English

Ina Rama: Mbështetja e SHBA-ve rrit besueshmërinë e hetimit

Tiranë, 25 janar 2011, NOA Update – Pas demonstratës së 21 janarit që bashkë me aktet e dhunë pranë selisë së kryeministrisë shënoi edhe vrasjen e tre demonstruesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve si nga demonstruesit edhe nga forcat e Policisë së Shtetit, Kryeprokurorja Ina Rama ka marrë sot mbështetjen e SHBA-ve në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Prokurorja e përgjithshme Ina Rama në konferencën e parë për shtyp pas ngjarjeve të 21 janarit, të përbashkët me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu deklaroi se për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit ka kërkuar asistencën e specialistëve amerikanë. Ajo theksoi se prokuroria është e vendosur të hetojë dhe zbardhë ngjarjet andaj ka thirrur për ndihmë asistencën e SHBA-ve, si një asistencë teknike, e paanshme dhe e besueshme. Më tej lexoni deklaratën e plotë të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.

Siç jeni në dijeni, lidhur me ngjarjen e ndodhur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në datën 21 Janar , për shkak të së cilës, pati 3 shtetas të vrarë me arme zjarri, 7 shtetas të plagosur me armë zjarri si dhe shumë të plagosur me mjete të tjera ndër të cilët 36 punonjës policie , 25 civilë si dhe dëme të ndryshme materiale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranës ka filluar hetimet duke regjistruar procedimet penale përkatëse.

Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve paraqet veçanti dhe vështirësi për shkak të kompleksitetit të pasojave të ardhura, përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik , të nevojës së hetimit të nxitësve të dhunës si dhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë të opinionit public dhe të vetë situatës politike në të cilën po kalon vendi.

Për të gjitha këto arsye, duke çmuar tepër të rëndësishëm hetimin objektiv, të gjithanshëm dhe profesional të kësaj çështje, duke ndjerë detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimit dhe duke pasur besimin e plotë në ndihmën serioze dhe efektike të ofruar në vazhdimësi nga partnerët tanë në SHBA, Prokuroria Shqiptare e gjen me vend t’u kërkojë atyre të na mbështesin në hetimin e kësaj çështjeje nëpërmjet dhënies së një asistence teknike.

Kjo asistencë, kërkohet të shtrihet në aspekte të veçanta të ekspertizës kriminalistike dhe hetimit, në të cilën SHBA-të kanë një standard të lartë profesional, fakt i cili besojmë se do të japë garanci të mjaftueshme se procesi i nisur i hetimit do të jetë më i arrirë profesionalisht dhe më i besueshëm në paanshmërinë e tij.

Prokuroria Shqiptare ka nisur hetimet për këtë çështje që në ditën e ndodhjes se ngjarjes duke angazhuar në hetim të gjithë trupën e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore të prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të cilët janë angazhuar me përkushtim për të kryer me efikasitet dhe me cilësi të gjitha veprimet e para hetimore në drejtim të evidentimit, fiksimit dhe administrimit të çdo provë materiale që lidhej me ngjarjen. Rezultatet e kësaj veprimtarie hetimore të kryer që në çastet e para pas ndodhjes së ngjarjes me profesionalizëm të lartë nga prokurorët dhe oficerët e prokurorisë së Tiranës, është e nevojshme t’i nënshtrohen nje sërë ekzaminimeve kriminalistike apo mjeko-ligjore, konkluzionet shkencore të të cilave janë tepër të rëndësishme për ezaurimin e një hetimi të pavarur dhe të gjithanshëm.

Në këto kushte duke qenë të ndërgjegjshëm se përgjegjësia për drejtimin dhe kontrollin e hetimit është e Prokurorisë Shqiptare, ndihma e kërkuar besojmë se do të garantojë një standart më të lartë të besueshmërisë në të.

Me këtë rast Prokuroria Shqiptare falenderon ambasadën e SHBA-ve për gatishmërinë e treguar nëpërmjet prezencës se Ambasasdorit të SHBA-ve në këtë konferencë dhe shpresojmë që do të kemi një përgjigje pozitive për kërkesën e parashtruar.

*Fjala e plotë e Kryeprokurores Ina Rama

KOMENTE