English

Reagon ALBtelecom: Pretendimet e ish-ministrit Prifti, të pavërteta dhe të pabaza

Tiranë, 20 janar, NOA – Kompania ALBtelecom dhe Grupi Çalik, i cili ushtron aktivitetin në Shqipëri, përmes një deklarate zyrtare, kanë hedhur poshtë pretendimet e ngritura së fundmi nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në një letër të hapur.

Duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabaza, ato sqarojnë se “që nga përfundimi i procesit të privatizimit dhe deri më sot, ALBtelecom ka vepruar konform të gjithë legjislacionit në fuqi, të gjithë aktivitetin e saj si kompani e ka zhvilluar konform të gjitha ligjeve të Republikës së Shqipërisë”.

“Kompania jonë, marrëdhëniet me të gjitha instancat dhe institucionet shtetërore, në çdo rast i ka ndërtuar në përputhje të plotë me ligjin dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e ALBtelecom.

Duke vijuar më tej sqarimin përkatës se “për rregullimin e tarifave të ALBtelecom , nga ana e AKEP është marrë konsulenca e një kompanie ndërkombëtare.

AKEP, në vitin 2008 nëpërmjet një tenderi ndërkombëtar ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë polake, “Price Waterhouse Coopers”.

Sipas raportit të hartuar nga kjo kompani, bazuar në Modelin Ndërkombëtar të Kostove, çmimet fikse mujore të aplikuara nga ALBtelecom kane rezultuar nën kosto”.

“Autoriteti Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Institucioni Regullator), kërkimin në fjalë e ka hapur për një “diskutim publik” (public consultation) dhe në kontekst duke e gjetur si të drejtë, ka marrë vendimin për rritjen e Tarifës Fikse Mujore.

Tarifa Fikse Mujore e aplikuar aktualisht nga ALBtelecom është 44 % më e ulët se mesatarja e vendeve te rajonit dhe 74% më e ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian”, citon më tej ALBtelecom.

Duke përfunduar se “ALBtelecom është një institucion i respektuar dhe se pretendimet në lidhje me këtë kompani janë totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.

“Për këtë arsye, në lidhje më këtë çështje ALBtelecom, rezervon të drejtën për të ndjekur çdo hap ligjor. Me përfundimin e procesit të privatizimit dhe në vazhdim, ALBtelecom ka punuar dhe vazhdon të punojë më të gjitha energjitë për të ofruar shërbime të reja dhe lehtësuese për të gjithë abonentët e saj”, përfundon deklarata e ALBtelecom.

n.e/NOA

KOMENTE