English

PPE: Opozita të ndalë dhunën për rrëzimin e qeverisë

Bruksel, 11 shkurt 2011, NOA – Pas degjenerimit në fyerje dhe grushta të seancës së djeshme parlamentare që dëshmoi rishtas për një nderje të mëtejshme të situatës politike në vend e mbërritur në këtë pikë pas demonstratës së 21 janarit dhe vrasjes së katër demonstruesve, Asambleja politike e Partive Popullore Europiane dënoi përdorimin e mjeteve dhe taktikave të dhunshme nga Edi Rama për rrëzimin e qeverisë legjitime të Shqipërisë e ardhur në pushtet me zgjedhje demokratike. PPE-të kanë lëshuar sot një rezolutë për situatën në Shqipëri ku i bën thirrje opozitës shqiptare dhe shefit të saj Edi Rama të ndërpresë përdorimin e taktikave të dhunshme për marrjen e pushtetit. Rezolutën e ka zbardhur zyra e shtypit e Partisë Demokratike.

Në këtë rezolutë i kërkohet lidershipit socialist të ndërpresë përdorimin e mjeteve dhe taktikave të dhunshme për qëllime politike, si dhe të ndalojë përshkallëzimin e mëtejshëm politik, të respektojë dhe të bashkëpunojë me institucionet e Shqipërisë dhe në veçanti të sigurojë pjesëmarrje të plotë në punimet e Parlamentit.

Më tej rezoluta thotë se “Partisë Socialiste i kërkohet të bashkëpunojë me mazhorancën e zgjedhur për të përmirësuar kuadrin elektoral në zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODHIR, të angazhohet në mënyrë konstruktive në procesin përgatitor, në përputhje me detyrimet ligjore dhe të sigurojë pjesëmarrjen e plotë në zgjedhjet vendore të datës 8 maj 2011”.

Rezoluta e PPE-ve bën thirrje që të bëhet një hetim gjithpërfshirës, I pavarur dhe profesional mbi ngjarjet para, gjatë dhe pas 21 janarit.

Kjo rezolutë përshëndet edhe kërkesën e kryeministrit Berisha për asistencë ndërkombëtare në këtëo hetime.

Partitë Popullore Europiane i bëjnë thirrje vendeve anëtare të BE-së të mbështesin politikën e reformave të qeverisë shqiptare, e cila sikpas PPE-ve synon marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në BE.

Këtë thirrje ndaj opozitës shqiptare, PPE-të e përligjin pas konstatimit të tyre se “Në 21 janar, në një tentative të dështuar për të marrë pushtetin me dhunë sipas një plani të paralajmëruar, lideri i Partisë Socialiste në opozitë Edi Rama, organizoi një rrethim prej 5 orësh dhe sulme të dhunshme kundër Këshillit të Ministrave”.

Andaj PPE-të shprehin shqetësimin se në Shqipëri ekziston një situatë e tensionuar politike midis qeverisë Berisha, të zgjedhur nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe opozitës socialiste.

Rezoluta nënvizon se stabiliteti i demokracisë shqiptare është vendimtar për ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kjo rezolutë e Partive Popullore Europiane përshëndet përpjekjet dhe reformat bindëse të Partisë Demokratike dhe kryeministrit Sali Berisha, në përmbushje të kritereve të nevojshme për progresin e Shqipërise drejt Bashkimit Evropian; përparimin e dukshëm dhe të vazhdueshëm, në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2009 si dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë per komunitetin e sigurise Euro-Atlantik si vend anëtar i NATO-s.

PPE-të në këtë kontekst inkurajojnë qeverinë shqiptare të vijojë reformat për të çuar vendin më afër integrimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq në këtë rezolutë PPE-të rikujtojnë edhe rezultatet e hetimeve nga prokuroria mbi procesin e numërimit dhe rezultatin e zgjedhjeve në zonën e Shkodrës, të cilat sipas PPE-ve treguan një ndryshim prej vetëm një vote nga rezultati zyrtar i zgjedhjeve të vitit 2009 për zonën e Shkodrës.

mit/NOA

KOMENTE