English

Presidenti, “dush të ftohtë” Ramës e Berishës

“Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t’i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe instititucioneve të pavarura ligjore të tij”

Tiranë, 24 janar 2011 NOA/ Ervin Tirana - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, priti sot në mesditë Kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, me kërkesën e këtij të fundit, për të diskutuar lidhur me situatën e rëndë të krijuar në vend. Zyrtarisht, Presidenca publikoi vetëm disa citime nga Topi por anojë citim të Ramës.

Në të dhënat zyrtare që ofroi Presidenca, është fare e qartë se përmes takimit me Ramën, Topi ka shfrytëzuar rastin për një “dush të ftohtë” ndaj tij dhe kreut të mazhorancës, Berisha. Kryetari i Shtetit nënvizoi nevojën urgjente të mbizotërimit të maturisë e dialogut, duke kërkuar nga faktorët dhe aktorët politikë të gjejnë vullnetin e duhur dhe të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre duke vënë interesat e vendit dhe të popullit shqiptar mbi gjithçka tjetër.

“Në këto momente, më shumë se asnjëherë tjetër na duhet qetësi, maturi dhe përgjegjësi politike dhe individuale, për t’i lënë kohën dhe hapësirën e nevojshme funksionimit të shtetit të së drejtës dhe instititucioneve të pavarura ligjore të tij.” – u shpreh Presidenti Topi.

Presidenti Topi shprehu shqetësimin e madh për gjendjen e tensionuar në vend dhe nënvizoi se “në situatën e krijuar bëhet më se e domosdoshme vendosja e dialogut politik institucional si mjaft e rëndësishme për stabilitetin e vendit, rendin publik, jetën e qytetarëve dhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Institucionet e shtetit dhe punonjësit në detyrë janë të shenjtë e të paprekshëm, ashtu sikurse është edhe mbrojtja dhe kujdesi për jetën e qytetarëve. Në çdo rrethanë, e drejta legjitime për të demonstruar paqësisht duhet administruar me përgjegjësi maksimale!” – theksoi Presidenti. Gjithashtu kryetari i Shtetit mbështeti edhe një herë zhvillimin e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional dhe transparent të ngjarjeve të datës 21 janar duke nxitur bashkëpunimin mes institucioneve të zbatimit të ligjit.

“Vetëm shteti ligjor është garancia e një vendi demokratik dhe ai duhet të respektohet nga cilido” – u shpreh Presidenti Topi.

e.t/NOA

KOMENTE