Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Arvizu, deklarata e nxituar e një diplomati
English

Arvizu, deklarata e nxituar e një diplomati

“Është fjala për z. Arvizu, të cilit Berisha i duket si “burrë shteti”. Këtu te ne ka do vite që askush nuk do t’u shkojë ndesh ndërkombëtarëve, aq më tepër SHBA-ve. Dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për politikanët, që nuk duan ta njollosin biografinë se “rrezikojnë” karrierën e tyre nga “zemërimi” i Amerikës. Padyshim nuk mendoj se edhe kjo mënyrë komportimi në politikë ka të bëjë me burrërinë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për vendin kampion të demokracisë dhe fjalës së lirë”.

Nga Fatmir Toçi*

Demonstrata e 21 janarit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ngjarjet që rrodhën pas saj janë kryetema e bisedave dhe debateve midis shqiptarëve kudo që janë, por edhe pjesë e rëndësishme e axhendës së institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, të cilët, dukshëm të shqetësuar janë vënë në lëvizje për të qetësuar shqiptarët dhe për të zgjidhur krizën. Nuk kam ndër mend që nëpërmjet këtyre radhëve të bëj analizën e asaj që ndodhi dhe bilancin e rëndë që pasoi. Si pjesë e një force politike në këtë rreshtim kam qenë dhe jam i bindur në drejtësinë e kauzës së opozitës, që lufton me të gjitha mjetet paqësore e brenda kuadrit kushtetues për më shumë se një vit e gjysmë, për transparencën e leximit të vullnetit të shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2009, për të evidentuar korrupsionin e thellë që ka përfshirë qeverisjen e vendit tim, për të evidentuar grabitjen fare hapur që po i bëhet pasurive kombëtare, për të evidentuar dhunimin e të drejtave dhe lirive më elementare të njerëzve, për të evidentaur rritjen e skajshme të varfërisë deri në kufijtë e mbijetesës, të veshura këto me propagandë e demagogji të pashembullt të një njeriu konfliktual që i ka hipur për së prapthi politikës shqiptare për dy dekada.

Por edhe këto të vërteta të hidhura, që tashmë dihen e shihen nga të gjithë shqiptarët, nuk janë qëllimi parësor i këtyre radhëve, edhe pse përvoja djallëzore politike e Berishës po bën të gjitha përpjekjet, duke vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore, përfshi edhe përfaqësitë e zyrat diplomatike të Shqipërisë në të gjithë botën, që ta largojë vëmendjen e shqiptarëve, mediave, institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe të atyre ndërkombëtare të angazhuara, nga shkaqet e vërteta që e kanë futur vendin në krizë dhe që prej më shumë se një vit e gjysmë dhe i kanë nxjerrë njerëzit në rrugë për të protestur, paqësisht, por të vendosur.

Nuk kam për qëllim as të bëhem pjesë e debatit e të bind të tjerët për provokimin e pashembullt e diletant që shteti, nëpërmjet organeve të rendit dhe Gardës së Republikës, të cilat i përdor e i shpërdor z. Berisha sa herë që i nevojiten, u bëri njerëzve që sapo kishin nisur të protestonin paqësisht, me anë të një demonstrate të paralajmëruar dhe për të cilën ishte bërë njoftimi zyrtar i nevojshëm. Puna titanike e mediave shqiptare, por edhe e qindra e mijëra kamerave vetjake të pjesëmarrësve në demonstratë, dëshmitë e çdo pjesëmarrësi në këtë tubim e kanë nxjerrë në shesh të vërtetën tragjike se shteti vrau me armë luftarake tre civilë të pafajshëm, plagosi dhe lëndoi dhjetëra të tjerë, dhunoi dhe ndaloi këdo që gjeti në rrugë pas kësaj, dhunoi e shkatërroi mjedise e objekte në pronësi private. Dhe jo vetëm kaq, por bëri të gjitha përpjekjet demagogjike për t’ia faturuar vrasjet opozitës dhe, kur nuk ia doli, mori nën mbrojtje vrasësit edhe duke i shpërblyer, sulmoi Prokurorinë, SHIK-un dhe Presidentin e Republikës që nuk u bënë palë me të, kërcënoi opozitën dhe shefin e saj me arrest e, madje, me vdekje, insinuoi për grusht shteti nga njerëz që mbanin çadra në vend të armëve etj., duke e futur kryeqytetin në një terror të tipit fashist të paparë që nga shtatori i vitit 1998, ku në grushtin e shtetit të organizuar në atë kohë Berisha ishte përgjegjësi kryesor dhe i vetëm.

