Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Pse janë shtuar konfliktet
English

Pse janë shtuar konfliktet

“Një ndër arsyet për këtë mospërputhje mes realitetit dhe perceptimit që kemi për realitetin, mund të jetë revolucioni i teknologjisë së informacionit që kemi përjetuar gjatë dekadave të fundit, në sajë të së cilës tashmë lajmet nga gjithë bota na sillen në mënyrë të menjëhershme, të gjallë e të vazhdueshme. Natyra e menjëhershme e imazheve dhe intensiteti i ciklit njëzetekatërorësh të lajmeve, kombinohen për të prodhuar një hiperbolizim të vazhdueshëm. Çdo çrregullim i motit bëhet “stuhia e shekullit.” Çdo bombë që shpërthen është BREAKING NEWS!”

Nga Fared Zakaria

Imagjinoni sikur jeni kthyer në janar të vitit 2000 dhe i kërkoni një fallxhori t’ju parashikojë ecurinë e ekonomisë globale gjatë viteve që vijnë. Le të themi se i jepni edhe disa të dhëna për ta ndihmuar që të shohë në globin e tij të kristaltë. I shpjegoni se Shtetet e Bashkuara do të goditen nga sulmi më i madh terrorist në histori, ndaj të cilit ato do të reagojnë duke nisur dy luftëra, njëra prej të cilave do të shkojë shumë keq, duke e kredhur Irakun, vendin e tretë në botë për nga rezervat e naftës, për vite me radhë në një gjendje kaotike. Irani do forcohet në Lindjen e Mesme dhe do përpiqet të sigurojë kapacitete bërthamore. Koreja e Veriut do të shkojë edhe më tej, duke u bërë fuqia e tetë bërthamore e deklaruar në botë. Rusia do rimarrë një qëndrim armiqësor dhe imperial në marrëdhëniet e saj me fqinjët dhe me Perëndimin. Në Amerikën Latine, Hugo Chavez i Venezuelës do nisë fushatën më të zjarrtë anti-perëndimore që është parë gjatë një gjenerate të tërë, duke fituar shumë aleatë dhe mbështetës. Izraeli dhe Hezbollahu do të bëjnë luftë në Libanin e jugut, duke destabilizuar qeverinë e brishtë të Beirutit e duke futur në valle Sirinë e Iranin dhe duke alarmuar vetë izraelitët. Gaza do të kthehet në një shtet të dështuar, të sunduar nga Hamasi dhe bisedimet e paqes mes Izraelit dhe palestinezëve do të futen në një qorrsokak. “Duke pasur parasysh këto ngjarje,” i thoni fallxhorit, “si do të ecë ekonomia globale gjatë gjashtë viteve të vinë?”

S’është fjala thjesht për një situatë hipotetike. Në fakt, kemi parashikimet e formuluara nga disa ekspertë në ato vite. Të gjitha dolën të gabuara. Parashikimi i saktë do të kishte qenë që mes vitit 2000 dhe 2007 ekonomia botërore do të rritej me ritmin më të shpejtë të thuajse katër dekadave të fundit. Të ardhurat për frymë anembanë globit do të riteshin me ritmin më të shpejtë (3,2 për qind) të regjistruar ndonjëherë në çfarëdo epoke tjetër në histori.

Gjatë dy dekadave që kanë kaluar që nga fundi i Luftës së Ftohtë kemi jetuar në një paradoks, një paradoks të cilin e përjetojmë çdo mëngjes kur lexojmë gazetat. Politika botërore duket thellësisht e trazuar, me lajme të përditshme për bomba, plane terroriste, shtete zuzare dhe konflikte civile. E megjithatë, ekonomia botërore bën përpara, me ndërprerje dhe kriza të rëndësishme, por gjithsesi, në tërësi, po ecën energjikisht përpara. Duket sikur faqja e parë e gazetave nuk ka lidhje me faqet e biznesit.

