English

Qytetarët nuk meritojnë më pak

“Në 8 maj 2011 do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore. Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish. Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për Ditën e Zgjedhjeve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq”.

Nga Eugen Uollfarth*

Veprimtaria e sotme shënon mbylljen zyrtare të një prej projekteve të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për modernizimin e sistemit shqiptar të adresave dhe regjistrit të gjendjes civil – projekt që ka dhënë rezultate të qarta dhe pozitive për qytetarët shqiptarë.

Ky projekt është mundësuar nëpërmjet një fondi prej 2.5 milion euro të Bashkimit Evropian dhe me financim të OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me ndihmën teknike të Austrisë, Norvegjisë dhe Këshillit të Europës. Projekti u zbatua nga viti 2007 deri në fund të vitit 2010.

Objektivat kryesore të projektit ishin të ofronte asistencë për krijimin e sistemeve elektronike të adresave dhe regjistrit të gjendjes civile, krijimi i një kuadri ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe krijimi i besimit të publikut nëpërmjet një fushate ndërgjegjësimi.

Regjistri elektronik i gjendjes civile siguroi të dhënat për krijimin e pasaportave dixhitale – pasaportat biometrike që tani mundësojnë qytetarët shqiptarë të udhëtojnë më lirshëm, veçanërisht në zonën Schengen.

Regjistri i gjendjes civile siguron të dhënat për kartat e reja të identitetit, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e qasjes së publikut në shërbime publike dhe private, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve dhe marrëdhënieve.

Dua të kujtoj që të dhënat e siguruara nga regjistri i gjendjes civile u përdorën edhe për listat e votuesve në zgjedhjet e kaluara, siç ishin zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat sipas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishin përmirësim të dukshëm në krahasim me zgjedhje të mëparshme.

Në 8 maj 2011 do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore. Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish.

Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për Ditën e Zgjedhjeve. Qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq.

Dua, gjithashtu, të kujtoj që një regjistër i gjendjes civile është në vetvete punë në progres, sepse kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme dhe pastrim nga dublikimet dhe gabimet.

Për këtë arsye iu kushtua vëmendje e veçantë ngritjes së kapaciteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile – u zhvilluan trajnime për teknologjinë e informacionit, u prezantua sistemi i menaxhimit të shërbimit, dhe u instalua dhoma e serverave.

U zhvilluan trajnime edhe për zyrat vendore të gjendjes civile dhe u printuan manuale përdorimi.

Megjithatë, edhe pse të kompjuterizimi i të dhënave përmirëson dukshëm dhe rrit shpejtësinë e shërbimeve për publikun shqiptar, dixhitalizimi në epokën e internetit përbën edhe rreziqe.

Të dhënat personale janë private dhe personale dhe njohja e këtyre të dhënave për individë të ndryshëm mund të çojë edhe në abuzime. Mbledhja e këtyre të dhënave duhet rregulluar me ligj. Për këtë arsye projekti siguroi ekspertizë për hartimin e ligjit të ri të gjendjes civile. Kjo u arrit me mbështetjen e ekspertëve të Këshillit të Evropës.

Grumbullimi i të dhënave personale si nga shteti edhe nga institucionet private duhet mbikëqyrur nga një institucion i pavarur. Në këtë drejtim, projekti kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve për krijimin e Zyrës së Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Një tjetër arritje është fakti që 90% e njësive të qeverisjes vendore janë pajisur me sistemin elektronik të adresave. Pjesa e mbetur prej 10% është në fazën përfundimtare.

Si rezultat, është mundësuar lidhja e 75% të popullsisë me sistemin e adresave.

Është bërë një punë e madhe, por mbetet ende shumë për të bërë. Tashmë kemi të dhënat dhe ekzistojnë mundësitë teknike për t'i dhënë çdo qytetari një adresë individuale. Tani duhet vazhduar puna për lidhjen e të dhënave të regjistrit të gjendjes civile dhe sistemin e adresave – kështu që çdo qytetar të jetë në gjendje të tregojë ku banon.

Përfundimi i këtij procesi do të sjellë përmirësime të mëtejshme në jetën e qytetarëve shqiptarë. Përdorimi i adresave do të vazhdojë të sjellë përmirësim të listave të votuesve dhe administrimit të zgjedhjeve.

Në këtë pikë, dua të shpreh falenderimet e mia për Qeverinë dhe veçanërisht për Ministrinë e Brendshme për tre vite bashkëpunimi të mirë. Shpresoj të vazhdojmë të kemi një bashkëpunim të mirë në të ardhmen.

Dua të falenderoj anëtarët e Bordit Drejtues, për mbështetjen dhe angazhimin e tyre me projektin – në veçanti falenderoj Zëvendësministrin Poni për drejtimin e këtij projekti gjatë gjithë kësaj kohe dhe madje edhe më parë.

Dua të falenderoj Delegacionin e Bashkimit Evropian për mbështetjen financiare ndaj këtij projekti dhe për faktin që kanë qenë partnerë të mrekullueshëm të projektit.

Një falënderim të veçantë kam për stafin tim, për ekspertët e kontraktuar, për punën e tyre të mrekullueshme. Së fundi, i urojmë Ministrisë së Punëve të Brendshme suksese të mëtejshme në fazat në vijim.

*Fjala e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Uollfarth në mbyllje të projektit për modernizimin e sistemit të adresave civile.

KOMENTE