English

Shqiptarët, mysafirë të Obamës

Uashington, 3 Shkurt 2011 NOA - Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama priti të enjten personalitete nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës, në takimin tradicional që thirret “Mëngjesi Kombëtar i Lutjeve - National Prayer Breakfast”.

Komiteti organizator i ka ftuar edhe disa përfaqësues të shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës për të marrë pjesë në këtë ngjarje, e cila ka karakter të një forumi liderësh.

Në këto takime, përfaqësohet edhe Shqipëria rregullisht në dekadën e fundit.

Kësaj radhe pjesëmarrës si përfaqësues të Shqipërisë ishin Ministri i Ambientit Fatmir Mediu dhe Damian Gjiknuri, tha një burim për agjencinë e lajmeve INA nga ambasada e Shqipërisë në Uashington.

Ndërkaq, nga Kosova, mysafirë të presidentit Obama ishin, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, prof.dr.Enver Hasani, Xhavit Haliti nga PDK-ja, ministri në largim i Ekonomisë dhe Financave, profesor Ahmet Shala, ish ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, dhe kryetari i SLS-së, Slobodan Petrovic, ndërsa ftesë ka marrë edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Presidenti Obama foli në Mëngjesin Kombëtarë të Lutjeve në Uashington. Gjithashtu, kësaj radhe ai kishte planifikuar për të folur edhe për burrin e kongresistes së plagosur me armë zjarri Gabrielle Giffords, astronauti Mark Kelly.

Mëngjesi Kombëtarë i Lutjeve 2011, u mbajt në Uashington, në hotelin Hilton International Ballroom dhe filloi pak para 09:00 të ditës së enjte në mëngjes.

Kjo është ceremonia e 59-të e “ Mëngjesit te Kombëtar i Lutjeve - National Prayer Breakfast” që zhvillohet në Uashington.

Takimi i cili mbahet çdo të enjte të parë të shkurtit dhe mbledh rreth 3 mijë vizitorë, ku një e treta vijnë nga jashtë. Në këtë ceremoni, ku nikoqir është presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, marrin pjesë shumë burrështetas dhe personalitete të shquara nga tërë bota nga të gjitha fushat e jetës.

Prej rënies së komunizmit, fati e ka sjell që dy dekadat e fundit të jenë të ftuar edhe personalitetet shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

Tradita e mbledhjes në lutjet e mëngjesit është e vjetër rreth 6 dekada dhe daton që nga koha e presidentit Dwight Wisenhower i cili në vitin 1953 me një grup kongresmenësh organizoi një takim që kishte për qëllim lutje për Amerikën.

KOMENTE