English

Trafiku i emigrantëve nga Lindja e Mesme në Shqipëri

Sarandë, 30 janar, NOA - Trafiku i emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme ka nisur të shtrihet edhe në Jug të vendit. Policia e Sarandës flet për rastet e para të emigrantëve që futen nga kufiri grek në territorin shqiptar me synimin për të kaluar drejt vendeve të tjera.

Trafiku i emigrantëve nga Lindja e Mesme , të depërtuar në Greqi, ka nisur të shtrihet nga zonat në Veri të Greqisë drejt zonave jugore të Shqipërisë. Ndryshe nga disa muaj më parë kur policia shqiptare prapësonte disa qindra emigrantë shqiptarë që synonin të hynin pa dokumente qëndrimi në Greqi ditët e fundit vihet re një synim i klandestinëve nga Greqia për të hyrë në territorin shqiptar.

Policia e Sarandës ka evidentuar disa dhjetëra raste kur emigrantët palestinezë synojnë të hyjnë në terriorin shqiptar për tu larguar më pas në drejtim të Italisë. Grupet e emigrantëve janë bllokuar në zonat shqiptare buzë kufirit dhe u janë dorëzuar autoriteteve policore greke. Burimi kyesor i këtij trafiku është qyteti fqinj grek i Igumenicës, një qytet port në Greqinë e Veriut, nga ku klandestinët udhëtojnë me anije drejt Italisë dhe vendeve të tjera. Incidentet e njëpasnjëshme në këtë qytet mes vetë grupeve të klandestinëve, por edhe me policinë greke, duket se po ndikojnë që emigrantët të tentojnë të hyjnë në terriorin shqiptar me shpresën e vijimit drejt vendeve të tjera.

Roja bregdetare shqiptare i monitoron fort kufijtë detarë me Italinë dhe Greqinë në sajë edhe të një moratorium të fortë për bllokimin e skafeve dhe deri tani nuk janë shënuar raste të nisjes së këtyre grupeve të klandestinëve nga Shqipëria. Por zhvillimet plot tensione politike në Shqipëri ndikojnë në situatën e përgjithshme të rendit dhe sigurisë dhe favorizojnë sipas vëzhguesve edhe lindjen dhe zhvillimin e këtyre formave të trafikut që tani duket se janë në fillesat e tyre.

Liberalizimi i vizave për shqiptarët pothuajse i dha fund rrjeteve të gjera të organizimit të trafikut të emigrantëve që gjallonin prej vitesh veçanërisht në qytete kufitare të Shqipërisë fqinje me Italinë apo Greqinë. Sipas eksperëtve të policisë këto kontigjente , të cilat i kanë pasur edhe më parë bazat në të dy anët e kufirit do të synojnë forma të reja të trafikut përfshi edhe trafikun tranzit të klandestinëve kurdë, aziatikë dhe nga Lindja e Mesme.

NOA/VOA

KOMENTE