English

Demokracia në udhëkryq

UPDATE

"Sali Berisha do t’i bëj një shërbim të madh vendit po qe se ai paraqet prova të padiskutueshme në mbështetje të akuzave që ka bërë ndaj Edi Ramës dhe opozitës në përgjithësi se ngjarjet e 21 Janarit ishin një përpjekje e orkestruar nga ana e tyre për të realizuar një grusht shteti. Po qe se këto prova nuk materializohen, Berisha dhe disa anëtare të kabinetit dhe të Partisë Demokratike duhet të përballen me ligjin sepse një ligjërim i tillë jo vetëm që kriminalizon padrejtësisht opozitën dhe terrorizon psikologjikisht popullin"...

Dr Gëzim Alpion*

Kriza e tanishme politike dhe vrasja e tre demonstruesve, njëri nga të cilët, sipas filmimit që është qarkulluar në internet, nuk përbënte ndonjë kërcënim për personelin ushtarak dhe civil në ambientet e godinës së Kryeministrisë, janë shumë tronditëse. Në shkrimin e tij ‘Mbi ngjarjet e Janarit’, botuar në gazetën ‘Shekulli’ më 3 Shkurt, Ismail Kadare me të drejtë thekson se, fatmirësisht, në kohën tonë historia shqiptare është ‘njëherësh shqiptaro-europiane’. Megjithatë Kadareja nuk medoj se ka të drejtë kur i shikon ngjarjet e 21 Janarit si shkak për prishjen e ‘normalitetit të jetës shqiptare’.

Jeta shqiptare, shoqëria shqiptare, pothuajse çdo hallkë e shtetit shqiptar dhe veçanërisht jeta politike shqiptare kanë kohë që nuk janë normale. Në fakt kjo e fundit ka qenë thellësisht jonormale që nga përmbysja e diktaturës komuniste në vitin 1991.

Ky realitet jo normal ka zgjatur kaq shumë sa që, fatkeqësisht, për shumë nga ne, por veçanërisht për ata që kanë lindur në dy dekadat e fundit, anormalja është i vetmi realitet që njihet, serviret, propagandohet dhe, deri diku, pranohet si normalitet.

Demokracia për ne shqiptarët mbetet një aspiratë por jo realitet, dhe kjo aspiratë ka të ngjarë të mos realizohet edhe për shumë kohë po qe se refuzojmë t’i themi gjërat ashtu siç janë. Përgjegjësit kryesor për krizën politike dhe trazirat e fundit në Shqipëri jemi ne shqiptarët që kemi lejuar për kaq kohë disa drejtues të klasës politike të përdorin një ligjërim hipokrit ‘demokratik’ për të fshehur epshin e tyre demonik për pushtet dhe pasuri, epsh i cili nuk duhet shikuar vetëm në prizmin e korrupsionit. Në rastin e disa drejtuesve të politikës shqiptare, korrupsioni duhet pagëzuar me emrin e trishtueshëm që meriton: tradhti kombëtare. Dhuna policore që u filmua më 21 Janar duhet të na shqetësojë shumë sepse është tregues i frikshëm i natyrës totalitare të ‘demokracisë’ shqiptare. Në shkrimin e tij ‘Ata që në pushtet mbahen me dhunë, nga dhuna do të vdesin’, të botuar në gazetën ‘Shekulli’ më 27 Janar, Rexhep Qosja na kujton se fetishizimi dhe mitizimi i shtetit rezulton në fashistizimin dhe stanilizimin e tij, pra në shndërrimin e shtetit në një instrument vrasës që likuidon fizikisht qytetarët të cilët nuk janë dakord me të.

Pushteti në Shqipëri është fetishizuar dhe mitizuar por shteti shqiptar nuk është fashist dhe incidentet, përfshirë edhe tragjedinë e 21 Janarit, duhen gjykuar me gjakftohtësi për të mos nxjerrë konkluzione të gabuara që mund të kenë pasoja të rënda për kohezionin kombëtar që është në një gjendje delikate. Ata që me 21 Janar autorizuan të hapet zjarr ndaj demonstruesve si dhe gardistët që ekzekutuan këtë urdhër monstruoz duhet të paraqiten para ligjit. Në policinë dhe ushtrinë shqiptare, që është inkuadruar në NATO, nuk duhet të ketë vend për automatë dhe kriminelë. Ndërsa eprorët e tyre civil dhe ushtarak nuk duhen lejuar që të përdorin varësit dhe qytetarët e thjeshtë si mish për top për të mbajtur në fuqi një klikë të caktuar, kushdo qoftë ajo. Një nga tragjeditë më të mëdha të aktualitetit shqiptar është çvleftësimi i jetës që shkon deri në përçmim dhe urrejtje mizantropike.

Sali Berisha do t’i bëj një shërbim të madh vendit po qe se ai paraqet prova të padiskutueshme në mbështetje të akuzave që ka bërë ndaj Edi Ramës dhe opozitës në përgjithësi se ngjarjet e 21 Janarit ishin një përpjekje e orkestruar nga ana e tyre për të realizuar një grusht shteti. Po qe se këto prova nuk materializohen, Berisha dhe disa anëtare të kabinetit dhe të Partisë Demokratike duhet të përballen me ligjin sepse një ligjërim i tillë jo vetëm që kriminalizon padrejtësisht opozitën dhe terrorizon psikologjikisht popullin por edhe dëmton edhe më tej imazhin e Shqipërisë në botë si një vend ku grushtet e shtetit gjoja janë normale. Berisha u ngut kur u shpreh në mbrojtje të Ilir Metës menjëherë pas publikimit të filmimit në të cilin ky i fundit duket sikur i jep udhëzime një anëtari të qeverisë për të favorizuar miqtë e tij. Po qe se filmimi rezulton të jetë i fabrikuar, autorët e videos duhet të ndëshkohen sipas ligjit, dhe Meta të kthehet në postin e tij qeveritar. Po qe se filmimi i fshehtë është i vërtetë, Meta duhet të përballet me ligjin dhe të tërhiqet përfundimisht nga jeta politike dhe publike.

