Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Imami: Qeveria s'bie me planet e Edi Ramës
English

Imami: Qeveria s'bie me planet e Edi Ramës

Tiranë, 20 Janar 2011 NOA/ Ervin Tirana – “Kemi një qëndrim të qartë të qeverisë dhe shumicës parlamentare në këtë rast, por edhe unë personalisht si anëtar i qeverisë e kam bërë të qartë këtë qëndrim dhe vijoj t’i mbetem këtij qëndrimi. “Nuk mund të rrëzohet me demonstrata një qeveri e ligjshme. Çdo përpjekje në këtë drejtim do të ishte kthim prapa i vendit dhe padyshim që përgjegjësit do duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Këto pohime i bëri sot ministri i Mbrojtjes Arben Imami në një bashkëbisedim me mediat ku kritikoi ato që ai i cilësoi thirrjet destabilizuese të kryetarit të PS-së apo të tjera figura minore që janë rreshtuar pranë tij, që siç i citoi Imami, “do ta kishin të pamundur që të përmbajnë qytetarët shqiptarë”.

Sigurisht që përgjegjësia politike dhe jo vetëm, për ata që i nxjerrin njerëzit në rrugë, qëndron tek ata që i udhëheqin ata, - paralajmëron ministri i Mbrojtjes.

Thatë që Shqipëria nuk është një vend me rrezik të lartë, përsa i përket demontimit. Keni premtuar që në 2013 ju do të keni shuar çdo municion apo lëndë të trashëguar nga sistemi komunist. A është ky një premtim apo një obligim?

Ky është një obligim i yni. Le të kuptojmë që e gjithë sasia e municionit që është tepër në depot tona dhe që nuk mund të përdoret për funksionin dhe qëllimin bazë që shërben në Forcat e Armatosura, përbën një rrezik nga çdo pikëpamje. Në një kuptim madje, përbën rrezik jo vetëm për vendin, por edhe më gjerë. Kështu që heqja e kësaj barre që ka mbetur nga regjimi i vjetër e cila thelbësisht nuk është detyrë militare, është një detyrë e shtuar, sepse ne mund të kishim edhe një ushtri të cilën mund ta kishim profesioniste, pa municione, pa armë, pa municione, pa materiale të tepërta që janë rreth 60 mijë tipe artikujsh, e gjithë kjo kërkon një punë gargantueske, por është një punë e cila do të kryhet.

Kjo bëhet me qëllim pikërisht për të zhdukur këtë rrezik i cili potencialisht qëndron aty. Ne i dhamë prioritet gjatë vitit 2010 heqjes së depove të cilat ishin pranë qendrave të banuara, kemi bërë dy inventarizime dhe inspektime të plota të të gjithë sasisë që kemi në depot tona dhe në këtë mënyrë bëmë të mundur që t’i japim prioritet shkatërrimit të municioneve që ishin të dëmtuara, ose në kushte të këqija të mbajtjes së tyre dhe i kemi shkatërruar ato. Shkatërrimi i tyre padyshim është një lajmë i mirë sikurse e cilësova edhe gjatë prezantimit tim.

Nga eksponentë të Partisë Socialiste, është bërë e ditur që demonstrata e datës 21 janar mund të jetë edhe një situatë, e cila mund të dalë jashtë kontrollit. Cili është komenti juaj?

Ky është koment jashtë paraqitjes time si ministër, megjithatë si anëtar i Qeverisë, unë jam i detyruar t’ju jap përgjigje meqë më shtrohet pyetja. Kemi një qëndrim të qartë të qeverisë dhe shumicës parlamentare në këtë rast, por edhe unë personalisht si anëtar i qeverisë e kam bërë të qartë këtë qëndrim dhe vijoj t’i mbetem këtij qëndrimi. Nuk mund të rrëzohet me demonstrata një qeveri e ligjshme. Çdo përpjekje në këtë drejtim do të ishte kthim prapa i vendit dhe padyshim që përgjegjësit do duhet të mbajnë përgjegjësi. Sigurisht, këtu kuptoj edhe thirrjet destabilizuese si ato të kryetarit të PS-së apo të tjera figura minore që janë rreshtuar pranë tij, që do ta kishin të pamundur që të përmbajnë qytetarët shqiptarë. Sigurisht që përgjegjësia politike dhe jo vetëm, për ata që i nxjerrin njerëzit në rrugë, qëndron tek ata që i udhëheqin ata.

Ju folët për demontimin dhe thatë që ishte një prioritet për vitin që kaloi dhe si i tillë do të jetë deri në vitin 2013. Gjithashtu thatë se nuk ka patur asnjë incident. Atëherë cila është arsyeja që shumë prej punonjësve që punojnë në këtë proces nuk janë paguar me dieta prej disa muajsh?

