English

Arrestohen 4 gardistë të tjerë për 4 vrasjet gjatë demonstratës së 21 janarit

Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi për agjencinë NOA, se nuk ka persona të tjerë të arrestuar veç këtyre katër gardistëve të thjeshtë

Tiranë, 11 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana – Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, miratuar edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, mbrëmjen e sotme janë arrestuar edhe katër pjesëtarë të Gardës së Republikës.

Personat e arrestuar janë Sadik Çela, 45 vjeç, Agron Malaj 40 vjeç, Mark Nikolli, 28 vjeç dhe Gazmend Ahmetaj, 34 vjeç.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, i thanë agjencisë NOA se ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Tiranës ka dhënë arrest me burg 30 ditor për dyshimet e ngritura nga Prokuroria se janë të përfshirë në ngjarjet e 21 janarit ku katër demonstrues mbetën të vrarë në rrethana ende të paqarta.

Sakaq, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi për agjencinë NOA, se nuk ka persona të tjerë të arrestuar veç këtyre katër gardistëve të thjeshtë.

Mbrëmjen e 8 shkurtit 2011, ora 18.00, u dorëzuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku, efektivë të Gardës së Republikës.

Menjëherë mbas dorëzimit, policia gjyqësore e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, zbatoi për ta, urdhrat e prokurorit, të datës 22 janar 2011, për ndalimin e tyre, duke i vënë në dispozicion të prokurorit.

Të ndaluarit iu nënshtruan marrjes në pyetje nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kjo procedurë vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të datës 09.02.2011.

Mëngjesin e 9 shkurtit ata u lanë të lirë dhe zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi: “Në përfundim të kësaj procedure, si dhe në vlerësim të rrethanave të deritanishme të hetimit, nga ana e prokurorëve u urdhërua lirimi i menjëhershëm për shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku”.

Kurse për Alfred Ahmetcenaj, komandant i Njësisë Speciale të Gardës së Republikës dhe Agim Llupo, shef i shtabit të kësaj njësie, u kërkua nga gjykata masë sigurie si të dyshuar për vrasje në rrethana cilësuese të ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë njerëzve.

e.t/NOA

Vijon...

KOMENTE