Ajo që më bëri të marrë penën e të shkruaj, të shprehem në një farë mënyre për të veçantat e asaj që po ndodh sot në Shqipëri është një prej prononcimeve të z. Arvizu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë, për qëndrimin burrëror të kryeministrit Berisha. Dhe a e dini përse? Sepse me kërkesën e Tij, ai u tërhoq nga protesta e ditës së shtunë (një herë më parë ishte thënë për të ditën e mërkurë(!)), edhe për shkak të motit të ftohtë e me shi, që ai, Berisha, e kishte parë në internet në Ipod-in e tij(!). Në fakt, z. Arvizu është i sapoardhur në Shqipëri dhe, padyshim, nuk ka pasur kohë të njihet me historinë e këtij vendi, nuk ka pasur kohë as të mësojë sa duhet për historinë politike 20-vjeçare shqiptare, të mësojë për Berishën, Nanon, Metën, Ramën e të tjerët. Nuk ka pasur kohën e mjaftueshme të mësojë për shprehjet, fjalët e urta dhe kuptimet e tyre në gjuhën shqipe. Z. Arvizu, në vendin tonë nuk i thuhet burrë një njeriu që nuk e mban fjalën, apo, siç e thotë populli, që e dredh dhe kthen fletën nga të fryjë era. Te ne nuk i thuhet burrë një njeriu të akuzuar për vrasje, apo të akuzuar se ka urdhëruar që të vrasë. Aq më tepër nuk i thuhet “burrë shteti”. Një njeriu të akuzuar për vrasje, apo që akuzohet se ka urdhëruar të tjerët të vrasë ne në shqip i themi vrasës, apo më ashpër akoma e quajmë kriminel dhe për të ka ligje se si duhet trajtuar. Më parë vepronte Kanuni e zakoni, që do të thotë gjykimi popullor i kthyer në institucion. Sot, si në të gjitha shoqëritë e qytetëruara, vepron e duhet të veprojë ligji.

Një diplomat i lartë, mik i shqiptarëve dhe që përfaqëson një vend mik, e ka quajtur “burrë shteti” një njeri që mbron vrasësit e njerëzve të pafajshëm, dhe jo vetëm një herë gjatë këtyre dy dekadave. Do të mjaftonin ngjarjet e viteve ’96 - ’97, grushti i shtetit më 1998, dhe para pak kohësh tragjedia e Gërdecit për ta çuar para drejtësisë këtë njeri që nuk ndalet përpara çdo mjeti në interes të mbajtjes së pushtetit. Është quajtur burrë shteti një njeri, ndërkohë që të tillë njerëz ne në shqip i quajmë burracakë. Dhe dallimi kuptimor midis fjalës “burrë” dhe “burracak”, edhe pse kanë të njëjtën rrënjë, e për një të huaj duket sikur ngjajnë, është aq i përafërt sa janë të ngjashme dita me natën.

Ne nuk i themi burrë një njeriu që vjedh, siç ka bërë kryeministri i vendit me vjedhjet e vullnetit të popullit në zgjedhjet e fundit; ne nuk i themi burrë një njeriu që ka frikë, siç po bën Berisha me pengimin me çdo mjet të transparencës së këtyre zgjedhjeve; ne nuk i themi burrë një njeriu që bën pehlivanin në politikë, siç bën Berisha kur ndryshon çdo ditë, apo çdo orë qëndrimet e tij politike, ndaj opozitës, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë; ne nuk i themi burrë, e aq më pak burrë shteti, një njeriu që shfaqet i papërgjegjshëm, politikisht e mendërisht në politikën shqiptare; ne nuk mund t’i themi burrë shteti, madje as burrë, por grua e ligë, një njeriu që shfaqet në Parlamentin shqiptar apo tribunat e tjera zyrtare si një gojështhurur ordiner duke përgojuar çdo njeri dhe familjet e tyre. Ne nuk i themi burrë, e aq më pak burrë shteti, një njeriu që ka marrë nën mbrojtje shtetarët hajdutë dhe vrarësit me pagesë vetëm e vetëm që të mos prishet rendi i goglave të qeverisë, mbi të cilat është ngritur pushteti i tij.

Këtu te ne ka do vite që askush nuk do t’u shkojë ndesh ndërkombëtarëve, aq më tepër SHBA-ve. Dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për politikanët, që nuk duan ta njollosin biografinë se “rrezikojnë” karrierën e tyre nga “zemërimi” i Amerikës. Padyshim nuk mendoj se edhe kjo mënyrë komportimi në politikë ka të bëjë me burrërinë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për vendin kampion të demokracisë dhe fjalës së lirë. Kjo ka të bëjë më shumë me konformizmin e të bërit politikë në vendin tim të vogël, ku vazhdimisht zgjidhjen e problemeve më të mëdha kombëtare, rrugën politike që duhet të ndjekin liderët e saj për të qenë “në rregull” dhe të sigurtë në krekosjen e tyre para një populli të varfër dhe opozitës së shtypur e kanë lidhur vazhdimisht me humorin e më të fortëve në politikën botërore. Historia e 20 vjetëve të fundit e politikës së re shqiptare nuk është gjë tjetër veçse akrobacia e shëmtuar e liderëve të saj për të mbajtur sytë dhe veshët hapur dhe gjithmonë të vëmendshëm për të lexuar si duhet mesazhet që vinin nga jashtë, edhe pse në të shumtën e herëve këto mesazhe kanë qenë të palexueshme, të pakuptueshme e të padeshifrueshme, që kritikonin të dyja palët dhe u jepnin të drejtë të dyja palëve, duke u dhënë mundësinë të dyja palëve që të citonin dhe përdornin në luftën e tyre për pushtet ato pjesë që u shkonin pas shtatit. E meqë jemi te fjalët e urta, ka një fjalë të tillë në shqip që thuhet “as mish, as peshk”, pra, një gjellë pa shije që nuk hahet.

