English

Meta: Në 8 maj lidershipi i opozitës do të humbasë Bashkinë e Tiranës

Elbasan, 5 shkurt 2011, NOA – Nga Elbasani ku vijon takimet e tij elektorale me mbështetësit e LSI-së, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta e riakuzoi lidershipin e Partisë Socialiste Edi Rama se ishte ai frymëzuesi i skenarit të videos së montuar Meta-Prifti për interesa të tij të ngushta për pushtet, duke argumentuar se 8 maji do të jetë dita kur lidershipi i PS-së Rama do të humbasë edhe magazinën e tij, Bashkinë e Tiranës, të cilën ai po bën çmos ta mbajë me çdo kusht, duke kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Manipulimi i videos tha Meta përballë mbështetësve të tij në Elbasan, do të vërtetohet qartë, ndërkohë që ritheksoi se pikërisht për të patur një hetim sa më të vërtetë ai dha edhe dorëheqjen pas publikimit të kësaj videoje –shantazh, sikundër e cilësoi Meta.

Kreu i LSI-së duke e krahasuar lidershipin e PS-së me një personazh të njohur komedie tha se “Ndërsa Edi Rama, kërkon të na vërë në diskutim moralin, duhet thënë se ai ka thjesht dhe vetëm moralin e Jovan Bregut, pra moralin e magazinës, pasi sikundër edhe Rama, Jovan Bregu vdiq për një çikë magazinë, dhe magazina e Ramës është Bashkia e Tiranës, të cilën ai s’do që ta lëshojë, por që në 8 maj ajo do t’u kthehet qytetarëve të Tiranës”, nënvizoi zoti Meta.

Shefi i LSI-së risolli në vëmendje se “ishte pikërisht lidershipi i opozitës Edi Rama, i cili bëri çdo gjë për të penguar liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e BE-së.

“Pati nga ata që nuk deshën të hiqeshin vizat e që deklaronin se nga varfëria në Shqipëri me heqjen e vizave do të dyndeshin në dyert e Europës 1 milion shqiptarë”, tha Meta, i cili nënvizoi se “Këto deklarata kërkonin që të mos u njihej kjo e drejtë shqiptarëve, të cilët pas vendimit historik kanë rrëzuar vetë çdo lloj skepticizmi”. “Kemi një lidership opozite që pengoi miratimin në Kuvend për ngritjen e Gjykatave Administrative duke djegur miliona dollarë të dhëna nga SHBA-të, një ligj që sikundër tha Meta është tejet i domosdoshëm për mbarëvajtjen e biznesit dhe rregullon marrëdhëniet e tij me qeverinë dhe institucionet e tjera”.

Meta rikujtoi se lidershipi i opozitës diktoi bojkotin antidemokratik të një kodi që synonte presion ndaj votuesve.

“Ai ka tmerr të nisë reformën zgjedhore të kërkuar nga ndërkombëtarët. Është lidershipi i PS-së që ka frikë të përballet me zgjedhjet, pasi e ka të sigurt humbjen e tij në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe tashmë kërkon të lërë pa zgjedhje edhe kandidatët e tjerë të opozitës për bashkitë e komunat e tjera në mbarë vendin”, argumentoi kreu i LSI-së.

Ai bëri me dije se me këto kërcënime Edi Rama kërkon të fusë vendin në qorrsokak e të shpikë një krizë që s’ekziston.

Kryetari i LSI-së shprehu bindjen se “pas arritjes së liberalizimit të vizave, rritjes ekonomike të vendit në kohën më të vështirë të një krize ekonomike financiare, ne jemi të bindur se Shqipëria ka tashmë një rritje të vazhdueshme, për të siguruar mirëqënien e popullit”.

Ai ritheksoi se “kjo është rruga përdrejt zhvillimit, evropianizimit dhe rritjes së mirëqënies, rruga që do të çojë sikundër tha ai në uljen akoma më tej të varfërisë”.

Sipas Metës ishte pikërisht kjo që kish kërkuar LSI në zgjedhjet e 28 qershorit 2009.

Ai theksoi se “kemi bërë zgjedhje të lira, kemi bërë zgjedhje të cilat kanë shpëtuar vendin nga aventutrierët, sikurse ishte edhe vendimi për koalicionin e 28 qershorit”.

“Ky vit do të shënojë rritje ekonomike edhe më të madhe. Ne jemi të bindur se Shqipëria dhe shqiptarët kanë ende vështirësi, për zgjidhjen e të cilave ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha forcat progresive”, bëri me dije zoti Meta.

Kryetari i LSI-së u tha mbështetësve të tij në qytetin e Elbasanit se brenda muajit që vjen do të përzgjidhet mes 23 kompanive më të mëdha në kontinent kompania fituese që do të ndërtojë tunelin Tiranë-Elbasan, një nga veprat më të mëdha për këtë vit të qeverisë Berisha, e cila sikundër tha Meta nuk do t’i shërbejë vetëm Tiranës dhe Elbasanit, por mbarë Shqipërisë dhe korridorit 8.

mit/NOA

KOMENTE