëndësishëm, tek i cili u ndal ministri Nishani ishte ai i marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, i cili lehtëson proceset e ekstradimeve nga vendet e huaja drejt Shqipërisë e anasjelltas.

Gjatë vitit 2011 pritet të finalizohet Marrëveshja e Bashkëpunimit me EUROJUST, e cila pritet të japë rezultate të mëtejshme pozitive në drejtësinë penale, sidomos për luftën kundër krimit të organizuar, ndërkohë që në fushën e të drejtave të njeriut mund të përmenden si arritje kryesore, ngritja dhe fillimi i funksionimit të Komitetit të Ndihmës Juridike, dhe miratimi i ligjit për të.

Ministri i Drejtësisë foli edhe për vënien në fuqi të shërbimit përmbarimor privat, i cili mban të angazhuar rreth 62 përmbarues privat, duke nisur sikundër tha Nishani të konkurrojë denjësisht atë shtetëror.

Gjithashtu ministri i Drejtësisë theksoi se gjatë 2011-ës do të bëhet kompesimi i pronarëve me një fond 1.5 miliardë lekë nga Aluizni, 300 milion nga buxheti për kompesimin fizik dhe 30 milionë lekë të ardhurave nga vetë AKKP, ndërsa do të dëmshpërblehen edhe mbi 2700 ish-të përndjekur me një shumë totale prej 10 miliard e 500 milion lekë.

mit/NOA

KOMENTE