English

Apeli i femrave në karrierë: Ndal dhunës verbale ndaj gruas shqiptare

Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA- Të mbledhura së bashku femra politikane, gazetare, artiste dhe pjesë e botës akademike, ndër më publiket e kohës, apelojnë ndalimin e dhunës verbale ndaj femrës shqiptare.

23 prej tyre si : Adriana Berberi, Alketa Vejsiu, Anita Shkëmbi, Arlinda Dudaj, Alba Agolli, Aida Bala, Diana Çuli, Eneida Belkovi, Eranda Ndregjoni, Fjodora Fjora, Juliana Hoxha, Kristina Jorgaqi, Meme Xhaferaj, Milika Dhamo, Milva Ekonomi, Mirela Arqimandriti, Mimoza Dervishi, Mimoza Picari, Monika Kocaqi, Rajmonda Bozo, Rudina Xhunga, Zamira Çavo, dhe Valdet Sala i janë drejtuar me një letër opinionit publik shqiptar duke dënuar dhunën verbale ndaj femrës shqiptare.

Në letër shkruhet:

Prej kohësh kemi ndjekur me shqetësim e tronditje të thellë gjuhën e përdorur nga Kryeministri i vendit në daljet e tij publike. E njëjta gjuhë u përdor së fundi edhe ndaj Kryeprokurores së Republikës, znj. Ina Rama.

Ne besojmë se sot çdo grua ndjehet e lënduar, e fyer dhe e dhunuar nga një sjellje e tillë agresive e jo qytetare ndaj një nëne, një gruaje dhe një drejtueseje të një Institucioni të Pavarur Kushtetues. Kjo gjuhë, përveçse fyerje e denigrim ndaj personalitetit të Kryeprokurores, është njëherësh edhe një presion direkt që i ushtrohet për shkak të detyrës.

Ne dëshirojmë të kujtojmë se nuk është as në traditën e shqiptarëve që një burrë, një prind e gjysh, e për më tepër Kryeministri i vendit, të cenojë nderin e dinjitetin e grave të këtij vendi. Nuk është në nderin dhe në moralin e burrave shqiptarë, që kanë ditur të respektojnë e të lartësojnë vlerat e grave shqiptare, t’i fyejnë ato për shkak të angazhimit publik apo politik.

Politika shqiptare, drejtimi i shtetit, administrata kanë nevojë për pjesëmarrjen e grave, për kurajon, për dinjitetin e profesionalizmin e tyre, për aftësinë për të mos u bërë palë. Kjo vlerë nuk mund t’ju kthehet grave në kosto.

Gjuha e përdorur nga Kryeministri i vendit, përveçse një shkelje e rëndë e etikës dhe e moralit qytetar dhe traditës shqiptare është gjithashtu dhunim i të drejtave njerëzore të parashikuara në konventat ndërkombëtare, të cilat Shqipëria i ka nënshkruar.

Ne sot bëjmë apel që të ndalet gjuha e fyerjes, gjuha e dhunës dhe e presionit dhe të respektohen të drejtat e grave, vajzave dhe nënave si të drejta themelore njerëzore.

Gratë dhe vajzat shqiptare e kanë merituar respektin e shoqërisë, ato nuk kërkojnë lëmoshë, por respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si profesioniste të afta.

a.y/NOA

KOMENTE