English

Alergjia ndaj kulturës

“Nuk besoj se jemi të aftë të prodhojmë vetëm se kulturën e zisë, të shantazhit apo teorive të përzishme konspirative. Në këtë vend prodhohet edhe kulturë e lartë, art elitar. Bëhen përpjekje të vazhdueshme, por ne nuk e njohim atë që quhet rëndom “heroi kulturor” i përditshmërisë. Ka përpjekje për të instaluar në ndërgjegjen e qytetarit vetëm kulturën e kujës, zisë, rënkimit e ankesave, a thua se këtu, në këtë vend mesdhetar, qenkëshim mu në zemër të ferrit”.

Alergjia ndaj kulturës

Nga Agron Tufa

Në këtë vend nuk ndodhin vetëm ngjarje të trishta, dramatike, tragjike e makabre. Në atdheun tonë ka vend edhe për realitete të tjera, aspak të ngjashme me zhaurimën e hadit, që na e servirin mediat tona me një regjim njëzet e katër orësh në cilësinë e adrenalinës. Në këtë vend ka plot ngjarje të rëndësishme, arritjesh, befasish e kurajoje. Ushqimi ynë i përditshëm informativ nuk janë vetëm realitetet acaruese e psikotropike të rrugës, që shumëfishohen në faqet e para të gazetave. Dhe nuk besoj të jetë ky i vetmi ushqim që meriton lexuesi ynë. Doza e helmit mund të dobësohej pak edhe me lajme të tjera, të çelëta, shpresëdhënëse. Dhe nuk besoj se jemi të aftë të prodhojmë vetëm se kulturën e zisë, të shantazhit apo teorive të përzishme konspirative. Në këtë vend prodhohet edhe kulturë e lartë, art elitar. Bëhen përpjekje të vazhdueshme, por ne nuk e njohim atë që quhet rëndom “heroi kulturor” i përditshmërisë. Ka përpjekje për të instaluar në ndërgjegjen e qytetarit vetëm kulturën e kujës, zisë, rënkimit e ankesave, a thua se këtu, në këtë vend mesdhetar, qenkëshim mu në zemër të ferrit. Nuk është aspak ashtu! Vetëm se duhet pak mund e mendje më e hapët për të konstatuar se nuk jemi aspak mjeranë për të na qarë kush hallin. Gjëmën e bëjnë atë, që gjëmën e kanë në kokë! Nuk është aspak dekurajuese gjendja edhe në sferën e vlerave tona shpirtërore, siç është letërsia, për të cilën sot jam i shqetësuar, jo për atë vetë, por për pakujdesinë dhe verbërinë tonë, që i kalon pranë dhe nuk e vëren dot.

Ka një traditë, tashmë të formësuar, të ngjarjeve kulturore-letrare më të rëndësishme për harkun e çdo viti. Një ndër to, e nga më të padyshimtat, janë edhe çmimet vjetore Letrare Kombëtare, që sponsorizon MTKRS, duke ia deleguar gjykimin e vlerave artistike një Jurie të pavarur, me ekspertizë të padyshimtë letrare e shkencore. Çdo vit përzgjidhen autorët dhe veprat më të mira, që shënojnë risitë dhe rritjen e kulturës sonë letrare kombëtare. Dhe nuk është aspak, o Zot, aspak e vërtetë, që juritë dhënkan çmime të orientuara politikisht, siç mundohet të bëjë atentat paraprak në imazhin e Konkursit ndokush, që edhe ajrin e sheh politikisht. Së paku shprehem për jurinë e këtij viti, në të cilën kam qenë kryetar i saj.