Më kujtohet kur flisja me një anëtar të qeverisë izraelite pak ditë pas luftës me Hezbollahun, në korrik 2006. Ai ishte me tërë mend i shqetësuar për sigurinë fizike të vendit të tij. Raketat e Hezbollahut kishin depërtuar më brenda territorit izraelit nga ç’ia kishte marrë mendja njeriu dhe përgjigja ushtarake e Izraelit nuk është se kishte ngjallur shumë besim. Pastaj e pyeta për ekonominë – fusha e tij e ekspertizës. “Ajo na ka habitur të tërëve,” më tha. “Bursa ishte në nivele më të larta gjatë ditës së fundit të luftës, sesa gjatë ditës së parë! E njëjta gjë ndodhi dhe me shekel-in [monedha izraelite].” Qeveria ndoshta ishte trembur, por nuk kishte ndodhur kështu me tregun.

Ose merrni Luftën në Irak, e cila ka sjellë një kaos të madh e zgjatur në atë vend, ndërkohë që mbi dy milionë refugjatë janë dyndur në vendet fqinje. Kjo lloj krize politike duket e destinuar të shtrihet edhe më. Por, të udhëtoje nëpër Lindjen e Mesme gjatë këtyre viteve të fundit, mbeteshe pa mend kur shihje sa pak e kanë destabilizuar rajonin problemet e Irakut. Kudo që të shkosh, njerëzit denoncojnë të revoltuar politikën e jashtme amerikane. Po ku janë provat reale të destabilizmit rajonal? Pjesa më e madhe e vendeve të Lindjes së Mesme – për shembull, Jordania, Arabia Sudite dhe Egjipti – po jetojnë një periudhë bumi. Turqia, e cila ka një kufi të përbashkët me Irakun, ka pasur një rritje mesatare vjetore prej më tepër se 7 për qind që prej fillimit të luftës. Abu Dhabi dhe Dubai, një orë larg Bagdadit me avjon, kanë vazhduar të ndërtojnë grataçiela mbresëlënëse e ikonike, si të jenë në ndonjë tjetër planet. Vendet e përfshira në Irak – Siria dhe Irani – veprojnë kryesisht jashtë kuadrit të ekonomisë globale dhe kësisoj kanë më pak për të humbur nëse krijojnë probleme.

Si shpjegohet kjo mospërputhje mes një politike që po përshkon një spirale rënieje dhe një ekonomie që mbetet e fortë? Së pari, ia vlen të shikojmë më me kujdes ortekun e lajmeve të këqija. Duket sikur po jetojmë në kohë të karakterizuar nga një dhunë e çmendur. Por, mos i besoni çdo gjëje që shihni në televizion. Përshtypjet tona të bazuara tek anekdotat, rezultojnë të gabuara. Gjatë dy dekadave të fundit, luftërat dhe dhuna e organizuar kanë patur një rënie të ndjeshme. Ted Roberts Gurr dhe një ekip studiuesish të Qendrës për Zhvillimin Ndërkombëtar dhe Menaxhimin e Konflikteve, në University of Maryland, i shqyrtuan me kujdes të dhënat dhe mbërritën në përfundimin e mëposhtëm: “Shtrirja e përgjithshme e luftës në shkallë globale, ka patur një ulje me mbi gjashtëdhjetë përqind [që prej mesit të viteve 1980], duke arritur në vitin 2004 nivelin më të ulët që prej fundit të viteve 1950.”[i] Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë dhuna pati një rritje të vazhdueshme – u rrit gjashtë herë mes viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1990 – por kjo tendencë arriti kulmin e saj pak përpara kolapsit të Bashkimit Sovjetik, në 1991, ndërsa “shkalla e luftës mes shteteve dhe brendapërbrenda shteteve pothuajse u përgjysmua gjatë dekadës së parë pas Luftës së Ftohtë.” Profesori eklektik i Harvard-it, Steven Pinker, sugjeron se “Sot ka të ngjarë të jemi duke jetuar në kohën më paqësore të ekzistencës së species sonë.”[ii]

