English

OSBE: Partitë refuzuan rregullat që miratuan vetë

Tiranë, 21 shkurt NOA – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, mirëpriti sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e vendeve vakante në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), në përpjekje për të çuar përpara përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 Majit.

“Shpallja publike e vendeve vakante në KZAZ, që duhen plotësuar së shpejti, është një hap i rëndësishëm dhe vendimtar në garantimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor ndaj qytetarëve”, tha Ambasadori Wollfarth.

“Unë e mirëpres këtë hap dhe dua të vë në dukje se ai u bë i nevojshëm vetëm pasi disa parti refuzuan të marrin pjesë në procedurat demokratike, në bazë të rregullave që i kishin bashkëhartuar dhe miratuar vetë”.

Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të kishin paraqitur propozimet për komisionerë brenda 24 janarit dhe KZAZ-të duhet të ishin ngritur brenda datës 7 shkurt 2011.

Ambasadori Wollfarth përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet shqiptare në zgjedhjet e ardhshme.

NOA

KOMENTE