Por çdo vit, kam vënë re se ndodh e njëjta gjë: ngjarja më e madhe kulturore e vitit, ndarja e dhjetë çmimeve letrare në zhanre të ndryshme, klasifikohet si informacioni më i padenjë nga mediat tona. Njëlloj si viteve të tjera, edhe këtë vit, lajmi më i rëndësishëm vjetor i kulturës shqiptare kaloi në anonimitet të plotë: asnjë gazetë (përveç “Panoramës”), qoftë e spektrit të majtë, qoftë e së djathtës, nuk denjoi ta përmendte as shkarazi si lajm në faqen e parë. Akoma më keq, dy-tri gazeta që e përmendin në mënyrë fragmentare, të cungët, duke zhdukur lidhjen me identitetin e lajmit. Ashtu si shumë njerëz të kulturës, ashtu si të gjithë fituesit, ashtu si gjithë anëtarët e tjerë të jurisë, edhe unë jam personalisht i fyer dhe i revoltuar. Sepse ndodhi përsëri. Saktësisht siç ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme. Faqet e para të gazetave të djeshme janë të mbushura cit me lajme të kreshpëruara, acaruese, me shantazhe politike e makinacione makiavelike. Gjithçka mund të lexosh në anonçimet e faqeve të para: histori hakmarrjesh, paralajmërime demonstratash, raporte sekrete, dosierë për bëmat e diktaturës, epidemitë, vrasjet, grabitjet, incestet, vetëvrasjet, sherret e vjedhjet e bankave, njerëz në kërkim, aksidente automobilistike, lotari, etj, etj., - gjithë pluhurnaja acide e përditshmërisë sonë dekurajuese. Në faqet e gazetave tona u jepet rëndësi të madhe brekëve të aksh këngëtareje apo ngacmimeve seksuale në Big-Brother, por asnjë vend nuk gjen në faqet e para për të shpallur, se në këtë katrahurë të madhe janë dhënë 10 çmimet më të rëndësishme Kombëtare të Letërsisë për vitin që lamë pas.

Dje, në fjalën time si kryetar i jurisë, bëra edhe një thirrje mirëkuptuese për gazetarët dhe shefat e tyre: që të gjejnë pak vend dhe ta lajmërojnë këtë ngjarje me dinjitetin që duhet të meritojë. Nuk kam asgjë kundër gazetarëve të kulturës. Ata e kanë kryer detyrën e tyre dhe njëmend, që në faqet e brendshme, andej nga fundi, jepet thelbi i veprimtarisë. Por kurrsesi jo në faqet e para! Përse vallë ndodh kështu? Mos vallë kaq e padenjë qenka kultura jonë letrare, sa të kalohet si material i parëndësishëm, thjesht për të mbushur boshllëqet e gazetave? Prandaj nuk është çudi kur në studio televizive dhe faqe gazetash, me një hutim e dilemë prej viçi, ngrihet gjithmonë refreni monoton, se gjoja, ne nuk kemi letërsi, nuk kemi arritje, nuk kemi cilësi, nuk kemi emra, nuk kemi maja, siç kemi pasur, fjala vjen, në kohën e artë të shokut Enver.

1.Sindroma e “prishjes së festës”

Ka një barrierë psikologjikisht të pakapërcyeshme për mendësinë e politikave redaksionale. Kryeredaktorët nuk e honepsin dot kulturën që vjen nga libri. Duket qartazi kjo. Libri që (më shumë se shkopi i majmunit darvinian) e ka krijuar fizionominë morale e kulturore të njeriut të sotëm, tashmë është shndërruar në objekt jo kulti, por alergjie. Atij nuk po i lënë më vend, e kanë përzënë në ca shtampa retorike, dekorative e ekzotike. Ai shfrytëzohet tash si një detaj zbukurues në përmendje fort të rralla, por në fakt nuk lexohet; librit i është mohuar roli edukues, duke u konsideruar tashmë objekt alergjie. Të paktën për drejtues të gazetave tona, të cilët, me sa duket “i zë libri”. Atëherë çfarë qenka e denjë, po ta përjashtojmë rolin e librit? Gjithçka tjetër, që ... Zot ruajna!

