English

Jetë e këputur në mes për dy djem shqiptarë

Cremona, Itali, 6 Shkurt 2011 NOA – Dy djem shqiptarë që ende nuk i kishin kapërcyer të njëzetat, janë viktima të një tragjedie rrugore që ndodhi në lokalitetin Soncino të Italisë.

Sikurse raporton korrespondentja e agjencisë NOA, viktimat janë Klajdi Shehi, 17 vjeç rezident në Torino i cili ndërroi jetë pak pasi u dërgua në spitalin e Cremona-s, si dhe Mikel Hallulli, 20 vjeç me banim në Bassa Bergamasca, i cili gjeti vdekjen gjatë aksidentit fatal.

Në këtë aksident u shënuan edhe tre të plagosur, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike në spitalin rajonal. Ndër të plagosurit rëndë, u identifikua një shtetase bullgare, 27 vjeçarja Ivnka Chakova, rezidente në Cremona, e cila gjendej në makinë me dy shqiptarët që humbën jetën.

Kurse 29 vjeçari italian që drejtonte furgonin ndodhet po ashtu në gjendje të rëndë në spitalin e Cremonas.

Kurse e plagosur më lehtë është një 23 vjeçare, gjithashtu italiane.

Gjithçka ndodhi gjatë përplasjes së një autoveture me një fugon në ish rrugën nacionale 498 - Soncinese në Soncino, provincë e Cremona.

Dy të rinjtë shqiptarë të shoqëruara nga shtetasja bullgare, po udhëtonin nga Bergamo drejt Cremona-s.

Ishte ora 18 e pasdites së djeshme, kur ndodhi përplasja mes makinës me të rinjtë shqiptarë, një Fiat Punto dhe një furgoni Renault Traffic, duke sjellë pasojat fatale që ju shihni në këto dy foto.

Sipas hetimit paraprak, policia italiane tha se përplasja erdhi për shkak të një manovrimi nga ana e veturës tip Fiat që besohet se zuri korsinë ku po vinte fugoni.

Fugoni përfundoi jashtë rruge nga përplasja e fortë, kurse Fiat-i u bllokua duke plagosur rëndë brenda tij tre personat, dy prej të cilëve ndërruan jetë.

j.m/NOA

KOMENTE