English

KSHH: Prokuroria, i vetmi organ i ndjekjes penale

Tiranë, 24 janar, NOA – Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një deklaratë të lëshuar sot për median e ka vlerësuar organin e akuzës, si të vetmin organ të ndjekjes penale.

“Prokuroria, siç dihet, është organi i vetëm që ushtron ndjekjen penale (Neni 148 i Kushtetutës). KSHH në frymën dhe në zbatim të dispozitës së mësipërme kushtetuese, e shikon të nevojshme të evidentojë faktin se me përjashtim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Gjykatës në rastet e parashikuara nga ligji, asnjë organ tjetër nuk ka të drejtë të kontrollojë dhe të vlerësojë bazueshmërinë ligjore të vendimeve të prokurorisë, përfshi këtu edhe urdhrat për masat e sigurimit.

“Për këtë është shprehur qartë dhe prerë, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr.26, datë 04/12/2006, lidhur me shqyrtimin e çështjes me objekt “zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave midis prokurorisë dhe kuvendit”. Në dispozitivin e këtij vendimi thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe vlerësojë vendimet e prokurorisë për mosfillimin e procesit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjes penale, për mosmarrjen e masave të sigurimit si dhe vendimeve e veprimeve të tjera që lidhen me ushtrimin e akuzës në gjyq”, citon deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Duke shtuar se të njëjtën përmbajtje ka edhe dispozitivi i vendimit nr.12, datë 20.05.2008 i Gjykatës Kushtetuese.

“Theksojmë se në të dy këto vendime, veç të tjerave, Gjykata Kushtetuese i është referuar nenit 148 të Kushtetutës ku bëhet fjalë për funksionin kushtetues të Prokurorit si dhe nenit 7 të Kushtetutës që sanksionon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”, citon KSSH në deklaratën e tij.

Duke përfunduar se është e qartë se një kompetencë që nuk e ka Kuvendi (pushteti legjislativ), nuk mund ta ketë ajo pjesë apo hallkë e ekzekutivit e ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve përkatëse të prokurorit.

“Pikërisht për arsyet e mësipërme, KSHH u bën thirrje organeve të policisë së shtetit të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të prokurorit, t’i vënë ato menjëherë në zbatim pa asnjë ngurrim apo ndikim”, përfundon deklarata e KSSH-së.

n.e/NOA

KOMENTE