English

Opozita i jep lamtumirën Hekuran Dedës

Tiranë, 22 janar 2011, NOA – Përfaqësues të opozitës i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit bashkë me familjarët e tij, njërit prej tre protestuesve të vrarë dje në demonstratën e thirrur nga opozita. Në homazhet e zhvilluara në fshatin Domje pranë Tiranës, për të nderuar dibranin Hekuran Deda, mori pjesë edhe lidershipi i opozitës Edi Rama, i cili mbrëmjen e shkuar e cilësoi këtë të shtunë si ditë zie në kujtim të tre protestuesve që panë dritën e jetës për të fundit herë në demonstratën e 21 janarit, në grumbullimin përpara derës së kryeministrisë.

I ndjeri Deda, që sikundër deklaroi lidershipi i opozitës gjeti vdekjen se demonstroi kundër kësaj qeverie korrupsioni u përcoll për në banesën e fundit me të tëra nderimet dhe ritet mortore.

Ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës vendosën tufa me lule në vendin ku ai do të prehet përjetë.

Hekuran Deda, mendohet se është personi që humbi jetën duke protestuar pranë kryeministrisë.

Bashkë me të, të qëlluar me armë zjarri humbën jetën edhe dy protestues të tjerë, mes tyre Ziver Veizi nga Gjirokastra.

Lidhur me vrasjet e tre demonstruesve Partia Socialiste ka akuzuar direkt kryeministrin e vendit dhe ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se kanë urdhëruar shtënien me armë zjarri, ndaj atyre që sipas Ramës po protestonin pa asnjë armë.

Ndërsa mazhoranca kundërpërgjigjet duke akuzuar si shkaktarë të vrasjes së tre të pafajshmëve vetë lidershipin e PS-së, që sipas mazhorancës pagoi fallangat e krimit për të bërë këtë skenar dhune me qëllim rrëzimin e qeverisë me dhunë.

mit/NOA

KOMENTE