English

EULEX letër Haxhinastos për bashkëpunimin për zbardhjen e trafikut të organeve

Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto ka marrë sot një letër falënderimi nga ana e Shefit të Misionit EULEX-it në Kosovë për gatishmërinë e autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar në zbardhjen e çështjeve të ngritura në raportin e hartuar nga eurodeputeti zviceran Dick Marty, i cili në raportin e tij të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KiE-s akuzon udhëheqës të UÇK-së mes të cilëve edhe Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për trafik organesh të robërve serbë në fund të konfliktit në Kosovë në vitin 1999.

Në letrën e Shefit të Misionit të EULEX-it në Kosovë Xavier de Marnhac, sipas MPJ-së sigurohet se EULEX është autoriteti i duhur dhe kur ka prova të mjaftueshme për të besuar se janë kryer aktivitete kriminale do të fillojë hetimin përkatës.

“Në letër theksohet se EULEX inkurajon zotin Marty për t’i dhënë autoriteteve të Prokurorisë së EULEX- it çdo informacion ose provë, të cilat mund të hedhin dritë mbi akuzat e ngritura në këtë raport”, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në 17 janar të këtij viti një delegacion i Prokurorisë Speciale ( SPRKL) i përbërë nga prokurorë të EULEX-it dhe të Kosovës zhvilluan një takim në Tiranë me Prokuroren e Përgjithshme të Shqipërisë.

Sikundër është mësuar edhe më herët EULEX dhe Shqipëria kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në zbardhjen dhe hetimit e plotë të çështjeve të ngritura në raportin e raporterit zviceran Dick Marty.

mit/NOA

KOMENTE