English

Vodhi laptopin dhe e shiti, kapet gjimnazisti

Gjirokastër, 17 janar, NOA – Një gjimnazist është ndaluar për vjedhje, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim, ndërsa akuzohen për vjedhjen e një laptopi, i cili është sekuestruar tashmë në cilësinë e provës materiale.

Ngjarja konfirmohet nga burime të policisë së Gjirokastrës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, i ndaluari është 15-vjeçari me inicialet K.M, nxënës në një nga shkollat e mesme të qytetit jugor.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë për arsye se gjatë orëve të natës është vjedhur me thyerje zyra e administratorit të një firme ndërtimi, duke iu marrë një laptop të markës ACER dhe një shumë prej 2700 Eurosh.

Pas një pune hetimore të bërë nga ana e policisë, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiali i laptopit.

Ndërsa nga hetimet dhe informacionet e grumbulluara në rrugë operative rezultoi se këtë laptop i lartpërmenduri e kishte shitur në një dyqan në qytetin e Gjirokastrës në bashkëpunim me një person tjetër, i cili është shpallur në kërkim.

Materialet për veprën penale të “Vjedhjes kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal i kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE