Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Duke pritur qeverinë që e presin negociatat
English

Duke pritur qeverinë që e presin negociatat

Nga Albin Kurti

Gati për çdo ditë kemi nga një lajm për negociatat e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk është se thuhet diçka faktikisht e re, por vetëm përsëriten gjërat tashmë të vjetra me ndonjë parashikim të ri. Nuk kemi ngjarje që bëhen lajm, por kemi lajme që përbëjnë ngjarje.

Spekulohet për vendin dhe kohën e fillimit të negociatave, temat dhe politikanët që do t’i negociojnë ato. Pra, lajm bëhen dyshimet e reja rreth negociatave, në mënyrë që vetë negociatat e reja të jenë të padyshimta. Lajmet aktuale lidhur me negociatat e ardhshme synojnë që nisja e këtyre negociatave në të ardhmen të mos paraqesë më lajm. Këto lajme që më shumë shprehin hamendësime teknike për negociatat sesa që transmetojnë fakte për to, janë fare pak në shërbim të informimit të publikut dhe janë tepër shumë në funksion të normalizimit të idesë e projektit të negociatave. Mbase besohet që njerëzit do të mësohen me idenë e rifillimit të negociatave, dhe pastaj nuk do të mund të shtiren se janë të befasuar kur ato do të fillojnë.

Të gjitha këto lajme që s’janë lajme, duke qenë të reduktueshme në paralajmërimin e përsëritur për negociatat, po zhvillohen paralelisht me orvatjet për ta arnuar koalicionin e ri qeveritar në Kosovë. Partitë e ndryshme politike po luajnë ping-pong me njëra-tjetrën përmes deklaratave teksa përpiqen t’ia ngrisin pazarin vetes. E gjithë kjo lojë për pushtet që zhvillohet në llogari të shtetit të Kosovës po e vërteton që e përbashkëta e partive politike në Kosovë është konceptuale, ndërsa dallimet ndërmjet tyre janë veçse personale. Dhe, natyrisht, asnjërën prej tyre nuk mund t’i akuzojë kush për devijim meqenëse nuk mund të devijojnë ata që s’kanë bosht. Kështu, përderisa në njërën anë po sforcohet projekti i negociatave me Serbinë për çështjet e brendshme të shtetit të Kosovës, në anën tjetër, partitë dhe krerët e tyre po shpërfaqen si asnjëherë më parë në dobësinë e tyre që u vjen nga lakmia për pushtet. Ata që do të bëhen bashkë në qeverisje tanimë e dinë që menjëherë do të jenë bashkë edhe në negociata me Serbinë për Kosovën. Temat për diskutim dihen meqë ato i ka përcaktuar 6 Pikëshi famëkeq i Ban Ki-moon-it, i cili Planin e Ahtisaarit e avanson në drejtim të modelit të Bosnjes.

Sigurisht që politikanët e negociatave nuk e thonë që këto negociatat e ardhshme po bëhen për ta sajuar një entitet autonom serb brenda Kosovës. Në rastin më të mirë, ata e pranojnë që ky është qëllimi i Serbisë, por jo edhe se ky është rezultati i mundshëm. Ata preferojnë që këto negociata të shihen në kuadër të integrimeve evropiane sepse, kësisoj, besojnë që ato bëhen më të pranueshme për publikun shqiptar. Pa dyshim që këto negociata kanë të bëjnë me integrimet evropiane, por ama me integrimin e Serbisë në BE dhe jo me integrimin e Kosovës në BE. Serbia realisht po hyn si shtet në rrugën e integrimit për në BE, kurse Kosovës si popullsi i premtohet udhëtim pa viza në BE.

Serbia ka nevojë të jashtëzakonshme që të tregojë se i ka marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet përreth saj. Serbisë dëshpërueshëm i duhet ta dëshmojë fqinjësinë e mirë me Kosovën. Përndryshe ajo nuk avanson dot drejt Brukselit. Kosova, por edhe Shqipëria, kanë arsye të panumërta që të mos ia lehtësojnë Serbisë integrimin në BE. Aq më tepër që Serbia e do këtë integrim para Shqipërisë e Kosovës pikërisht që këtyre dyjave t’ua vështirësojë rrugëtimin e integrimeve evropiane (ngjashëm siç bën Greqia me Maqedoninë). Madje, Prishtina e Tirana do të mund t’i shikonin mundësitë edhe për aleanca në Sarajevë e Zagreb kundër Beogradit. Ia vlen të synohet ajo që s’u pat bërë në fillim të ’90-tave: një koalicion i republikave që dolën nga shpërbërja e ish Jugosllavisë kundër hegjemonisë së Beogradit. Fundja, Sarajeva e Zagrebi e dinë mirë që Sebia në luftërat që i shkaktoi në dekadën e fundit të shekullit të kaluar ka vrarë edhe më shumë boshnjakë e kroatë sesa shqiptarë. Janë me dhjetëra mijëra kriminelë serbë që shëtisin të lirë nëpër Serbi pasi që kanë vrarë rreth 200.000 joserbë në ato luftëra. Prishtina e Tirana, por edhe Sarajeva e Zagrebi, nuk mund ta shikojnë Beogradin me sytë e Brukselit.

Posaçërisht shqiptarët dhe politikanët shqiptarë kurrsesi nuk duhet t’i ndihmojnë Serbisë. Serbia e ka të shkuarën kriminale në Kosovë për shkak të agresionit, okupimit, gjenocidit, shtypjes e diskriminimit për më shumë se një shekull. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’na ka kërkuar falje dhe s’ka paguar dëmshpërblim për okupimin, apartheidin dhe luftën, do të thotë t’ia falësh asaj të gjitha krimet nga e kaluara. Shqiptarët dhe politikanët shqiptarë kurrsesi nuk duhet t’i ndihmojnë Serbisë që po ashtu e ka të tashmen dhe të ardhmen kriminale në Kosovë. Strukturat paralele të Serbisë kontrollojnë çerekun e territorit të Kosovës ndërkaq planet e Serbisë vazhdojnë të jenë antishqiptare. T’i ndihmosh Serbisë përderisa ajo s’na njeh si shtet i pavarur dhe i financon strukturat paralele, do të thotë t’ia njohësh asaj aspiratat hegjemoniste për Kosovën dhe t’ia pranosh strukturat paralele në Kosovë.

Të gjithë politikanët shqiptarë që shprehin gatishmëri për t’u takuar me Boris Tadiqin dhe për të negociuar me Serbinë për Kosovën duhet ta kenë të qartë që nuk mund t’i ndihmojnë Serbisë pa e dëmtuar Kosovën.

KOMENTE