Po le të kthehemi edhe një herë te fjala që lëshua para pak ditësh, kur kryeministri i vendit tim dikujt, që me siguri nuk e njeh sa i si duhet, i është dukur me të vërtetë si burrë shteti. Në një kohë e situatë kur një vlerësim i tillë ka treguar fare hapur një anim të tepruar në vlerësimin midis palëve. Midis palës që provokoi, vrau dhe shtypi me dhunë një popull të pakënaqur deri në kufijtë e zemërimit, dhe palës që protestonte në mënyrë civile për më shumë liri e demokraci në këtë vend, kundër korrupsionit që i ka zënë frymën vendit dhe për një jetë më të mirë. Kërkoj ndjesë nëse shprehja ime duket e ashpër, por nuk ka qenë aspak prej diplomati, aq më tepër të paanshëm, që në një situatë të tillë të ngatërrohet burri me burracakun, burri i shtetit me vrasësin apo përgjegjësin për humbjen e jetës së njerëzve të pafajshëm.

Një deklaratë si kjo, në një kohë dhe situatë të tillë të ndezur, në vend që të qetësojë do t’i zemërojë më shumë ata që kanë zgjedhur rrugën e protestës për të shprehur qëndrimin e tyre ndaj qeverisjes aktuale, do të ndikonte negativisht në agravimin e situatës, madje më shumë se lajthitja e Berishës për të mbledhur qeveritarët e buxhetorët në një protestë ndaj protestës, pa kuptuar kundër kujt dhe përse!

Dhe për t’i shkuar deri në fund konceptit të burrërisë dhe “burrit të shtetit” në gjuhën shqipe. Manifestimi-homazh i datës 28 janar, i organizuar e drejtuar nga opozita shqiptare, për t’i bërë homazhet e duhura dhe të merituara tre qytetarëve të pafajshëm që i vrau shteti dhe veglat e tij ishte një shenjë burrërie, ishte një shenjë e respektimit të të vdekurve, një zakon i lashtë në vendin tim, por besoj edhe në vendet e tjera. Ata njerëz u vranë në rrugë, publikisht, ndaj dhe meritojnë nderimin, respektimin e zakonit dhe respektin e të gjithë njerëzve po publikisht. Ndërsa paburrëri apo burracakëri është ajo në batakun e të cilit ka rënë Berisha: nuk ka pasur kurajë të thotë një fjalë ngushëllimi për të vdekurit, madje është shprehur se pak ishin, mund të ishin edhe 300; ka dalë në mbrojtje të përgjegjësve të masakrasës të datës 21 janar, duke e kthyer edhe godinën e kryeministrisë në kullë ngujimi; ka nxjerrë urdhër që të shpërblejë ata që ushtruan dhunë ndaj një populli të paarmatosur, ku midis tyre janë edhe vrasësit, në vend që t’i hapë rrugë drejtësisë dhe të bashkëpunoë më të; sulmon institucionet e shtetit që nuk bëhen palë e krimit, në përpjekje për nënshtrimin përfundimtar të tyre; krijon alibira institucionale, duke poshtëruar gjysëmparlamentin ta duartrokasë e të vërë në punë komisione hetimore, për të hetuar çdo gjë përveçse vrasësit; vazhdon me fjalorin e tij të shthurur të ndotë mjedisn shoqëror shqiptar, duke u shfaqur si faktori parësor për irritimin e njerëzve, duke u pozicionuar si një provokator ordiner me pasojë destabilizimin e vendit.

Dhe për ta dalluar burrin, burrin e shtetit dhe burracakun, të nderuar miq e partnerë ndërkombëtarë, mjafton të vëreni shfaqjet, prononcimet publike dhe mediatike, qëndrimet dhe veprimet, mbështetjen që ka në popull të atij që u quajt “burrë shteti” vetëm sepse nuk ka shtyllë kurrizore dhe liderit të opozitës që kërkoi të bënte adetin ndaj të vrarëve nga dhuna e shtetit diktaturë dhe që është ngritur në protesta e kërkon zgjidhje të situatës me mjete ligjore në një vend që drejtësia dhe demokracia janë më në rrezik se kurrë.

*Autori është deputet i Partisë Socialiste.

KOMENTE