English

Topi dekoron ushtarakët e "Shqiponja 1"

Tiranë, 17 shkurt, NOA - Presidenti i Republikës Bamir Topi dekoroi sot ushtarakë të lartë e pjesëtarë të kontingjentit “Shqiponja 1”, i cili prej gjashtë muajve ka shërbyer në Kandahar (Afganistan) përkrah forcave speciale amerikane.

Topi dekoroi Nënkolonelin Dritan Demiraj me Medaljen e Artë të Shqiponjës, me motivacionin: "Për drejtim me kompetencë, guxim dhe trimëri në plotësimin e detyrës së ngarkuar, duke u bërë shembull për efektivin e Misionit Paqeruajtës në Operacionin “Eagle 1” Gjithashtu, Presidenti Topi dekoroi Kapiten Ernest Mariakaj, Rreshter Albert Kucaj, Rreshter Astrit Lica dhe Tetar Gëzim Toska me Medaljen “Për Shërbime Ushtarake”, me motivacionin: "Për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë në kryerjen e detyrave operacionale e paqeruajtëse, në përbërje të Kontingjentit “EAGLE-1”, të inkuadruar në Brigadën 525 USA, Kandahar, Afganistan.”

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Shtetit shqiptar vlerësoi lart kontributin e kontingjentit “Shqiponja 1” në shërbim të ruajtjes së paqes dhe të vlerave demokratike në një ndër zonat më të nxehta, përkrahë aleatëve tanë të NATO-s, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë, përkushtim maksimal dhe vlera të rralla humane.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në misionet jashtë vendit përbën padyshim një ndër angazhimet më të mëdha politike dhe ushtarake të vendit në skenën botërore të politikës dhe të sigurisë globale. Këto misione kanë kontribuar jo vetëm në interes të rritjes së sigurisë së përgjithshme, por edhe të paqes globale. Ato njëkohësisht kanë kontribuar në përcjelljen e të vërtetës së madhe për imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ushtarakët tanë kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm në krijimin e përshtypjes së vërtetë për vendin dhe për veten e tyre në sy të mijëra e mijëra ushtarakëve nga e gjithë bota. Plotësimi dhe përsosja e këtij imazhi pozitiv është edhe fryt i përpjekjeve, i profesionalizmit, përgjegjësisë, disiplinës dhe heroizmit tuaj të sprovuar”, u shpreh Presidenti Topi.

Gjithashtu, Presidenti vuri në dukje se kontributi i çdo ushtaraku shqiptar dhe imazhi për Shqipërinë i ndërtuar prej tyre ka luajtur një rol themelor në krijim e bindjes së plotë mes vendeve të tjera anëtare të NATO-s për pjekurinë e vendit për anëtarësim në Aleancën më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë. “Performanca juaj gjatë kësaj kohe është konkretizimi i fitores sonë të madhe: Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është edhe arritja juaj e madhe, është arritja e mbarë kombit shqiptar, është kalimi në modernitet dhe në një epokë të re të Ushtrisë Shqiptare”, - theksoi Kryetari i Shtetit.

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Maksim Malaj, Komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade, Viktor Berdo, dy ish-presidentët, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, ish-ministrat e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, deputetë, ambasadorët e nëntëmbëdhjetë vendeve anëtare të NATO-s, rezidentë në Shqipëri, atashetë ushtarakë të huaj në vendin tonë si dhe familjarë e të afërm të ushtarakëve paqeruajtës.

Në emër të pesë ushtarakëve të dekoruar, të cilët u përgjigjën me thirrjen: “I shërbej Republikës së Shqipërisë!” përshëndeti Nënkolonel Dritan Demiraj. “Për gjashtë muaj me radhë kam pasur privilegjin dhe përgjegjësinë e madhe të drejtoj misionin e parë luftarak që ushtria shqiptare ka zhvilluar deri më sot. Ka qenë një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi e cila është përmbushur me sukses të plotë, duke nderuar kombin shqiptar, ushtrinë shqiptare. Ka qenë një përgjegjësi, të cilën me këta djem të mrekullueshëm që kam pasur në kontigjent, kemi përmbushur të gjitha detyrat me sukses, gjë të cilën do ta vazhdojmë ta përvijojmë edhe me ‘Eeagle 2’, ‘Eeagle 3’ e me radhë”, ta Demiraj.

a.k/NOA

KOMENTE