1-Kjo nuk është plotësisht e vërtetë. 2-Nuk është një incident dhe së treti është pjesërisht e vërtetë, kurrë nuk do të mund të gënjeja, të jeni të sigurt. Duke tre fishuar apo edhe më shumë, sasinë e materialit të demontuar ne kemi rritur tre deri në katër herë, në mënyrë të paparashikuar nga viti 2009, sasinë e qarkullimit të këtij materiali. Duhet të jeni të sigurt që çdo ditë janë 60-70 makina që lëvizin në Shqipëri për këtë proces. Ky tre-katërfishim ka qenë i pamundur, por pagesat janë bërë në fillim të janarit dhe kjo çështje është e mbyllur tashmë.

Z.Ministër, ju thatë pak minuta më parë që një nga prioritetet e punës suaj është edhe çështja e pronave. Deri ku ka arritur ky proces dhe kur pritet të përfundojë?

Çështja e privatizimit nuk është një çështje që na përket ne. Ne kemi detyrimin që të përgatisim të gjithë materialin për këtë çështje, t’ia paraqesim ministrisë së Ekonomisë, po kështu edhe Kryeministrit, gjë të cilën tashmë e kemi bërë. Jemi transparent për këtë çështje dhe transparencën e plotë e kemi bërë ,për shkak se kemi botuar listën e pronave e cila ndodhet në sajtin zyrtar të Ministrisë sonë. Presim që agjencitë e tjera qeveritare, të kryejnë hapat e nevojshëm për ti hedhur në treg këto prona. Sigurisht që këtu ky proces do të varet edhe nga interesi që ka tregu për këto prona.

Ju thatë se është duke u përgatitur një plan i ri për reformimin e ushtrisë, apo një plan i integruar dhe për këtë keni marrë edhe mbështetjen e plotë të Sekretarit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. A mund të na thoni se në ç’raport është ky plan i ri i Ministrisë, për të cilin ju tashmë keni marrë miratimin nga SHBA?

Ne sot jemi një vend anëtarë i NATO-s, dhe si i tillë ne garantojmë sigurinë tonë kombëtare nëpërmjet sigurisë kolektive, gjë që nuk ka qenë e vërtetë deri në vitin 2009. Kjo bën të detyrueshme që të ripërcaktojmë misionin e Forcës tonë të Armatosur. Nuk mund të mendojmë që do të kemi një Forcë të Armatosur qoftë në Det, në Ajër apo në Tokë, e cila duhet të mbrojë vendin në mënyrë ballë për ballë. Atëherë kjo do të bëj që të ridefinojmë misionin e FA në kontekstin e ri ku ne ndodhemi, të rrethuar nga vende miq, nga vende aleatë, si Greqia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Italia dhe ta definojmë, ta përcaktojmë, ta obligojmë këtë forcë jo vetëm drejt standardeve të përcaktuara të NATO-s, por edhe drejt përmbysjes së detyrimeve në këtë kontekst të ri global po kështu edhe brenda aleancës. Kjo sigurisht që do të kërkoj një mendim të ri dhe strukturim të forcave, e po kështu edhe të mjeteve në dispozicion të këtyre forcave. Po të bëja një shembull të thjesht: po të jesh i detyruar të mbrosh kufijtë e vendit tënd je i detyruar të mbash artileri dhe tanke, por në qoftë se në kufijtë e vendit tënd, ku padyshim që në kufijtë e vendit tonë ne jemi të rrethuar nga vende fqinje, ku politika jonë e jashtme ka lozur një rol jashtëzakonisht të mirë në këto 20 vjet, për të rritur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me vendet për rreth, ti nuk ke më nevojë për to. Atëherë do të mendosh, për problemet e emergjencave që mund të lindin brenda vendit, qoftë për shkaqe natyrore, qoftë edhe për arsye të luftës asimetrike dhe terrorizmit në plan ndërkombëtarë.

Po kështu misioni tjetër do të ishte shërbimi i kësaj force në kuadrin e aleancës. Përcaktimi i atyre kapaciteteve themelore efektive dhe që të tjerët nuk mund t’i sigurojnë në të njëjtën mënyrë për kontribut për aleancën. Këtu p.sh po sjell EOD-të që janë njësitë ushtarake kundra eksplozivave apo bombave artizanale që janë sot dhe operacioneve të ndryshme edhe pse niveli i rrezikut në vendin tonë nuk çmohet i lartë.

Pensionet e ushtarakëve kanë qenë së fundmi një tjetër çështje e diskutuar në mediat elektronike dhe të shkruara dhe në fakt qeveria këto kohët e fundit e zgjidhi problemin e tyre. Pyetja ime ka të bëj me ushtarakët aktiv të cilët janë në FA Shqiptare, çfarë keni menduar për to, në mënyrë që të mos përsëriten sërish probleme të tilla kur të vijnë edhe ata në moshën e pensionit?

Çështja e pensionit të parakohshëm mori një zgjidhje dhe nuk kam komente për këtë pasi ato i kam bërë në Parlament. Sa i përket pagesave të ushtarakëve, ne jemi duke e rishqyrtuar këtë çështje së bashku me Ministrinë e Financave, kemi ngritur një grup të përbashkët pune, kryeministri është i sensibilizuar në këtë drejtim dhe besoj që do të ketë përmirësime.

KOMENTE