Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Një fyerje mizore
English

Një fyerje mizore

Të thonë hoqëm një drejtor me gjyshe serbe dhe vumë një drejtor me gjyshe çame. Por prapë është shumë fyerje

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare njoftoi se ka përfshirë në administratën e lartë të saj dy Drejtorë të Përgjithshëm, të propozuar nga dy partitë e bashkuara të komunitetit çam në Shqipëri. Posti i parë është ai i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ndërtimore, ku u emërua ish- Drejtori i Policisë së Ndërtimit të kohës së Fatos Nanos, dhe posti i dytë ai i Drejtorit të Përgjithshëm rë Transportit Rrugor, ose siç quhet në gjuhën popullore Drejtori i Targave dhe Patentave. Nuk di ende kush shkoi tek ky post.

Ky është pa diskutim lajmi më poshtërues që mund të mësosh nga politika shqiptare për problemin çam. Fillimisht dua të them se i respektoj shumë të dy partitë e komunitetit çam në Shqipëri, edhe pse e dyta ishte thjesht një shantazh i Berishës për të mbajtur çamët larg ndikimit të tyre në qeveri.

E krijuar si një parti që do të shërbente më shumë si patericë për të plotësuar numrat e Berishës në Kuvend, partia e zotit Idrizi më në fund ja doli ta justifikojë futjen në skenën politike, armiqësinë dhe miqësinë me partinë tjetër simotër çame me një pazar për poste në administratën e lartë, edhe pse në Kuvend ka dy deputetë, thuajse aq sa ka Ilir Meta. Por poshtërimi nuk qëndron as tek sasia e posteve, as tek niveli i përgjegjësisë, por tek përmbajtja e tyre.

Lajmi që u përcillet shqiptarëve me nënqeshje në tavolina është "Berisha u ka dhënë çamëve policinë ndërtimore dhe targat për të bërë ndonjë lek". Në të vërtetë të dy këto institucione janë ndër më të korruptuarat në historinë e qeverisjes shqiptare.

Dhe në këtë tufë hajdutësh që kanë hyrë dhe kanë dalë në ato drejtori, dy drejtorat e shkarkuar dje, Gjergj Bojaxhiu dhe Kreshnik Bozho, kanë qenë ndoshta më të papërfolurit personalisht për korrupsion, edhe pse banda e tyre poshtë bënte kërdinë. Inspektorët e Bojaxhiut mund të ta prishin një shtëpi edhe kur e ke me letra po nuk u dhe lek, ashtu sikundër mund të ta falin po pagove. E njëjta histori përflitet dhe për targat dhe patentat, duke qenë thuajse një mision i pamundur disiplinimi i tyre.

Dhe të mendosh tani që këto dy drejtori kaq të përfolura kanë kaluar nga dy drejtues me një farë integriteti tek dy të emëruar nga dy partitë e bashkuara virtualisht, thjesht për tu përfaqësuar në qeveri, dhe pas kësaj të kesh shpresë se do pakësohet korrupsioni në inspektorat të ndërtimit apo tek targat e patentat.

Por problemi kryesor nuk qëndron tek njerëzit që do emërohen, por tek imazhi i partive të komunitetit çam në Shqipëri. Këto dy parti që janë bashkuar kanë një specifikë historike pasi luftojnë për të drejtat e nëpërkëmbura të një komuniteti shqiptar që kanë fatin e ngjashëm të hebrenjve, që janë zbuar nga tokat e tyre dhe jetojnë ende pa ju njohur e drejtat e shtëpisë ku kanë lindur.

Të mendosh tani që politikisht ky komunitet kur hyn në qeveri merr policinë e ndërtimit dhe targat e patentat, jo vetëm që të kap gazi për seriozitetin e "problemit kombëtar" që ata mbrojnë, por të duket aq personal pazari i tyre, sa fyen çdo pjesëtar të thjeshtë të komunitetit të tyre. Komuniteti çam duhet të ishte pjesë e kësaj shumice pasi ka dy deputetë, dhe ndonjë tjetër brenda partive të tjera.

Ai duhet të kishte përfaqësim në Ministrinë e Jashtme, në përfaqësitë tona diplomatike në SHBA, Bruksel, Britani, apo Vjenë, duhet të kishin akses në institucionet e Kulturës dhe historisë sonë që të ndihmonin kauzën e tyre, siç janë arkivat apo drejtoritë e trashëgimisë kulturore, por kurrsesi për të bërë lek tek targat dhe fadromat.

Kjo tregon realisht sa joseriozisht e ka Sali Berisha problemin çam dhe sa thjesht e konverton ai këtë në problem plaçkë.

Kjo tregon sa joserioz janë përfaqësuesit e komunitetit çam në politikë dhe sa lehtë e denigrojnë kauzën e komunitetit të tyre, të cilën duket se nuk e përfaqësojnë realisht. Komuniteti çam është ndoshta për frymë popullsie komuniteti me më shumë biznesmenë dhe milionerë në Shqipëri dhe ata më pak se kushdo kanë nevojë për poste me lek.

Kjo mendësi denigruese që ka hyrë në qeverisjen tonë për tu mbyllur gojën partive të vogla, në rastin e partive çame zbulon hipokrizinë dhe cinizmin e shtetit shqiptar ndaj këtij problemi.

Ky është një poshtërim që i bëhet profilit të tyre politik në Shqipëri duke i trajtuar ashtu siç i ka trajtuar nën zë regjimi komunist, si njerëz që rendin pas lekut.

Por nëse gjatë komunizmit fyerjet për çamët ishin ilegale dhe nën zë, duke u etiketuar si njerëz që bëjnë pazare dhe shesin vëllanë për lek, tani Sali Berisha ua institucionalizoi falë naivitetit të dy drejtuesve të partive politike çame, që kanë nisur bashkëpunimin me Berishën duke marrë dy "drejtori me lekë", siç thuhet rëndom në gjuhën e pazareve të pushtetit.

Përpos kësaj, këto dy drejtori kanë të bëjnë direkt me shërbimet ndaj qytetarëve dhe çdo pakënaqësi normale që përcillet nga puna e tyre tashmë do marrë dhe konotacion kombëtar pasi do tu faturohet "çamëve" që kanë marrë pushtetin.

Tashmë ka pak rëndësi kush do vjedhë apo abuzojë tek policia ndërtimore, pasi edhe nëse drejtori do të jetë superkorrekt, në fund do thuhet m'i mori lekët ai "çami i m...", ka pak rëndësi kush do abuzojë tek targat dhe patentat, sado i ndershëm të jetë drejtori çam, do të ketë gjithmonë një njeri që do të thotë m'i mori lekët ai "çami i m...".

Dhe meqë këtu jemi në fushën e patriotizmit banal, më mirë të lenim këtë Bojaxhiun pasi do thoshin na i mori lekët ai "serbi i m..." Ah, po, harrova. Këtë mund ta përdorin pozitivisht. Të thonë hoqëm një drejtor me gjyshe serbe dhe vumë një drejtor me gjyshe çame. Por prapë është shumë fyerje.

* Qendrimet e autorit nuk prezantojne vijen editoriale te NOA

KOMENTE