Sjellja e Metës, qeverisë dhe opozitës në këtë rast do të dëshmojë shkallën e pjekurisë së klasës politike shqiptare në një kohë kritike si për Shqipërinë, që aspiron të pranohet në Bashkimin Europian, ashtu edhe për të ardhmen e Kosovës, pikërisht tani që Serbia dhe aleatët e saj nuk po lënë gur pa lëvizur për të sabotuar proceset demokratike në Kosovë si dhe njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen në përputhje me kohën kur janë planifikuar. Megjithatë, kur e kërkojnë interesat e vendit, zgjedhjet është e këshillueshme dhe në disa raste edhe e domosdoshme të zhvillohen edhe para kohe. Ata që kane fituar votë drejtësisht s’duhet të kenë frikë të përballen me elektoratin.

Gjatë njëzetë viteve të fundit Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjëherë zgjedhje të pakontestuara dhe të pastra. Në Shqipëri në disa zona gjatë zgjedhjeve votat, me sa duket, blihen dhe shiten ditën me diell me para në dorë nga disa politikanë dhe anëtare të familjeve të tyre. Askush nuk duhet të bie në batakun e këtyre prostitutave të ‘demokracisë’ shqiptare; ata duhen demaskuar pa asnjë hezitim. Dhe kjo nuk është e vështirë në kohën tonë kur çdonjeri prej nesh është një reporter falë celularëve dhe paisjeve të shumta elektronike që posedojmë. Kurdo që t’iu afrohet dikush që t’ju blej votën, fotografoni pa ndrojtje fytyrën kriminale të korrupsonit politik dhe përcilljani fotot mediave në Shqipëri, diasporë dhe mediave të huaja. Demokracia në Shqipëri nuk do të konsolidohet pa një angazhim aktiv të qytetarëve në proceset demokratike. Ngjarjet e fundit në Tunizi, Egjipt, Jordani dhe Jemen kanë treguar në mënyrë bindëse rolin dhe efektivitetin e mediave sociale ne sfidimin dhe heqjen qafe të regjimeve të korruptuara.

Korrupsioni është kanceri i shoqërisë shqiptare por ky kancer mund të luftohet me sukses. Korrupsionin duhet ta luftojmë të gjithë së bashku duke manifestuar mosbidje civile, veçanërisht brezi i ri. Studentët duhet të refuzojnë të ndjekin leksionet e lektorëve për të cilët kanë fakte të pamohueshme se janë të korruptuar. Pacientët, të afërmit e tyre dhe personeli mjekësor duhet të demaskojnë mjekët e korruptuar. Po qe se punonjësit e administratës u kërkojnë të paguani ryshfete për t’iu shërbyer, refuzoni të dilni nga institucionet shtetërore deri sa t’iu shërbejnë në përputhje të plotë me ligjin. Po qe se kjo ju duket e pamundur, kujtoni se u desh një Rose Parks që me ‘mosbindjen’ e saj në vitin 1955 ndezi shkëndinë e lëvizjes për të drejtat e Afrikano-Amerikanëve, duke i bërë kështu një shërbim të pashoq demokracisë amerikane.

Politika shqiptare ka nevojë urgjente për transfuzion gjaku. Persona që kanë mbajtur dhe vazhdojnë të mbajnë poste drejtuese në politikën shqiptare që në fillim të viteve 1990-të duhet të tërhiqen sa më shpejt dhe përgjithmonë nga skena politike. Disa politikanë shqiptarë si në pushtet dhe në opozitë u ngjajnë despotëve të tipit të Ben Aliut dhe Mubarakut. Anëtarët e partive duhet të kenë kurajën të kërkojnë me insistim dorëheqjen e drejtuesve po qe se entet e tyre politike nuk fitojnë në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale në mënyrë që në vendin e tyre të vihen njerëz të rinj, dinamike dhe me vizion, qëllimi parësor i të cilëve është t’i shërbejnë popullit dhe mbrojtja e interesave kombëtare.

Demokracia shqiptare po kalon ditë të vështira. Le të shpresojmë se të gjithë ne, por veçanërisht klasa politike shqiptare, do të nxjerrim konkluzionet e duhura nga ngjarjet e turpshme, të dhimbshme dhe të dënueshme të këtij fillim viti. Të shpresosh nuk është gjithmonë e mjaftueshme.

*Departamenti i Shkencave politike dhe Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Birmingham, Angli

Shënim i autorit:

Këtë artikull po e shkruaj në përgjigje të pyetjeve të shumta që më dërgoi Olti Buzi, Drejtori Editorial i AlbaniaNews në Itali, në emër të bashkëpunëtorëve të kësaj platforme të rëndësishme elektronike në diasporë, pas transmetimit nga Al Jazeera English TV me 27 Janar të programit ‘Inside Story: Albania’s escalating political crisis’.

KOMENTE