English

Berisha-paqeruajtësve: 21 janari, akt i shëmtuar

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA- (Update) Pak më parë u mbyll ceremonia e pritjes së forcave komando që u kthyen nga Afganistani, e mbajtur në ambientet e Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij para turpave të Kontigjentit “Eagle 1”, Kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi se, “Falenderime, pasi trupat kryen detyrën e tyre në mënyrë të suksesshme. Ju bëtë që flamuri shqiptar të valëvitet krenar në luftë. Në 6 muaj ju u përballët me misione ndër më të rrezikshme, dëshmuat gjakftohtësi të madhe, përgatitje ushtarake të shkëlqyer, komunikim të zhdërvjelltë, ju nuk ishit një njësi e madhe por ja dolët të fitonit respektin dhe vlerësimin e të gjitha njësive të tjera të vendeve të Atlantikut të Veriut dhe të SHBA-ve”.

Më tej kreu i qeverisë tha se, “Më vjen mirë që trupat tanë u kthyen mirë nga misioni. Qeveria do mbështesë misionet e ardhshme në Afganistan”.

[media id=96 width=620 height=440]

Kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe demonstratën e 21 janarit duke thënë se, “Të parët që më erdhën në mendje, keni qenë ju. Pasi institucionet e një vendi të NATO-s, nuk mund të sulmohen. Ju garantoj se ajo që ndodhi ishte vërtet një akt i shëmtuar, por ne së bashku do bëjmë çdo gjë që t’i kthejmë Shqipërisë imazhin që meriton, e të dëshmojmë se liria është e pakapërcyeshme në këtë vend”, iu tha ai paqeruajtësve shqiptar.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se, misioni i trupave vjen i kryer suksesshëm në atdhe.

“Kjo ditë është e rëndësishme për ne dhe për Shqipërinë si anëtare e NATO-s, ndaj ju falënderoj për punën dhe përkushtimin tuaj”, tha Imami.

Në mbyllje të ceremonisë përshëndetën edhe fëmijët e kontingjentit paqeruajtës të kthyer në atdhe.

Kontigjenti Paqeruajtës, “Eagle 1”, kreu për 6 muaj, misionin e tij në Kandahar të Afganistanit, në kuadër të operacionit ISAF.

Pjesë e këtij kontingjenti janë 44 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionist, efektivë të Batalionit Special të Forcave Tokësore, të cilët shërbyen në këtë mision në operacione luftimi, përkrah forcave speciale amerikane që veprojnë në Afganistan.

a.y/NOa

KOMENTE