E theksoj, nuk qëndron problemi në paaftësinë e gazetarëve të kulturës. Përkundrazi, është e dhimbshme të shohësh se si shkrime mjaft të bukura janë strukur në faqet e fundit. Problemi me të cilin ndeshemi, është qartësisht i thjeshtë: trysnia dhe ethet e kacagjelimeve politike po errësojnë gjithçka, po thellojnë dhe po e bëjnë obsesive idenë e rrezikshme, se nuk ia vlen asgjë tjetër të hyjë në komunikim, përveç kacafytjes politike, përveç melodramave, horrorit dhe kronikës së zezë. Ky është ai “opiumi” i vërtetë i manipulimit të ndërgjegjes qytetare. Sepse, nëse ti pushon së ndërtuari komunikimin me gjuhën e përjetshme artistike (gjuha më demokratike e njerëzimit), alterantiva tjetër është ligjërimi i demagogëve politikë. Njëri ligjërim synon ta eklipsojë tjetrin. Në mungesë të ligjërimit letraro-artistik, njeriu bie pre e ligjërimit demagogjik oral: të lidershipëve, militantëve dhe turmave. Nuk besoj se duhet të modelohemi pro këtij tipi të mbramë ligjërimi. Përkundrazi, duhet të distancohemi skajshëm, të shlyejmë zhulin ideologjik të këtij ligjërimi, të cilin e kemi akumuluar për gjysmë shekulli. Mirëpo interesat nuk i caktojmë ne. Interesat dhe zgjedhjen e përcaktojnë instancat mediatike të lidhura me politikën.

Ndiej vërtet keqardhje, por edhe fyerje njëherësh, se si në një gazetë të përditshme, ku punojnë ndoshta 2 gazetaret më të talentuara të kulturës, të shpallej grafikisht e vizualisht gjithë mllefi dhe cinizmi i mjerë, kundër Konkursit, duke iu vërsulur MTKRS-së, në mungesë të ndonjë argumenti tjetër. Nuk e di çfarë kanë pritur të ndodhte në këtë konkurs suflerët e kësaj gazete, por duket qartazi se ajo çfarë prisnin dhe nuk ndodhi, i ka shtyrë suflerët e gazetës të hidhen tek “varianti rezervë”, duke krijuar një kolonë të bardhë (bosh) me efekt vizual. Në krye të kolonës bosh kemi titullin për çmimet letrare dhe në fund të kolonës - një shënim, ku arsyetohet bojkoti institucional ndaj MTKRS për mosinformim të aktivitetit. Kam të dhëna se njëra nga gazetaret ka qenë e lajmëruar. Është tjetër punë ajo, se gazetari e ka për detyrë të gjejë vetë lajmin dhe të informojë lexuesin e vet, edhe nëse, fjala vjen, nuk e kanë “sajdisur”. Por sa është e vërtetë? Pata rastin ta shoh me sytë e mi, se nuk është aspak e vërtetë. Lajmërimi paskësh shkuar dhe fakte për këtë ekzistojnë në cilësinë e provës. Pak a shumë agjenda e gazetarëve të kulturës nis nga sensacioni më i madh dhe të gjithë gazetarët e dinë çfarë ndodh. I trishtueshëm është fakti se dhjetë fituesit, shkrimtarë, poetë, studiues e përkthyes, që shenjojnë arritjet më të mëdha të letërsisë shqipe në të gjitha gjinitë për vitin që shkoi, më shumë se sa mospjesëmarrja, i vret alibia e përdorimit të tyre politik, duke pasur në thelb një vepër krejt apolitike. Sigurisht jo vetëm ata. Edhe juria. Edhe Lexuesit. Madje edhe jolexuesit. Sepse në rastin e përshkruar nuk kemi bojkot të Ministrisë (edhe pse ky është qëllimi), por të shkrimtarëve dhe vlerave të tilla. Ndeshemi me parapëlqimin e qëndrimit skajshmërisht politik (e përkohshmja), kundrejt një produkti artistik apolitik (e përhershmja). Sigurisht nuk është se këto qëndrime, trajtime, pasqyrime ua ulin apo ua shtojnë vlerën thelbit të veprave letrare të atyre krijuesve që u vlerësuan me çmime, por një gjë është e sigurt: jemi shumë larg një atmosferë mirëseardhëse e dialoguese të artit tonë, përderisa imazhi i tij, në një mënyrë a në një tjetër përçudnohet, herë nga huqet e suflerëve të mëdhenj politikë, herë nga shpërfillja dritëshkurtër e profanëve. Dhe në një atmosferë të tillë të helmuar, me sindromën e përhershme të “prishjes së festës”, është zor të mbrosh të pandotur idenë mbi të bukurën. E kjo, sipas meje, është kryefjala e artit dhe e edukimit letrar.

NOA

KOMENTE