English

Deputetët demokrat vizitojnë të plagosurit: Rama nxitësi i dhunës

Tiranë, 22 janar 2011, NOA- Një grup deputetësh të mazhorancës gjatë ditës së sotme kanë vizituar të plagosurit në Spitalin Ushtarak.

Aldo Bumçi, Mesila Doda, Gent Strazimiri, dhe Fatos Hoxha, vizituan anëtarët e forcave të rendit, të cilët u plagosën dje gjatë protestës së opozitës.

Deputetët e mazhorancës vlerësuan dhe shprehën mirënjohje të thellë për qëndrimin e forcave të rendit në mbrojtje të institucioneve dhe rendit kushtetues.

Në emër të grupit të mazhorancës, deputeti Aldo Bumçi u shpreh se, “Erdhëm për të vizituar punonjësit e policisë, të cilët janë plagosur nga dhuna e frymëzuar dhe e nxitur nga kryetari i PS Edi Rama. Dëshirojmë të shprehim mirënjohje, respekt, dhe vlerësimin punonjësve të policisë, për qëndrimin e tyre për vlerat dhe profesionalizmin që treguan”.

Duke vijuar më tej Bumçi theksoi se, policët ishin dje qytetarët e parë të vendit.

“Të gjithë qytetarët e Shqipërisë, pa dallim bindjesh politike nga Veriu në Jug janë ndjerë të sigurt, në shtëpitë e tyre, për shkak të mbrojtjes nga ana e policisë, të institucioneve të vendit , të rendit kushtetues lirive dhe të drejtave themelore të tyre”, u shpreh deputeti demokrat.

a.y/NOA

KOMENTE