Një ndër arsyet për këtë mospërputhje mes realitetit dhe perceptimit që kemi për realitetin, mund të jetë revolucioni i teknologjisë së informacionit që kemi përjetuar gjatë dekadave të fundit, në sajë të së cilës tashmë lajmet nga gjithë bota na sillen në mënyrë të menjëhershme, të gjallë e të vazhdueshme. Natyra e menjëhershme e imazheve dhe intensiteti i ciklit njëzetekatërorësh të lajmeve, kombinohen për të prodhuar një hiperbolizim të vazhdueshëm. Çdo çrregullim i motit bëhet “stuhia e shekullit.” Çdo bombë që shpërthen është BREAKING NEËS! Është e vështirë t’i vendosësh të gjitha këto në perspektivë sepse revolucioni i informacionit është kaq i ri. Ne nuk patëm mundësi të shihnim pamjet e përditshme të rreth dy milion njerëzve që vdiqën në fushat e vdekjes të Kamboxhias në vitet 1970, apo të një milion njerëzve që vdiqën në shkretëtirat e luftës Irak – Iran në vitet 1980. S’patëm mundësi të shihnim shumë reportazhe nga lufte e Kongos e viteve 1990, me miliona viktimat e saj. Kurse sot, kemi përditë një mbulim thuajse të drejtpërdrejtë të efekteve të IED [pajisje shpërthyese të improvizuara], apo të makinave bombë dhe raketave – që natyrisht janë ngjarje tragjike, por ku shpesh bilanci i viktimave s’e kalon numrin dhjetë. Elementi i rastësishëm i dhunës terroriste, sulmet ndaj civilëve dhe lehtësia me të cilën ata mund të depërtojnë në shoqëritë moderne, e shtojnë ndjenjën ton të shqetësimit. “Mund të më kishte ndodhur edhe mua,” thonë njerëzit pas ndonjë sulmi terrorist.

Duket si një botë mjaft e rrezikshme. Por nuk është ashtu. Shansi që ju të vdisni si pasojë e ndonjë episodi e çfarëdo lloj dhune të organizuar është i vogël dhe sa vjen e zvogëlohet. Të dhënat flasin për ekzistencën e një tendence të përgjithshme të pakësimit të luftërave midis shteteve kryesorë, pra të atyre lloj konflikteve që shkaktojnë një numër të madh viktimash.

Jo se unë besoj se luftës i ka kaluar koha, apo marrëzi të tjera të këtij lloji. Natyra njerëzore mbetet ajo që është dhe politika ndërkombëtare mbetet ajo që është. Historia ka parë periudha qetësie, të cilat janë pasuar nga gjakderdhje të mëdha. Dhe numrat nuk janë e vetmja njësi matëse e së keqes. Natyra e vrasjeve në ish Jugosllavi në fillimin e viteve 1990, të paramenduara, të motivuara nga urrejtja fetare, sistematike, i jep asaj lufte, e cila shkaktoi 200.000 viktima, një damkë morale që duhet të radhitet mjaft lartë në çfarëdo shkalle matjeje. Barbaritë e Al-Qaedas – prerja me gjakftohtësi e kokave dhe sulmet e qëllimshme ndaj njerëzve të pafajshëm – janë makabre, pavarësisht nga numri relativisht i vogël i viktimave.

Sidoqoftë, nëse duam të kuptojmë kohën në të cilën jetojmë, duhet së pari ta përshkruajmë atë saktësisht. Dhe për momentin, e parë nga një perspektivë historike, kemi të bëjmë me një periudhë jashtëzakonisht të qetë.

*Artikulli është pjesë e librit “Bota pas-amerikane”, i gazetarit Fared Zakaria, i përkthyer në Shqip nga Maklen Misha.

KOMENTE