Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Marti mblodhi thashetheme e i serviri në politikë”
English

“Marti mblodhi thashetheme e i serviri në politikë”

Grac, (Austri), 27 janar, NOA - Eksperti juridik për Ballkanin dhe profesor në Universitetin e Gracit në Austri, Prof. Dr. Joseph Marko flet mbi vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai deklaron se Dick Marti mblodhi fjalë në vendet ku shkoi për hetim dhe i serviri si një material politik. Ndërkohë që provat nënkuptojnë fakte konkrete dhe jo tregime që një person i raporton si ngjarje, pasi i ka dëgjuar më parë nga një person tjetër.

Këshilli i Evropës miratoi raportin e Dick Martit dhe kërkoi nga EUELEX të zhvillojë hetime mbi akuzat e pretenduara në raport për trafik ilegal të organeve dhe trajtime çnjerëzore nga ana e krerëve të UÇK-së. Si do të procedohet tani nga pikëpamja juridike, do të trokasë EULEX-i në derën e Hashim Thaçit?

EULEX-i duhet tanimë të fillojë hetimet përkatëse, gjë që do të thotë ai duhet të përpiqet të mbledhë prova, dhe duhet pasur parasysh se EULEX nuk është Gjykatë, pra materiali i mbledhur nga EULEX duhet t'i kalojë një gjykate. Se cila gjykatë do të jetë kjo, një gjykatë në Kosovë apo Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, kjo është një çështje që varet edhe nga faktorë të tjerë.

Në raport bëhet fjalë "për të dhëna të shumta", por këto nuk janë prova. Çfarë do të cilësohej në kuptimin juridik provë në këtë rast, dhe çfarë mbetet fjalë në erë?

"Të dhënat e shumta" vërtet nuk janë prova në kuptimin juridik. Edhe Këshilli i Evropës nuk është një organ juridik që të merrte pjesë në këtë mënyrë në një hetim gjyqësor. Edhe raportuesi i ngarkuar i Këshillit të Evropës zoti Dick Marty, ka mbledhur fjalë që qarkullojnë prej kohësh, dhe i ka vendosur këto në axhendën e politikës. Kjo do të thotë që duhet dalluar shumë qartë mes procedimit politik dhe atij juridik dhe ligjor, dhe duhet bërë një ndarje mes këtyre të dyjave. Kjo duhet bërë sepse fillimisht bëhet fjalë për një dënim para kohe nga pikëpamje politike, pa pasur prova të qarta për këtë. Provat janë të dhëna konkrete të dëshmitarëve, deponime e të tjera si këto, por jo fjalë që dëgjohen nga njerëz të ndryshëm, të cilët nga ana e tyre i kanë dëgjuar po këto fjalë nga njerëz të tjerë para dhjetë vitesh. Kjo nuk konsiderohet provë.

Ju bëtë fjalë për deponime të dëshmitarëve, por a nuk është bërë fjalë gjithmonë se ata nuk mbrohen sa duhet në Kosovë. Si do të flasin ata?

Po, ky është një problem i përgjithshëm, që nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por është tipik për të gjitha shoqëritë pas lufte. Këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e dëshmitarëve, prandaj ka programe të posaçme për mbrojtjen e tyre. Por dihet që në Kosovë programe të tilla mbrojtjeje që lidhen me hetime të caktuara si ato të Tribunalit të Hagës, nuk mjaftojnë. Pra aty ekziston vërtet rreziku që programet e mbrojtjes së dëshmitarëve të mos funksionojnë.

Si mendoni ju do të vijë puna deri aty që të zhvillohet një proces normal gjyqësor, ku Hashim Thaçi të jetë i akuzuar?

Sigurisht, mundet dhe duhet që të vijë puna deri tek një proces normal gjyqësor. Edhe për të treguar se askush, madje edhe kryeministri nuk është i imunizuar kundrejt ndjekjes penale. Kjo do të kundërshtonte mendimin e përhapur se politikanët dhe krerët e elitës politike nuk mund të ndiqen nga ana penale, dhe se vetëm peshqit e vegjël dalin para gjyqit edhe në rastet e korrupsionit. Ky qëndrim nuk është i përhapur vetëm në Kosovë, por në të gjithë Ballkanin.

Por Hashim Thaçi është në rrugën e të rizgjedhurit sërish kryeministër i Kosovës. Ai duket se i ka fituar zgjedhjet e fundit në Kosovë. A mundet në këto kushte që ai të jetë një kryeministër me kredibilitet që krijon qeverinë e re?

Po kështu ka qenë edhe në rastin e Haradinajt, pra që u shfaqën fillimisht dyshimet, si mundet që dikush që është akuzuar nga Tribunali i Hagës të mbajë edhe postin e kryeministrit. Pra kemi të bëjmë me një problematikë të legjitimitetit. Edhe Hashim Thaçi do të duhet ta masë mirë, nëse nuk është më mirë që në këto kushte të dorëhiqet. Por pyetja që mbetet e hapur është - kur duhet të dorëhiqet ai? Mbi bazën e fjalëve që janë të mbledhura në një raport të Këshillit të Evropës, apo në momentin e ngritjes së akuzës nga një gjykatë e pavarur. Këta dy hapa i ndajnë botë nga njëri-tjetri. Sepse nuk mund edhe të përjashtohet që mund të bëhet fjalë për një fushatë politike kundër Hashim Thaçit.

Delegacioni i Shqipërisë e mbështet një hetim, sepse sipas qëndrimit shqiptar vetë Shqipëria është e interesuar të hetohet këto pretendime dhe të zbardhet njëherë e mirë e vërteta. Çfarë mund të bëjë Shqipëria të re, kur një hetim i mëparshëm është bërë?

Shqipëria mund të merrte pjesë shumë mirë në këto hetime, në kontekstin e të gjitha hapave ligjorë që parashihen, pra për një bashkëpunim juridik dhe policor, të bashkëpunojë me autoritetet, para së gjithash të punojë në mënyrë intensive me EULEX-in, dhe të zbardhë me të vërtetë nëse ka prova për këtë apo janë thjesht thashetheme.

Sa e dëmton integrimin e mëtejshëm evropian dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës miratimi i raportit nga Asambleja e Këshillit të Evropës?

Sigurisht, me shumë siguri. Kjo vëmendje e mediave, por edhe raporti i KE-së e dëmton Kosovën edhe në drejtim të negociatave për anëtarësim që zhvillohen në plan afatgjatë. Por jam i sigurt që BE në këtë moment nuk ka interes që Kosova nën një qeveri të Hashim Thaçit, të bëjë hapa ta tjerë, pra kur të gjitha akuzat nuk janë sqaruar. Sa kohë nuk janë sqaruar akuzat, edhe dëmi politik që del prej kësaj është jashtëzakonisht i madh.

NOA/DV

KOMENTE